Connect with us

Shkrime

Hormuzi nuk është thjesht një ngushticë, është minë me sahat për Kinën

Nga Red Varaku

Gjeopolitika nuk udhëhiqet nga deklaratat, por nga nevojat. Kriza mes SHBA-së dhe Iranit nuk është më ajo që duket në sipërfaqe. Në thelb, ajo po zhvendoset drejt një përballjeje më të thellë strukturore, midis një fuqie detare globale SHBA dhe një fuqie kontinentale që varet nga deti, Kina.

Kina ka një nevojë thelbësore, energjinë. Një pjesë kritike e saj kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo krijon një realitet të thjeshtë, çdo kërcënim ndaj Hormuzit është kërcënim ndaj stabilitetit të Kinës.

Ndërkaq, SHBA-ja, si fuqi detare, operon mbi parimin e kontrollit të rrugëve globale. Bllokadat dhe prania ushtarake janë instrumente të zakonshme për të ruajtur këtë kontroll.

Vetëm se ky mekanizëm funksionon vetëm nëse aktorët e tjerë e pranojnë atë. Kina nuk mund ta pranojë, sepse do të thoshte të pranonte cenueshmërinë e saj dhe të dorēzonte stabilitetin e saj në duart e SHBA.

Irani hyn në këtë ekuacion si një aktor që kupton se nuk ka nevojë të fitojë drejtpërdrejt kundër SHBA-së. Mjafton të krijojë kushte ku përfshihet një fuqi e tretë.

Duke afruar Kinën në Hormuz, Teherani transformon konfliktin nga një çështje bilaterale në një dilemë shumëpalëshe për Uashingtonin.

Kjo krijon një minë me sahat për rajonin dhe botën.

Ndërkohë që SHBA-ja duhet të zbatojë strategjinë e saj të presionit për të ruajtur kredibilitetin, Kina duhet të mbrojë rrjedhën e energjisë për të ruajtur stabilitetin e saj të brendshëm.

Asnjëra palë nuk e ka luksin të tërhiqet.

Në këtë kuptim, Hormuzi nuk është thjesht një ngushticë. Është pika ku takohen nevoja ekzistenciale të fuqive të mëdha.

Dhe kur nevojat janë jetike, kompromiset bëhen të përkohshme, ndërsa përplasjet bëhen të pashmangshme.

 

Advertisement