Kosova
“Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën”/ BE-ja dënon deklaratën e ministres serbe
Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.
Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.
Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.