Politike
Dumani nxit qytetarët të denoncojnë korrupsionin: Nuk kërkojmë dokument identifikimi!
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur për denoncimet anonime, ku tha se në faqen e SPAK marrin denoncime çdo ditë, nga persona të cilët ruajnë anonimatin.
Dumani, teksa nxiti qytetarët të denoncojnë korrupsionin, tha se nuk u kërkohet dokument identifikimi.
“Do ta vlerësoja mirë. Unë e përmenda pak numrin e referimeve, kallëzimeve nga të gjitha agjencitë me të cilat bashkëpunojmë. Ka shumë për të bërë më mirë sa i takon bashkëpunimit me Policinë e Shtetit apo institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit. Nuk kemi qenë asnjëherë të nguruar, por të hapur për të bashkëpunuar, por është fakt që numri i referimeve vazhdon të ngelet i vogël në vlerësimin e SPAK.
Sa i takon denoncimeve anonime, në faqen e SPAK marrim denoncime çdo ditë, nga persona të cilët ruajnë anonimatin. Nuk i kërkojmë domosdoshmërish denoncuesit dokument identifikimi dhe ai ngelet anonim. Mund të jap ndonjë emër që mund të mos ketë të bëjë me emrin që fshihet pas denoncimit. Ekziston kjo mundësi që të bësh denoncime anonime përmes faqes online, krahas asaj që vijnë më shkresa.“-tha Dumani te Komisioni i Ligjeve.