Connect with us

Aktualitet

“Doni dru? Ta kish mbyll kafsha”/ Zbardhen bisedat : Pronari jon Lali Eri…

Mariglen Qato, ish drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe Redi Molla, ish-drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë u arrestuan disa ditë më parë me urdhër të SPAK.

Këta të fundit në periudhën kur morën këto poste, themeluan kompaninë që sot mban emrin ‘5D Konstruksion’, ku ata ishin pronarë të fshehur, shoqëri tregtare që e ushqenin po vetë me tendera.

Emisioni “Në shënjestër” ditën e sotme ka trajtuar pikërisht këto arrestime të bujshme.

Pjesë nga dokumentari

Mariglen Qato dhe Redi Molla merreshin direkt edhe me punësimin apo shkarkimin e punonjësve të kompanisë. Kjo pozitë e tyre në kompani pohohet edhe nga një bisedë ku Nestor Muhametllari, administratori i shoqërisë, kur vinte puna për largime nga kompania, gjithmonë i referohej Mariglenit ose Redit. Biseda e mëposhtme e ilustron këtë situatë.

26 Korrik 2021

Tauland Cjapi i shkruan Nestor Muhametllarit.

Taulandi: Sot mora vesh qe të kanë thënë që hiqe Landin nga puna, dhe ju po më lini fëmijën pa bukë‘

Nestori: ‘O Land unë ty as të kam sjellë, as të kam hequr… Vendimi për ty më ka ardhur’.

Taulandi: ‘Ti i kishe thënë Merit që Landi s’bën asgjë. Kështu më tha në telefon. Ndërkohë që unë për kokë të çunit të kam kërku punë përditë’.

Por Nestor Muhametllari dhe Mariglen Qato kanë komunikuar me njëri-tjetrin edhe nëpërmjet një telefoni tjetër që administratori i kompanisë ‘5D Konstruksion’ kishte në përdorim. Ai i dërgon Qatos një dokument lidhur me një aplikim. Po kështu, Muhametllari ka komunikime edhe me Redi Mollën, pas një tenderi që kompania ‘5D Konstruksion’ ka fituar.

Hetimet

Nestor Muhametllari ka pasur komunikime me shtetasin Mariglen Qato, të regjistruar me emrin ‘Meri Qato’. Ku në një nga bisedat i dërgon edhe një dokument që e përshkruan si ‘aplikimi për në Yzberisht’.

Nestori ka komunikime edhe me shtetasin Redi Molla, ku bisedojnë për t’u takuar. Ata flasin për një procedurë prokurimi që ka për objekt kryerjen e punimeve në vendin e quajtur ‘Liqeni i Thatë’, e cila është fituar nga shoqëria ‘5D Konstruksion’ sh.p.k.

Megjithatë ajo që ka përbërë rëndësi për grupin hetues, është ‘Ortaku 1’ dhe Ortaku 2. Në shënimet e tij Nestor Muhametllari, i referohet Mariglen Qatos dhe Redi Mollës.

Hetimet

Në kompjuterin e përdorur nga ekonomistja Jonida H, u gjet një e-mail i datës 3 Maj 2017, në drejtim të adresës elektronike [email protected].

Ku në dokumentin ‘Ditari total’  për periudhën nga data 1 Janar 2019-31 Dhjetor 2019, janë pasqyruar me hollësi pagesat dhe arkëtimet e shoqërisë. Nga ku rezulton se ‘Ortaku 1’ ose ndryshe O1, është i njëjtë me personin me inicialin (R), që është shtetasi Redi Molla. Kurse ‘Ortaku 2’ ose ndryshe O2, është i njëjtë me personin me inicialin (M) që është shtetasi Mariglen Qato.

Jonida H. ka një komunikim të vazhdueshëm me shtetasit Mariglen Qato dhe Redi Molla, çka provon faktin se këta të dy janë pronarët faktikë të kësaj shoqërie tregtare.

Shefja e Financës i shkruan personit me emrin Redi:

‘Ta dish që po shmangem totalisht nga funksionet në këtë kompani, përderisa Nestori e bën, e ke autorizuar ti. Ok vazhdoni kështu po nga mua mos kërko më asnjë info’.

‘Redi’ i përgjigjet: ‘Mendoj qe je duke e ekzagjeruar pak. Info sigurisht që do vazhdosh të më japësh. Se kjo që thua ska kuptim’.

9 Janar 2023

Jonida H. komunikon me Mariglen Qaton.

‘Nuk e di pse ishte ky mesazh gjithsesi të falenderoj për sugjerimin.

Unë mendoj që nuk duhet të nxitohesh në përfundime të tilla sepse për momentin e di që të kanë fryrë.’

Në një moment tjetër punonjësit flasin edhe për një inspektim nga ana e Tatimeve, ku siç del nga përgjimet inspektorët kishin parë diçka që nuk diuhet ta shikonin dhe për një përplasje të madhe midis administratorit dhe shefes së financës në kompaninë ‘5D Konstruksion’.

6 Janar 2023

Algert Çifliku komunikon me Jonën.

Jona: ‘Koleg, kam lajme, këtej nga zyra, plasi lufta, u grin Nestori me Jonidën.

Se ke idenë ça lufte po të them. Erdhën tatimet për kontroll në mëngjes. Pa na thënë asgjë…Duke prekur dhe hapur çdo gjë pa leje. Se çkapën ca gjëra që s’duhet t’i shifnin’.

Algert: ‘Do hanë vetë kokat’.

Jona: ‘U bë nami pzz… Të shikojmë si do vazhdojë seriali… Vetëm unë dhe ti ee.. Dhe po u përmend nga ata lart,.. Bëj sikur sdi gjë… Habitu’.

Në një tjetër bisedë Jona B., e cila punon në kompaninë ‘5D Konstruksion’ flet e shqetësuar edhe për urdhërin që asaj i është dhënë për t’u marrë me zgjedhjet e 14 Majit edhe pse ajo është punonjëse në një kompani private. Ky urdhër vjen pasi pronari i saj i vërtetë, është drejtor në Bashki dhe ka nevojë për vota.

Bisedat

Në biseda Jona B. flet për pronarët e shoqërisë dhe aktivitetin e kompanisë.

Më datë 7 Prill 2023 ajo i shkruan një personi: ‘Kanë marrë shefin tim nga njësia e Laprakës duke ditur që pronari është i shtetit dhe i kanë thënë thuaj Jonës të angazhohet me zgjedhjet…

Uaaa u habita.

Ça veni imagjino. Me u marr me ty edhe nëse punon në privat……

Me bo 1 buzë shtremët si puna këtij pronarit tim….Pfff….Tu më thënë ky drejtori bashkisë…..’

Më datë 6 Janar 2023, Jona B. i dërgon bashkëbiseduesit një foto ku duket një objekt.

Jona: ‘Këtë hotelin po e bëjmë ne.

Ështe aks, pronari jon Lali Eri’….

Jona: Dhe unë marr vetëm 600 mijë lekë të qelbta’

SPAK ka pretendimet e veta se zyrtarët e bashkisë, të vënë tashmë në pranga, në kundërshtim të hapur me ligjin, i kanë dhënë tendera të shumtë kompanisë së tyre, pavarësisht nëse i plotësonte kriteret apo jo. Pas kompanisë ‘5D Konstruksion’, ku qendronin Mariglen Qato dhe Redi Molla, është hetuar një sërë procedurash prokurimi të zhvilluara nga Autoriteti Kontraktor ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a., autoritet në të cilin Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë mbajtur pozicionet drejtuese.

Hetimet

Shoqëria ‘5D Konstruksion’ sh.p.k ka marrë pjesë në disa procedura prokurimi të shpallura nga autoriteti kontraktor ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, ku edhe është shpallur fituese dhe ka lidhur kontrata për punë/shërbime publike.

Në kohën që kjo shoqëri ka marrë pjesë në disa prej këtyre procedurave dhe është shpallur fituese, Redi Molla ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ndërsa Mariglen Qato ka pasur cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Po kështu, hetimi zbuloi edhe lidhjet e anëtarëve të komisioneve vlerësuese me Redi Mollën dhe Mariglen Qaton, nga ku dilte shpesh që punonjësit e kompanisë ‘5D Konstruksion’ mbanin kontakte me anëtarët e Komisioneve Vlerësuese të Ofertave dhe i dorëzonin dokumentet jashtë afatit ligjor. Ndërsa kompania shpallej fituese, edhe pse nuk plotësonte kriteret ligjore dhe në kushte të tillë duhet të skualifikohej.

Një nga këto komunikime është edhe ai midis drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës dhe Nestor Muhametllarit, për ndërtimin e një shkolle, ku Taulant Tusha, sipas SPAK, është në dijeni se pronari i vërtetë i kompanisë nuk është Muhametllari, por Qato dhe Molla.

 Taulant Tusha i ka dërguar personit tjetër një folder ku përmendet emri ‘Hasan Vogli’.

Taulant Tusha: Nuk e kuptoj pse nxitohen…… Thuaj Nestorit fol me Anjezën për projektin.

Lidhur mbi bisedën e mësipërme, nga hetimet ka rezultuar se Bashkia Tiranë ka realizuar procedurën e prokurimit me objekt ‘Rindërtimi i 8 objekteve arsimore në Bashkinë Tiranë-Ndërtim i shkollës Hasan Vogli’, e cila është zhvilluar më datë 10 Gusht 2020 dhe kontrata është lidhur më datë 30 Shtator 2020.

Personat që përmenden në këtë bisedë janë shtetasi Nestor Muhametllari, ortak dhe administrator i shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.pk, si dhe shtetaset Anjeza Çallpati dhe Ilda Qazimllari, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Punëve Publike pranë Bashkisë Tiranë.

Komunikimi i mësipërm dëshmon faktin se shtetasi Taulant Tusha, i cili ka patur cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe cilësinë e anëtarit të KVO-së. ka pasur komunikime me bashkëbiseduesin e mësipërm i cili është një person që ‘urdhëron’ dhe ‘udhëzon’ shtetasin Nestor Muhametllari për mënyrën se si duhet të veprojë për punët e shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k. ku vetë ku i fundit është administrator i shoqërisë.

Një tjetër bisedë po kaq interesante është edhe ajo midis Nestor Muhametllarit dhe Manjola Bungurit, për projektin ‘Tirana Parking’, ku kjo e fundit kujdeset që të gjejë mangësi konkurrentit të mbetur në garë të kompanisë ‘5D Konstruksion’ dhe shpreh kënaqësinë e saj që më në fund i ka gjetur shumë të tilla. Ajo që është edhe më interesante është fakti se Manjola Bunguri është punonjëse në kompaninë ‘5D Konstruksion’ dhe si e tillë ka përgatitur edhe letrat për skualifikimin e kompanive të tjera në garë, duke kryer kësisoj rolin që duhet të bënte komisioni i vlerësimit të ofertave.

Bisedat / 23 Shtator 2019

Nestori: ‘Manjola nga ajo lista që më dërgove ti nga ‘Tirana Parking’, vetëm Ndregjoni dhe Turja kanë ngelur se të tjerët kishin ngatërruar ofertën……

Këto duhen pa, kur ta kesh mundësinë ti…

Manjola: ‘Nestor, Ndregjonit i gjeta plot mangësi. Se këtë kisha merak’.

Nestori: ‘Aa shumë mirë.. Shyqyr se atë kisha merak’.

24 Shtator 2019.

Nestor Muhametllari bisedon me Eglantina Zëre, Drejtore e ‘Tirana Parking’.

Eglantina: ‘Çbën mo… Do e mbyllim apo doni dru’.

30 Shtator 2019.

Nestori: ‘Të vazhdoj Kiço?Ta mbyllë?’.

Eglantina: ‘Ta kish mbyll që të premten kafsha, urgjent’.

28 Tetor 2019

Eglantina: ‘Është hedhur njoftimi për fituesit lal’

30 Tetor 2019.

Eglantina i shkruan Nestorit.

‘Ecim tani, ta gëzosh’

Nestori: ‘Thank you ‘Jeni të paparë’.

Nga hetimi rezulton se vlerësimin e ofertave nuk e kanë bërë anëtarët e KVO-së, por Manjola Bunguri, punonjëse në shoqërinë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k.

Një tjetër tender i përfituar nga kompania ‘5D Konstruksion’ në kohën kur kjo shoqëri mbante emërtimin ‘VAS Construksion’ është ajo në lidhje me procedurën e prokurimit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv ‘Tirana’, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, me objekt ‘Rikonstruksion Palestra e Mundjes’.

Hetimet

Në kontekstin e zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, nga të dhënat e marra gjatë hetimit paraprak, janë gjetur dhe siguruar komunikime midis shtetasit  Nestor Muhametllari (administrator i operatorit fitues ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k) dhe shtetases Deborah Keçi (titullare e Autoritetit Kontraktor). Nga të cilat rezultojnë të dhëna të cilat mbështesin faktin se operatori ekonomik ‘VAS Konstruksion sh.p.k është favorizuar në mënyrë të padrejtë në këtë procedurë prokurimi.

30 Tetor 2020

Deborah: ‘Nestor, prapë s’më solle njeri sot’.

31 Tetor 2020.

Nestori: ‘Debora… Preventivin ta kemi dërguar ..E ke gati’.

2 Nëntor 2020.

Deborah Keçi i shkruan Nestorit.

‘Do t’i bëjmë bashkë?… Se jam në time limits për ta hedhur… Se më digjet si fond’.

Nestori: ‘Do përpiqemi ti bëjmë…

1 Dhjetor 2020.

Nestori: ‘Duhet të më dërgosh kodet e 3 anëtarëve të KVO-së’.

Deborah: ‘Do e bëni ju vlerësimin tani?’,

Nestor: ‘Po po, patjetër… nesër’.

7 Dhjetor 2020.

Deborah: ‘Vetëm aman shikojini tamam se mos hamë nai burg’.

Nestor: ‘Do i them juristes ta shofi nesër. Ti do dalësh nesër apo je pushim?’.

Deborah: ‘Edhe dal… Te ishim takuar ti shikonim pak… Me kujdes se kam pak frikë’.

9 Dhjetor 2020.

Nestor: ‘E mbylli Debora’.

Deborah: ‘Hajt për hajër… Më dilni për zot tani’.

Sipas SPAK, Deborah Keçi në cilësinë e drejtueses së ‘Klubit Sportiv Tirana’, është dakordësuar për fituesin që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura. Ndërsa Nestor Muhametllari dhe punonjësit e tjerë të shoqërisë ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k. kanë përgatitur preventivin e punimeve, duke pasur userat dhe fjalëkalimet e anëtarëve të KVO-së, dhe kanë kryer vetë vlerësimin e ofertave dhe dokumenteve të depozituara nga operatorët e tjerë ekonomikë. Ndërkohë, Mariglen Qato dhe Redi Molla kanë fshehur në deklaratën e tyre të pasurisë faktin që indirekt kanë qenë pronarë të kompanisë ‘5D Konstruksion’.

Hetimet

Nga data 6 Shtator 2023 dhe në vazhdim rezulton se Mariglen Qato ushtron funksionin e administratorit të shoqërisë  ‘Tirana DC’ sh.a, shoqëri aksionare 100 % në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Për shkak të këtij funksioni Qato është subjekt i deklarimit të pasurisë dhe ka depozituar pranë I.L.D.K.P.I-së deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës, të dorëzuar më datë 5 Tetor 2023. Nga ku del se ka fshehur faktin se ka në zotërim të tërthortë shoqërinë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k,

Po kështu del se Redi Molla dhe Mariglen Qato janë pronarët ‘de facto’ të shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k, nga momenti i themelimit të saj dhe në vazhdim. Duke e drejtuar dhe kontrolluar atë dhe marrë vendime për veprimtarinë e shoqërisë tregtare si dhe duke marrë përfitime financiare nga aktiviteti tregtar i shoqërisë.

SPAK ka provuar po kështu edhe miqësinë e hershme midis Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, e cila më pas ka shërbyer që të dy të themelojnë kompaninë ‘5D Konstruksion’, të cilën më tej ata e ushqyen me tendera, gjatë kohës që ishin drejtues në Bashkinë e Tiranës.

Hetimet

Në periudhën nga muaji gusht 2015 deri në muajin shkurt 2016, Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë punuar së bashku në  të njëjtin institucion, në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik.

Më 24 Shkurt 2016, Molla është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a. ndërsa Mariglen Qato më datë 16 Mars 2016 është emëruar Drejtor í Departamentit Mbështetës në shoqërinë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a.

Gjatë kohës që Redi Molla ka ushtruar finksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, shoqëria tregtare ‘Igor Elektrik’ sh.p.k ose ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k ka marrë pjesë dhe ka fituar 7 procedura prokurimi.

Roli i drejtorit Redi Mollë në fitimin e këtyre tenderave që po i kalonin kompanisë së themeluar nga ai në bashkëpunim me Mariglen Qaton, duket se ka qenë edhe më i drejtëpërdrejt. Kjo po të kihet parasysh se Molla kishte edhe tagrin të zgjidhte anëtarët e komisioneve vlerësuese të ofertave.

Hetimet

Në këto prokurime Redi Molla ka patur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, si dhe ka qenë personi që ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, përbërjen e njësisë, si edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Ku ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes me shoqërinë ‘Igor Elektrik’ sh.p.k ose ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k, si edhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor.

Po kështu gjatë kohës që Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, në 4 procedura prokurimi në të cilat është shpallur fitues shoqëria ‘Igor Elektrik’ sh.p.k. ai ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i caktuar nga titullari, Redi Molla.

Gjatë kohës që Redi Molla ka ushtruar funksionet e tij si zyrtar publik në Bashkinë e Tiranës, ai ka përfituar nga qeveria edhe dhënien e një statusi special, atë të ndërtimit të një hoteli me 5 yje në Durrës, nga kompania ‘Mediterranean Investment Group’ që u themelua në shtator të vitit 2020.

Një prej aksionerëve me 24 % të kapitalit ishte Selim Molla, babai i Redi Mollës, i cili para se të ndahej nga jeta ia kaloi aksionet të birit. Më 1 Mars 2024, Redi Molla mori 100 përqind të kapitaleve të kompanisë, për një afat 5 vjeçar.

Aktualitet

Strategjia e përbashkët e Veliajt me kryeministrin është një kurth për opozitën

Analisti Lorenc Vangjeli sheh Erion Veliaj si fitues në sytë e Opinionit public në përballjen e tij me Berishën dhe Metën. Duke folur në emisionin “Opinion”, Vangjeli tha se strategjia e Veliajt është një kurth i përbashkët mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, për ta tërhequr kundërshtarin e tyre politik dhe atje ku ata zakonisht fitojnë.

“Qëllimi i zotit Veliaj ishte befasues. Nisur nga ajo që pamë ai ka bërë atë që duhej për mbështetësit e tij dhe për të nisur luftën politike nga dyert e SPAK. Strategjia e tij është një kurth i përbashkët mes kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, për ta tërhequr kundërshtarin e tyre politik dhe atje ku ata zakonisht fitojnë. I gjithë thelbi i kësaj strategjie qëndron tek e bëra e kontrastit mes gjuhës së Berishës dhe Metës për SPAK dhe gjuhës së Veliajt duke i quajtur kolegë dhe bashkëpunues. Duke i thënë publikut atë që do të dëgjojë, Erion Veliaj fiton betejën me publikun…. Të gjithë ata që ai sulmon, përfshi edhe kolegët tanë, njerëzit do thoshin – “He mo se edhe këta njësoj janë”. Dhe kjo është një gjetje inteligjente. Ka zgjedhur që në këtë mënyrë të bëjë numrin 2 të PS dhe të bëjë gardhin e mbrojtjes për PS dhe për Edi Ramën”, deklaroi Vangjeli.

 

Continue Reading

Aktualitet

Kronikë e një arrestimi të paralajmëruar

Nga Lutfi Dervishi

Në ditën kur supozohej ta arrestonin, ai u zgjua në orën 5:30 të mëngjesit dhe bëri një vrap të lehtë në të njëjtën shteg të parkut të liqenit ku kishte nisur prej javësh ushtrimet fizike, veçse atë ditë ajri dukej më i ngarkuar, a thua se ishte mbushur me pëshpëritje e thashetheme për një ngarje të madhe që pritej të ndodhte.

Për javë e muaj me radhë, që nga gushti i vitit të shkuar, kryeqyteti nuk ishte bllokuar nga trafiku, por nga parashikimet e analistëve, gazetarëve dhe komentatorëve politikë, të cilët paralajmëronin me një siguri profetike dhe kënaqësi që nuk e fshihnin dot se Ai, një politikan jo pa ndikim, do të arrestohej së shpejti.

Një tufë të ftuarish dhe tuafësh televizivë nën regjinë e moderatorëve gjithnjë të habitur, flisnin sikur të kishin qenë prapa kurrizit të gjykatësit që kishte firmosur urdhërin e arrestit. Detajet shkonin deri aty sa jepej jo vetëm ora, dhe vendi, por edhe se si do të ndodhte arrestimi.

Kafetë, që zakonisht gumëzhinin nga zhurma e ekspresit ishin shndërruar në falltore. Kokat e klientëve lëviznin sa nga filxhanet e kafeve te ekranet e mëdhenj duke, pritur me stoicizëm rënien e njeriut që kishte ecur në korridoret e pushtetit për 30 vjet me lehtësinë e dikujt që besonte se ishte i paprekshëm. “Durim a derëzi. Është vetëm çështje kohe,” “Akuzat mund të jenë të dobta, por provat janë shumë të forta”..

Gazetat, që në këtë vend historikisht kanë thënë vetëm të vërtetën, edhe të shtunen dolën me tituj të mëdhenj për arrestimin. Drejtuesit e emisioneve të mengjesit lexonin titujt si skenat përfundimtare të një drame politike që pritej të ndodhte orë e çast. Titujt që lexoheshin nga televizionet në mëngjes i referoheshin bisedave të darkës në ekran ku shkëlqenin fytyrat serioze të analistëve që analizonin çdo lëvizje të kaluar të Atij si të ishte një gjurmë që zberthente enigmën që do të çonte në fundin e tij të pashmangshëm.

Por në rrugë, jeta vazhdonte me ritmin e saj të zakonshëm. Leku, monedha vendase kishte shtrirë përtokë dhe po i merrte frymën euros dhe dollarit. 30 mijë profesionistë të lirë po lexonin faturat e Tatimeve per fitimin e 2024. Paradhenie! Qeveria vijonte me numërimin e turisteve që vinin nga vendet e BE-se, ndërsa Eurostat numëronte shqiptarët që kërkonin azil në BE!

Dita zgjatej çdo ditë me minuta në kurriz të natës, ndërsa entuziazmi i mëngjesit zbehej nën peshën e diellit të pasdites. Por me rënien muzgut, rritej siguria e babavangave të banaqeve televizive.

Ndërkohë ai e mbylli ditën e ngjeshur me aktivitete fizike dhe postime në Facebook. Në orët e vona u pa në një kafe në qendër të Tiranës, duke qeshur me zë të lartë mbi një filxhan makiato. Njerëzit rreth e rrotull kishin porositur kafe turke, në një përpjekje për të lexuar fatin e tij.

Mbrëmja erdhi dhe shkoi, dhe asnjë sirenë nuk u dëgjua, përveç sirenave të ambulancave që pas djegies së urgjencës silleshin të çoroditura sa nga një spital në tjetrin. Drama nuk ndodhi.

Gazetarët e kronikës që prisnin me minuta ngjarjen e madhe befas u qetësuan si pëllumbat që çukisnin copa buke në sheshin e para Universitetit. Diçka nuk shkonte mire me burimet. Spektakli i pritur nuk ndodhi.

Ndërsa nata zbriti mbi Tiranë, një erë e freskët fëshfërinte përmes rrugëve, ndoshta si një ndjesë për stuhinë që kurrë nuk erdhi. Analistët nga istikamet e tyre në ekran i bënë thirrjen e radhës prokurorisë të mos luante me parashikimet e tyre, ndryshe do të përballeshin me zemërimin popullor.

Po afroheshin Pashkët dhe vendi (bashkë me njerëzit) e meritonte një shi (dush) të mirë.

Continue Reading

Aktualitet

Rënia e euros/ Këmbehet me 100 lekë, goditja më e madhe që nga korriku i vitit të kaluar

Që nga data 23 prill, 1 euro po këmbehet mesatarisht në nivelin e 100 lekëve. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha evropiane është në pikën më të ulët në historikun e këmbimit që nga korriku i vitit të kaluar, atëherë kur ishte edhe piku i sezonit turistik.

Në atë periudhë Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg duke rritur kufirin e blerjes së eurove si pjesë e operacioneve për të mbushur rezervat e saj valutore. Kjo solli menjëherë vlerësimin e së monedhës evropiane.

Por, pavarësisht faktit se Banka e Shqipërisë vendosi sërish ta mbajë të lartë kufirin e blerjes së monedhës evropiane gjatë këtij viti në 250 – 330 milionë euro, monedha kombëtare po shkon drejt thyerjes së barrierës psikologjike, ku 100 lek do të kushtojnë më shumë se 1 euro. Kjo po ndodh prej kohësh me dollarin, që vijon uljen në mënyrë të ndjeshme, aktualisht duke u këmbyer me 0.93 lek.

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se leku i fortë ka ndihmuar në stabilizimin e inflacionit dhe çmimeve, duke marrë parasysh se dollari ndikon drejtpërdrejt tek çmimi i naftës dhe lëndëve të tjera të para, ndërsa euro tek importi i mallrave.

Në raportin e stabiliteti financiar për gjashtëmujorin e dytë Banka e Shqipërisë pranon se mbiçmimi i lekut është në përputhje të plotë me rritjen e konsiderueshme të prurjeve valutore nga turistët, ndërsa për herë të parë gjatë vitit të kaluar deficiti i llogarisë korrente ishte pozitiv; kjo do të thotë se më shumë euro mbetën në vend se dolën.

Ndërsa kjo po vijon edhe në tremujorin e parë të këtij viti ku më shumë se 1.5 milion turistë kanë ardhur në vend, me sezonalitetin e turizmi të shtrirë gjatë gjithë vitit.

Continue Reading

Aktualitet

VIDEO/ Mbetën të bllokuar në det, shpëtohen 11 turistë në Vlorë

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare kanë shpëtuar 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare shpëtojnë 12 shtetas, nga të cilët 11 turistë nga vende të ndryshme, të cilëve ju rrezikohej jeta në mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në det.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 000 lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me Certifikatën e Operatorit Turistik Detar.

Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motor.

Continue Reading

Aktualitet

VIDEO/ Momentet e fundit të dy viktimave në Kurbin, zetori rrokulliset dhe…

Pamjet e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur në 10 Prill në Fushë-Kuqe të Kurbinit janë publikuar duke shfaqur momentet e fundit të dy personave që mbetën të vrarë pas incidentit.

Siç duket edhe në video, zetori me të cilin udhëtonin 60-vjeçari Ismajl Ismaili dhe 21-vjeçari Gjin Muhaj, të dy banues në Mirditë, përmbyset dhe bie në kanal.

Nuk është e qartë se përse zetori ku ndodheshin dy viktimat është përmbysur duke sjellë edhe vdekjen e tyre, por dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin për një moment.

 

 

Të dy ishin nisur për të punuar tokën e 60-vjeçarit, i cili kishte punësuar të riun, por të dy humbën jetën pasi nuk kanë arritur të shpëtojnë pasi zetori i ka zënë poshtë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING