Aktualitet
Avokatët i shpallin ‘luftë’ GJKKO-s pas ndalimit të celularëve, nis bojkoti
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur të nisë bojkotin e seancave gjyqësore, duke filluar nga dita e sotme, në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme që kufizon përdorimin e celularëve në ambientet e gjykatës.
Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të rregullores, duke paralajmëruar se bojkoti do të vijojë deri në rishikimin e saj. Sipas tij, vendimi nuk do të prekë seancat për masat e sigurisë.
“ Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të rregullores së Gjykatës së Posaçme”, deklaroi Haxhia.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar një rregullore të re që përcakton rregulla për hyrjen në godinë, ndjekjen e seancave gjyqësore, përdorimin e pajisjeve elektronike, si dhe aktivitetin e medias.
Por disa prej këtyre masave janë kundërshtuar nga avokatët dhe palët e tjera të prekura, të cilat pretendojnë se kufizimet pengojnë ushtrimin normal të funksioneve të tyre profesionale.
Përballë mungesës së një zgjidhjeje të menjëhershme, Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka zgjedhur bojkotin si formë presioni për pezullimin dhe rishikimin e rregullores.
Përjashtimi i seancave për masat e sigurisë nga bojkoti nënkupton se këto procedura do të vijojnë të zhvillohen, ndërsa pjesa tjetër e seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme rrezikon të përballet me ndërprerje deri në zgjidhjen e konfliktit.