Connect with us

Aktualitet

Avokati Ardian Elezi: Në Zvërnec u cenua e drejta e protestës, shqetësues edhe reagimi i policisë

Ngjarjet e ndodhura në Zvërnec dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë kanë rikthyer në vëmendje debatin mbi të drejtat kushtetuese të qytetarëve dhe problematikën e pronave në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Tik Talk” në NTV, me moderatoren Grisela Zendeli avokati Ardian Elezi deklaroi se rasti përbën një shqetësim serioz lidhur me mënyrën se si janë trajtuar protestuesit, duke theksuar se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta.

Elezi u ndal veçanërisht te pamjet e publikuara në media, në të cilat një qytetar shihet duke u tërhequr zvarrë nga persona privatë, ndërkohë që në vendngjarje ishin të pranishme edhe forcat e Policisë së Shtetit. Sipas tij, kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e lirive themelore dhe mbi ushtrimin e përgjegjësive nga institucionet kompetente.

Avokati theksoi se, bazuar në informacionin e bërë publik, shërbimet private të sigurisë duket se kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, duke ndërhyrë ndaj protestuesve në kundërshtim me standardet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Ai shtoi se po aq shqetësues mbetet edhe perceptimi për mungesën e një reagimi të duhur nga Policia e Shtetit përballë këtyre veprimeve.

Sipas Elezit, çështja e Zvërnecit nuk lidhet vetëm me një ngjarje të izoluar, por edhe me problematikën e kahershme të pronave në vend, si dhe me nevojën që institucionet të garantojnë njëkohësisht zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve.

 

Advertisement