Politike
Diaspora mbërrin në Tiranë, autokolona e makinave me flamurin kuq e zi “pushtojnë” Kryeqytetin
Diaspora ka mbërritur në Tiranë, në mbështetje të protestës për largimin e kryeministrit Edi Rama. Shqiptarët nga vende të ndryshme të botës janë bërë bashkë për të qenë të pranishëm në tubimin kombëtar që pritet të nisë në Kryeqytet.
Shumë prej makinave mbajnë flamuj shqiptarë, në shenjë pjesëmarrjeje dhe mbështetjeje për protestën qytetare, e cila prej 35 ditësh zhvillohet me kërkesën për dorëheqjen e Ramës. Protesta pritet të nisë në orën 19:00, ku fillimisht qytetarët do të mblidhen në sheshin “Skëndërbej” dhe më pas do të marshojnë drejt kryeministrisë, aty ku pritet të mbajnë dhe fjalime.
Autokolonat janë nisur që nga dita e djeshme ndërsa policia ka deklaruar se çdo shtetas shqiptar që do të hyjë në territor këto ditë do t’i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm. Kjo është parë si përpjekje që diaspora të mos jetë pjesë e protestës në Tiranë.
Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në atë që cilësohet si protesta e 35-t radhazi.