Kosova
Gjuriç në takim me Sorensen kundërshton që dialogu Kosovë–Serbi të çojë në njohje reciproke
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka njoftuar se ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, ka zhvilluar një takim në Bruksel me përfaqësuesin special të Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit të publikuar në platformën X, në takim është diskutuar për situatën në Kosovë dhe çështje të tjera rajonale.
Ministri serb ka theksuar se, sipas qëndrimit të Serbisë, dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk duhet të shihet si proces për njohje reciproke.
“Për Serbinë, dialogu Beograd-Prishtinë nuk është dhe nuk mund të jetë dialog për njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga diplomacia serbe.
Sipas Gjuriçit, dialogu duhet të synojë përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve dhe avancimin e të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore të serbëve dhe komuniteteve të tjera në Kosovë.
Ai tha se procesi duhet të fokusohet në “rritjen e të drejtave kolektive politike, ekonomike, kulturore dhe të tjera të popullit serb, si dhe të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”.