Ekonomi
Eksportuesit letër Denaj: Sipërmarrjet me keq se në ’97-n, të falen gjobat e gjeneruara nga marsi
Në një letër drejtuar ministres të Financave, Anila Denaj dhe ministrit për Sipërmarrjen, Eduard Shalsi shoqata e fasonëve ngre shqetësimin se është absurde të kërkohen në këtë periudhë krize gjobat dhe kamatëvonesat e gjeneruara automatikisht nga sistemi në muajin marsi. Sipas tyre po kërkohet pagesa për gjobat nga drejtoritë rajonale tatimore, drejtoritë vendore të taksave, administrata doganore dhe OSHEE.
“Nga informacionet që kemi, mbledhja e gjobave, kamatëvonesave dhe interesave të tjera të gjeneruara automatikisht nga sistemi tatimor për vitin 2020 nuk po realizohet në asnjë nga vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, sikurse as edhe në Itali.
Gjykojmë se është veprim krejtësisht i pavend, që në kohë lufte, të sillemi si në një periudhë normale me sipërmarrjet e vendit, të cilat po kalojnë periudhën më të vështirë që nga Marsi i vitit 1997 dhe janë në përpjekje për mbijetesë”, thuhet në letër.
Pro-Eksport Albania kërkon që për shkak të krizës që po kalojnë bizneset nga Covid-19 qeveria të falë gjobat e gjeneruara automatikisht nga tatimet, si dhe të mos kryhen kontrollet e thelluara në sipërmarrje deri në momentin e përfundimit të pandemisë.
Letra e Shoqatës Pro-Eksport Albania:
Shoqata jonë “PEA” e gjykon të domosdoshme dhe urgjente të parashtrojë përpara Jush shqetësimin si vijon: Ju bëjmë me dije se Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Doganat, OSSHE dhe Drejtoritë e taksave vendore te Bashkive, po mbledhin gjobat dhe interesat e sistemit të gjeneruara nga Marsi 2020, pra në Periudhën e Pandemisë ose Vitin e Luftës, siç e cilëson me të drejtë Kryeministri.
Për ne dhe për pjesën dërrmuese të shoqatave të tjera të biznesit (mendimin e të cilave e kemi marrë) ky është një veprim absurd. Nga informacionet që kemi, mbledhja e gjobave, kamatëvonesave dhe interesave të tjera të gjeneruara automatikisht nga sistemi tatimor për vitin 2020 nuk po realizohet në asnjë nga vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, sikurse as edhe në Itali.
Gjykojmë se është veprim krejtësisht i pavend, që në kohë lufte, të sillemi si në një periudhë normale me sipërmarrjet e vendit, të cilat po kalojnë periudhën më të vështirë që nga Marsi i vitit 1997 dhe janë në përpjekje për mbijetesë.
Të lihet një hapësirë kohore, mbas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme të pandemisë, që bizneset të rimarrin aktivitetin në pikën ku ishin.
Mbi këtë bazë, Ju propozojmë:
Faljen e të gjitha gjobave, kamatëvonesave dhe interesave të gjeneruara automatikisht nga sistemet për të gjithë Periudhën e Pandemisë, e cila po vijon, deri në shpalljen nga Qeveria të mbarimit të Periudhës së Emergjencës.
Mos-kryerjen e kontrolleve të thelluara pranë sipërmarrjeve, derisa Ministria e Shëndetësisë të deklarojë Mbarimin e Pandemisë.
Monitor/