✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Çfarë po ndodh? Tre persona raportohen të zhdukur, policia ngrihet ‘në këmbë’

Tre persona në juglindje të vendit raportohet se kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre. Sipas policisë të zhdukura janë raportuar 2 gra dhe një 65-vjeçar të cilët nuk kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin.

Rasti i parë është shënuar në fshatin Memëlisht, ku bashkëshorti ka kallëzuar në polici largimin nga banesa të gruas së tij 38-vjeçare.

“Më datë 16.11.2023, në Komisariatin e Policisë Pogradec, është paraqitur shtetasi N. H., 43 vjeç, banues në fshatin Memëlisht, Pogradec, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa bashkëshortja e tij, shtetasja A. H., 38 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj”, njofton policia.

Kallëzimi i dytë është regjistruar në policinë e Korçës, ku një 40-vjeçare, banuese në Skoci, ka denoncuar humbjen e kontakteve me të atin.

“Më datë 16.11.2023, në Komisariatin e Policisë Korçë, është paraqitur shtetasja M. T., 40 vjeçe, rezidente në Skoci, e cila ka kallëzuar se që prej muajit nëntor 2022, ka humbur kontaktet me babanë e saj, shtetasin  T. T., 65 vjeç, i cili jetonte i vetëm në banesë. Po punohet për gjetjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë që rasti i tretë u shënua në fshatin Vranisht të Devollit, ku një 52-vjeçare denoncoi largimin nga banesa të mamasë së saj 80-vjeçare.

“Më datë 16.11.2023, në Komisariatin e Policisë Devoll, është paraqitur shtetasja H. T., 52 vjeçe, banuese në fshatin Vranisht, Devoll, e cila ka kallëzuar se është larguar nga banesa nëna e saj, shtetasja Z. H., 80 vjeçe, banuese në fshatin Pilur, Devoll. Po punohet për gjetjen e saj”, nënvizon policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement