Sport
Botërori 2026/ SHBA-ja me dhjetë futbollistë mposht 2-0 Bosnje-Hercegovinën
Mëngjesin e kësaj të enjteje me kohën shqiptare, kombëtarja e SHBA-së fitoi 2-0 kundër Bosnje Hercegovinës duke siguruar një përballje me Belgjikën në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026. Hera e fundit që SHBA fitonte një ndeshje me eliminim direkt në Botëror, ishte në vitin 2002 kundër Meksikës, pra 24 vite më parë.
Në Santa Clara vendasit e Pochettinos ishin më kërkues që në fillimin e lojës. Pas 20 minutash Folarin Balogun e ndali sferën në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Balogun nuk u dorëzua dhe në minutën e fundit të pjesës së parë i dha epërsinë 1-0 SHBA-së.
Në minutën e 64-t, sërish Balogun do të bëhej protagonist, por këtë herë do të linte SHBA-në me dhjetë vetë në fushë pasi u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli serioz. Nga krahu i ballkanasve Edin Dzeko doli nga fusha i dëmtuar në minutën e 51-të duke i bërë vend Mahmic.
Edhe pse SHBA-ja ishte me një lojtar më pak në fushë, sërish vendasit u treguan më kërkues dhe gjetën golin e dytë në minutën e 82-të. Malik Tillman ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga pranë vijës së 16 metrave duke e ndalur sferën në rrjetë.
Me fitoren 2-0 SHBA-ja tanimë është zyrtarisht në raundin e 1/8-ave dhe më 7 korrik në orën 02:00 të mëngjesit me kohën shqiptare do të përballet kundër Belgjikës. Bosnje Hercegovina eliminohet.