Politike
BE i jep Shqipërisë 49 milionë euro, mbështetje për klimën e biznesit dhe digjitalizimin
Komisioni Europian ka disbursuar 49 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Fondet u miratuan pas kërkesës së tretë për pagesë dhe vlerësimit pozitiv të reformave të ndërmarra nga autoritetet shqiptare në fushën e konkurrueshmërisë së biznesit, inovacionit dhe lehtësimit të investimeve.
Sipas Komisionit Europian, nga shuma totale prej 49 milionë eurosh, 22.8 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit shqiptar, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), pas procedurave të miratimit përkatës.
Brukseli vlerësoi masat e ndërmarra nga Shqipëria për përmirësimin e klimës së biznesit, zgjerimin e aksesit në financim dhe mbështetjen për startup-et dhe kompanitë që operojnë në sektorët e gjelbër dhe digjital.
Me disbursimin e fundit, fondet totale të lëshuara për Shqipërinë në kuadër të këtij instrumenti arrijnë në 212.8 milionë euro.
Komisioni Europian njoftoi gjithashtu disbursimin e 44.2 milionë eurove për Malin e Zi dhe 65.7 milionë eurove për Maqedoninë e Veriut, pas vlerësimit të reformave në fushat e inovacionit, arsimit dhe digjitalizimit.
Fondet që kalojnë përmes WBIF do të mbështesin projekte infrastrukturore në transport të qëndrueshëm, energji të pastër, zhvillim digjital dhe kapital njerëzor, në bashkëpunim me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Bashkimi Europian në vitin 2023, synon të afrojë vendet e rajonit me tregun unik europian dhe të përshpejtojë procesin e integrimit në BE përmes reformave ekonomike dhe rritjes së mbështetjes financiare.
