Connect with us

Aktualitet

EUROSTAT: Të rinjtë shqiptarë kanë të ardhurat më të ulëta në Europë

TIRANË– Ikja e të rinjve është kthyer në një problem vërtet shqetësues për vendin, duke ndikuar tregun e punës, konsumin dhe në afatin më të gjatë duke rrezikuar produktivitetin, mirëqenien ekonomike dhe sistemin e pensioneve. Të dhënat e Eurostat hedhin dritë mbi një nga arsyet e kësaj ikjeje: të ardhurat e ulëta. Sipas shifrave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, të rinjtë shqiptarë të grupmoshës 16-24 vjeç kanë të ardhurat e disponueshme më të ulëta, jo vetëm në Europë, por edhe në raport me shtetet e tjera të rajonit.

Eurostat ka publikuar treguesin e të ardhurave mediane të disponueshme që mat të ardhurat totale të një familjeje, pas taksave dhe zbritjeve të tjera, që janë në dispozicion për shpenzim ose kursim, pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes (të konvertuar në të rritur). Treguesi shprehet sipas standardeve të fuqisë blerëse për banor (PPS) dhe është i detajuar krahas totalit edhe sipas grupmoshave.

Për grupmoshën shqiptare 16-34 vjeç, të ardhurat mediane janë 4,226 PPS, nga 16,385, që është mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën grupmoshë, ose sa rreth 26% e mesatares europiane. Të konvertuara në monedhën kombëtare, sipas Eurostat, shifra e të ardhurave mediane vjetore për banor është 299 mijë lekë. (mediana nënkupton që gjysma e popullsisë ka të ardhura të disponueshme më të ulëta se 299 mijë lekë dhe gjysma më shumë). Ndërsa të ardhurat mesatare janë 346 mijë lekë, po sipas Eurostat.

Të rinjtë në rajon kanë më shumë të ardhura të disponueshme. Për Maqedoninë e Veriut, treguesi është 5,421 PPS, ose 28% më e lartë sesa në Shqipëri.

Në Serbi, të ardhurat e të rinjve të krahasueshme sipas fuqisë blerëse janë 6,410, ose 52% më të larta sesa të të rinjve shqiptarë. Në Mal të Zi, treguesi është 6,050 PPS, ose 43% më i lartë sesa grupmosha 16-24 vjeç në Shqipëri. Të dhënat e Eurostat për rajonin janë për vitin 2020, ndërsa mungojnë shifrat për Kosovën.

Sipas Eurostat, të ardhurat ekuivalente të disponueshme llogariten në tre hapa:
– mblidhen të gjitha të ardhurat monetare të marra nga çdo burim nga çdo anëtar i një familjeje; këto përfshijnë të ardhurat nga puna, investimet dhe përfitimet sociale, plus çdo të ardhur tjetër të familjes; tatimet dhe kontributet shoqërore që janë paguar, zbriten nga kjo shumë;
– për të pasqyruar ndryshimet në madhësinë dhe përbërjen e një familjeje, të ardhurat totale (neto) të familjes pjesëtohen me numrin e ‘të rriturve ekuivalent’, duke përdorur një shkallë standarde (ekuivalente): shkallën e modifikuar të OECD; kjo shkallë u jep një peshë të gjithë anëtarëve të familjes (dhe më pas i mbledh këto për të arritur në madhësinë e barabartë të familjes):
-1.0 për të rriturin e parë;
-0,5 për personin e dytë dhe secilin pasues të moshës 14 vjeç e lart;
-0.3 për çdo fëmijë të moshës nën 14 vjeç.

Së fundi, shifra që rezulton quhet e ardhura e disponueshme ekuivalente dhe i atribuohet në mënyrë të barabartë secilit anëtar të familjes.

Për Shqipërinë, treguesi është 4,385 PPS, që i referohet vitit 2020, nga rreth 18 mijë PPS që është për mesataren e Bashkimit Europian (për 2020-2021), ose sa 24.4% e mesatares europiane.

Aktualitet

Tensionohet situata para bashkisë së Tiranës, protestuesit heqin gardhin metalik dhe përplasen me policinë

Situata para bashkisë së Tiranës është tensionuar pasi protestuesit kanë hequr gardhin metalik, duke u përplasur fizikisht edhe me policinë.

Me thirrjet “poshtë diktatura”, protestuesit janë përleshur me forcat e rendit, të cilët kanë rrethuar godinën e bashkisë.

Për të shpërndarë protestuesit eshte hedhur edhe gaz lotsjellës.

Më herët këshilltarët e opozitës në bashkinë e Tiranës tentuan të çajnë kordonin e policisë me qëllim për të hyrë brenda ambienteve të bashkisë, por nuk janë lejuar.

Continue Reading

Aktualitet

Protesta e opozitës para bashkisë, një efektiv policie transportohet me ambulancë drejt spitalit

Një efektiv policie po transportohet me ambulancë në drejtim të spitalit për ndihmë mjekësore.

Polici ishte në shërbim gjatë protestës së opozitës që po zhvillohet para bashkisë së Tiranës.

Duke qenë se nuk u ndje mirë, efektivi ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë. Doktor Ilir Alimehmeti, pjesë e protestës, i ka dhënë ndihmën e parë.

Continue Reading

Aktualitet

Budina nga protesta: Janë një bandë mafiozësh, Veliaj e ka vendin në burg

Regjisori, Edmond Budina ka marrë pjesë në protestën e opozitës para bashkisë së Tiranës. Gjatë fjalës së tij Budina u shpreh se në bashki dhe në qeveri janë një bandë mafiozësh.

Ai më tej shtoi se koha e fjalëve ka mbaruar dhe se qeveritarët duhet që të largohen nga postet e tyre. Regjizori u shpreh se qytetarët do ta çojnë këtë kauzë përpara dhe se në dorë ka vezën të cilën do e hedhë drej bashkisë sepse sipas tij ata meritojnë gjithçka.

“Këta qeveritarë duhet të shporren. Koha e fjalëve ka mbaruar, duhet të ikin. Kjo është banda e mafiozëve. Duhet që të ikin, ne jemi këtu për fitore. Unë nuk bëj pjesë në asnjë pjesë shoqërie që bën keq. Ne jemi këtu kundër kësaj bande mafioze.

Policia e Shtetit t’i thërrasë mendjen, të jetë me qytetarët. Qytetarët do ta çojnë këtë kauzë përpara. Veliaj atje në burg e ke vendin në burg. Qytetarë të Tiranës, këtu është banda mafioze, e kam vezën e do ua hedh, meritojnë gjithçka,” tha ai.

Continue Reading

Aktualitet

FOTO/ Përshkallëzohet situata, hidhet molotov përpara bashkisë së Tiranës

Protestuesit që janë mbledhur para bashkisë së Tiranës kanë hedhur shishe me molotov drejt godinës së bashkisë. Siç shihet edhe në foto, molotovët shpërthyen në flakë para dyerve të Bashkisë dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të shuar zjarrin.

Protesta e Rithemelimit dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ka nisur në orën 16:30 pranë Bashkisë së Tiranës kur dhe është thirrur dhe këshilli bashkiak që do zhvillohet online. Policia e shtetit më herët bëri thirrje për distancimin nga dhuna dhe njoftoi masat e marra për mbarëvajtjen e protestës.

Policia njoftoi qytetarët se prej orës 16:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Kjo e sotmja është protesta e pestë para bashkisë së Tiranës. Protesta e 26 prillit,  u shënjua sërish nga episode të dhunshme. Bombat molotov ndaj godinës rrezikuan policët, ndërsa këshilltarët opozitarë tentuan të çajnë gardhin metalik e të hyjnë me forcë në bashki.

Continue Reading

Aktualitet

“I dhanë orën 400 mijë euro politikanit shqiptar, donin të ndërtonin kullë në Tiranë”

Artan Hoxha ka dhënë detaje për një proces gjyqësor që po zhvillohet në Bruksel, për një organizatë të fuqishme kriminale shqiptare, e cila vepronte në disa shtete të Europës.

Hoxha ka shpjeguar lidhjet e forta të krerëve të organizatës edhe me politikanë shqiptarë dhe planet për të pastruar paratë në kulla dhe biznese në Shqipëri.

Hoxha tha se ata kanë dhënë dhurata për politikanët tanë, përfshirë edhe një orë me vlerë 400 mijë euro, por nuk është publikuar emri i politikanit që e ka marrë.

“Bëjnë biznes në Bruksel për të pushtuar Tiranën. Ditën që ka ndodhur operacioni, në shtatë shtete të Evropës, janë bërë 80 kontrolle, mbi 50 arrestimet, sipërmarrje e madhe e policive të disa shteteve. Rreth orës 04:00 më shkruajnë shqiptarë nga Fieri, që jetojnë në Antëerp dhe thonë ka ardhur policia dhe është thyer banesa e bashkë-patriotëve.

Prokurori ka hetuar edhe çështjen Toyota Yaris në Shqipëri, 5 milionë euro që do të vinin në Shqipëri dhe u lajmërua edhe në Parlament para se të vinin. Edhe sot e kësaj dite nuk e dimë të kujt ishin paratë. Ne e mbyllëm si histori dhe nuk pati hetim.

Kishim të bënim me laboratorë të përpunimit të kokainës në Belgjikë dhe në Hollandë. Personat që qëndronin në krye ishin shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, kishin si bazë ishullin Majorka të Spanjës.

Biznesmeni kryesor, Bashkim Osmani, e ka hetuar edhe FBI, policia gjermane, u kap në Kroaci në 15 shkurt 2022 dhe në 2 mars u ekstradua në Spanjë, por doli me garanci pasurore, paraqitet në gjykatë dy herë në muaj.

Nga hetimet e deritanishme, zanafilla ka qenë një kapje e rastësishme nga policia belge.

Vijmë te pjesa e Shqipërisë. Grupi ka patur kontakte me njerëz të elitës politike dhe biznesit dhe pushtetit. Interesi ka qenë pastrimi i parave.

Në një nga takimet, kanë udhëtuar nga Europa me avion privat në drejtim të Arubës. Dyshohet që ka marrë pjesë një bosë i krimit të organizuar shqiptar që jeton në Florida, këta të tjerët nga Majorka, këta të tjerët nga Shqipëria.

Kanë diskutuar çfarë procedurash duhen për të ndërtuar kullë në Tiranë. Paratë ishin cash dhe si do të futeshin në sistem. Kjo është kapur nga prokuroria belge. Prokurorit belg nuk i intereson çfarë do të ndërtojnë në Tiranë, por u intereson krimi në Belgjikë. Kanë futur disa tonë kokainë. Belgjika heton krimet që kanë ndodhur në Belgjikë. A kanë bashkëpunuar tanët me Belgjikën? Kanë material për një hetim që mund të bëhet edhe në Shqipëri. Kullat, vinçat, paratë që nuk e dimë nga vijnë, çmimet që shkojnë kacafiu. Në vend të bjerë çmimi për metër katror, ndodh e kundërta.

Hetimi “Shqiponjat e zeza”, ne na intereson të zbërthehet, të marrim dosjet e Italisë, Kroacisë, Spanjës, Hollandës dhe të krijojmë panoramë.

Ky personi nga Gjermania, kontrollon industrinë e lojrave të fatit, ndërsa në Shqipëri ka miq shumë të rëndësishëm. Ka qenë afër kryeministrave tanë, quhet Bashkim Osmani. Ky është kapur në Kroaci, ka lidhje shumë të forta në Shqipëri. Vetëm pikturat që janë gjetur, shkojnë në 17 milionë euro, 86 piktura. Pretendohet se është dhuruar një orë me vlerë 400 mijë euro, një personazhi nga politika jonë, por nuk identifikohet. Janë paguar pushime, pushime me jahte.

Edhe kokaina është marrë me jahte dhe avionë të vegjël. Është hetim shumë kompleks, ata kanë përdorur dy portet belge dhe Belgjika po heton për hesap të vetë. Prokurori ka vepruar në shtatë shtete dhe nuk është në gjendje ti koordinojë në të gjitha këto.

Gjithë ky hetim dhe Shqipëria ka qenë larg këtij hetimi. Është pikëpyetje e madhe kjo. Kemi të bëjmë me personazhe që na çojnë te këta njerëzit të rëndësishme”, tha Hoxha në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING