Politike
Berisha kritikon mbledhjet e Ramës: Fjalimet i nis e i mbyll me ‘hale’
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kritikuar kryeministrin Edi Rama, duke komentuar aktivitetet e zhvilluara në Kuç dhe Pogradec me qeverinë dhe PS.
Në konferencë me gazetarët Berisha tha se qeveria, ndërsa prej më shumë se tre muajsh zhvillohen protesta në Tiranë, ka zgjedhur të vijojë me “ahengjet qeveritare”.
Berisha akuzoi qeverinë se është shkëputur nga realiteti i qytetarëve dhe se aktivitetet e saj nuk adresojnë problemet kryesore të vendit.
“Java që kaloi u mbyll me shelegët e Kuçit dhe koranin e Pogradecit. Barkderrat e shtetit nuk kanë të ngopur. Në një kohë kur prej mbi 3 muajve protestohet në rrugët e Tiranës kundër një qeverie që nuk ka legjitimitet, protestohet kundër një qeveri armike në qëndrimet e saj ndaj qytetarëve, Edi Rama ka zgjedhur ahengjet qeveritare.
Duhet ta mësoni ju se, Kuçi ka shumë gjëra për të cilat është i njohur, por edhe për shelegët dhe gatimin e tyre. Dhe kjo ishte arsyeja e takimit në Kuç. Korani nuk ka nevojë për komente. Po cili ishte rezultati i këtyre takimeve? Mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime. Çfarë doli nga Pogradeci?
U mblodhën për të zgjidhur hallet e kombit. Çfarë solli si rezultat kjo mbledhje? Do më shkruante një mik i imi pensionist: dua ta falënderoj atë plakun që përqafoi Edi Ramën se na shpëtoi nga ulja e pensioneve. Çfarë solli? Çfarë dëgjuan nxënësit, mësuesit e këtij vendi për vitin e ri shkollor? Çfarë dëgjuan të sëmurët e Shqipërisë për shëndetin e tyre?
Çfarë dëgjuan mbi 30% e shqiptarëve, që janë në rrezik për kafshatën e gojës, janë të kërcënuar nga uria sipas të dhënave të fundit të FAO-s? Dëgjuan se do merremi me ushqimin.
Çfarë dëgjuan qytetarët shqiptarë, që në Tiranë duhet të paguajnë qira më shumë se 2/3-tat e rrogës së tyre? Çfarë dëgjuan studentët, të cilët nisin vitin e ri shkollor në universitet në pamundësi për të paguar qiratë e larta, apo të rinjtë për të blerë një strehë familjare?
Pra, a mund të imagjinohet një shkëputje stratosferike e tillë, e cila shpreh një shkallë stratosferike inkriminimi të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, që kalojnë nga ahengu qeveritar në aheng tjetër qeveritar dhe bëjnë sikur në Shqipëri nuk ndodh asgjë”, tha Berisha.
Më tej Berisha tha se Rama nuk është legjitim për shkak të farsës elektorale dhe mbrojtjes që i ka bërë korrupsionit dhe vjedhjeve.
“Nuk është legjitim për shkak të farsës elektorale. Nuk është legjitim për shkak të mbrojtjes së korrupsionit dhe vjedhjeve që ka bërë. Nuk është legjitim për shkak të instalimit të narko-shtetit në Shqipëri dhe diktaturës autoritare. Nuk mund të ketë një fjalim të tij, në qoftë se, ose nuk fillon me hale, ose nuk mbyllet me hale. E ka të pamundur! Ky ka ngelur në fazën e kompleksit anal. Si mund ta shpjegoj ndryshe?
Sulmon me fjalë të tilla protestën, zërin e fuqishëm qytetar, të cilin po e dëgjon gjithë bota, por jo njeriu i paligjshëm”, deklaroi Berisha.