Connect with us

Aktualitet

GJIGANTI AMERIKAN I GAZIT NE SHQIPËRI/ Projekti do ta kthejë vendin në portë energjetike të Ballkanit

Shqipëria mund të kthehet në një pikë të rëndësishme hyrëse të gazit amerikan për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore.

Qeveria shqiptare dhe kompania amerikane Argent LNG kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të vlerësuar zhvillimin e një terminali tokësor për magazinimin dhe rigazifikimin e gazit natyror të lëngshëm, LNG, në bregdetin shqiptar.

Sipas Reuters, terminali i propozuar parashikohet të ketë kapacitet deri në 5 milionë ton LNG në vit. Në këtë fazë bëhet fjalë për një memorandum jo-detyrues, pra ende nuk kemi një kontratë përfundimtare ndërtimi apo financimi.

Projekti synon ta pozicionojë Shqipërinë jo vetëm si konsumatore, por kryesisht si një portë energjetike rajonale, nga ku gazi i lëngshëm i ardhur nga SHBA mund të shpërndahet drejt vendeve të tjera të Ballkanit dhe Europës Juglindore.

Sipas planit të prezantuar nga Argent LNG, terminali mund të lidhet me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), projektin Ionian-Adriatic Pipeline (IAP) dhe korridorin Fier–Vlorë, duke krijuar një rrjet për shpërndarjen e gazit nga bregdeti shqiptar drejt tregjeve rajonale. Projekti parashikon potencialisht edhe mbështetjen e furnizimit të Ukrainës përmes mekanizmave rajonalë të tregut të gazit.

Palët pritet të krijojnë një grup të përbashkët pune për të analizuar vendndodhjen, fizibilitetin, lidhjet teknike dhe strukturën e financimit.

Por disa nga pyetjet më të rëndësishme mbeten ende pa përgjigje publike:

Ku do të ndërtohet terminali? Sa do të kushtojë? Kush do ta financojë? Çfarë detyrimesh financiare mund të marrë shteti shqiptar? Dhe kur mund të nisë realisht ndërtimi?

Deri tani nuk është bërë publike një kosto, vendndodhje konkrete apo afat ndërtimi për terminalin shqiptar.

Nëse projekti realizohet, një terminal me kapacitet deri në 5 milionë ton LNG në vit mund t’i japë Shqipërisë një rol të ri në hartën energjetike të rajonit.

Por në këtë fazë duhet bërë një dallim i rëndësishëm: është nënshkruar një memorandum për të studiuar dhe strukturuar projektin, jo një kontratë për ndërtimin e terminalit.

 

Advertisement