Aktualitet
EDITORIAL | Pa Perëndimin, Kosova do jetë e zymtë, dekurajuese & me dilema – Shkrim nga Hashim Thaçi
Pas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, brenda dhomave të paraburgimit, gjatë një interviste për Nacionale, ka folur për veten, familjen, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, për domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos qëndrojë në një gjendje të vazhdueshme krizash të njëpasnjëshme, si dhe për nevojën e përmbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë – në njohje të ndërsjellë. Ai tha se duhet të hiqet dorë nga marrja për së tepërmi me të kaluarën, dhe “të mos rrezikohet apo humbet e ardhmja”. “Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik – tha ai – janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale” “Çdo krizë e vonon shumë Kosovën, por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, si dhe në afirmimin e saj ndërkombëtar. Përkrahja nga Perendimi nuk duhet të merren si i mirëqenë. Atë gjithmonë duhet ta meritosh.Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar” – deklaroi Thaci duke theksuar gjithashtu se pa mbeshtetjen ndërkombëtare, “Kosova do ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare pa investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur, dhe një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson”. Ish-Presidenti tha se Kosovën që ai e beson është një Kosovë që është në NATO, në BE, “dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në”. “Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së. Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni. Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova”, tha ish-Presidenti në intervistë me Nacionalen.