Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Foshnja 1-javësh me probleme në zemër/ Apeli i nënës: Më ndihmoni ta çoj në Itali

Liljana Laloshi, 39 vjeçe nga Elbasani, ka vetëm një javë që është bërë nënë për herë të dytë, por ende nuk ka mundur ta mbajë në krahë djalin e saj. Foshnja ndodhet në reanimacion, ndërsa vijon të mbahet në jetë me aparatura, pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.

Liljana kreu lindje cezariane të parakohshme më 7 shtator, në muajin e tetë të shtatzënisë, për shkak të komplikacioneve. Djali i saj, të cilin e ka quajtur Aroen, lindi me peshë 2250 gram dhe me një defekt në strukturën e zemrës, të shoqëruar edhe me komplikacione që prekin organe të tjera.

Me lot në sy, 39-vjeçarja kërkon ndihmë për të mundësuar trajtimin e të birit jashtë vendit. Sipas saj, foshnja ka nevojë për një ndërhyrje që nuk mund të realizohet në Tiranë dhe çdo vonesë mund të rrezikojë më tej gjendjen e tij.

Liljana tregon se gjatë shtatzënisë komplikacioni nuk ishte konstatuar në ekot, analizat apo ekzaminimet që kishte kryer. Pas lindjes, familjes i është sugjeruar që fëmija të dërgohet për trajtim në një spital të specializuar në Romë.

Sipas nënës, vetëm transporti me avion ambulancë drejt Italisë kushton rreth 25 mijë euro, pa përfshirë kostot e trajtimit spitalor.

Familja Laloshi apelon për ndihmë, në mënyrë që Aroeni të mund të dërgohet sa më shpejt për trajtim të specializuar.

Për të ndihmuar familjen Laloshi: 0695672265

Advertisement