Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Vjosa Osmani do shuhet si histori turpi – Shkrim nga Baton Haxhiu

Vjosa Osmani deklaroi se paralajmërimi i Presidentit Macron për pasojat e mundshme në rast të dështimit të zbatimit të ujdisë mes Kosovës e Shqipërisë është një mënyrë për ta vrarë vetë dialogun. Kjo është një deklaratë jo thjesht e pamatur, por realisht e tmerrshme nga kreu i shtetit të Kosovës. Në krye të herës, Osmani e vendos veten në një pozitë jo vetëm që i ligjëron Presidentit Macron për çështjet e Ballkanit Perëndimor, por flet me tone kërcënuese nga pozita e një shteti me një grumbull të pamatshëm problemesh pikërisht ndaj Francës, një prej vendeve lider të BE-se, një shteti me ulëse permanente në Këshillin e Sigurimit, një force nukleare dhe ndaj një fuqie botërore ndikimi i së cilës është vendimtar nga Afrika deri te lufta në Ukrainë. Pra, pasioni megaloman I Vjosa Osmanit, që buron nga psikologjia e një fëmije të llastuar, është ana më e lehtë e çështjes krahasuar me pasojat e mundshme diplomatike e politike të kësaj qasjeje në rrafsh ndërkombëtar. Në radhë të dytë, Presidenti Macron nuk ka kërkuar asgjë më tepër se zbatimin e një marrëveshje që vetë Osmani e Kurti e kanë duartrokitur me entuziazëm të papërmbajtur. Po cfarë ka ndodhur tani që Vjosa Osmanit i duket vetja në pozitë ta qortojë Presidentin e Francës ashtu siç iu bërtet vartësve të saj në Presidencë nga Shefi i Kabinetit e më poshtë në momentet e humbjes së shpeshtë të kontrollit mendor, pasi në përplasjen me Macron, Kosova do të jetë bartësja e vetme e pasojave politike të kësaj sjelljeje aventuriere. Vjosa Osmani nuk ka bërë vetëm një dëm monumental në politikën e jashtme. Në fakt, ajo i rrëzoi edhe arsyetimin kryesor të Albin Kurtit se ai është duke e vazhduar dialogun si një e keqe e domosdoshme. Sipas Vjosa Osmanit, tërheqja është një opsion rezervë i Kosovës në rast të përshkallëzimit të masave të BE-së ndaj saj. Në mendjen e saj të ngushte, mund të duket se me këtë deklaratë ajo ka paralajmëruar përmbysje të paradigmave të politikës ndërkombëtare. Që kjo nuk është e vërtetë, s’do mend, por studim kërkon sjellja e dyfishtë e Osmanit e Kurtit në politikën e brendshme përkundër asaj të jashtme. Metafora e ‘pulës dhe skifterit’ e përdorur nga Albin Kurti për të përshkruar sjelljen kryelartë të krerëve shtetërorë në rrafshin ndërkombëtar dhe atë të përulur në fushën e politikës së brendshme, pa dyshim se është palidhje (pothuajse si çdo shprehje simbolike që shkakton vetë-magjepsje të pafundme në brendinë e tij, nga kafeja pa kupë, qerrja pa kalë, ngrënia e makaronave spageti me lugë) etj etj Në universin paralel të ndjekësve të tij të verbër, kjo quhet filozofi. Mirëpo në botën reale të politik-bërësve të përgjegjshëm të Kosovës, personaliteti i dyfishtë i Vjosa Osmanit, një fytyrë tjetër jashtë e një fytyrë tjetër brenda, ka sfiduar edhe kufijtë më fundorë të metaforave pa lidhje të Kurtit, me pula e skiftera, me zogj dhe shota, me zvarranikë të pështirë që ëndërrojnë se janë luanë të patrembur. Vjosa Osmani që nga dita e parë në zyrë është sjellë si një shërbëtore e Albin Kurtit. Në asnjë hap të vetëm në dialog, i cili shkoi thellësisht keq duke përfunduar pa njohje, për shkak të veprimeve të Albin Kurtit, ajo nuk e ka ushtruar asnjëherë funksionin e përfaqësueses së unitetit të popullit, por ka treguar se është zëdhënëss e dobët e Albin Kurtit në çdo gafë në dialog: nga sulmi për njëanshmërine e Borell-it, deri te gënjeshtra për versione të tmerrshme të cilat i paska shmangur Kosova në Ohër në funksion të shitjes se planit franko-gjerman deri te arsyetimi i shefit të saj për një sërë veprimesh që e vunë Kosovën nën sanksione ndërkombëtare. Presidentja Osmani ka bërë atë që di të bëj më mire – rolin e shërbëtores dinake. Sidoqoftë, ajo është e vetëdijshme që pabesitë e saj kanë kufij.

Advertisement