Connect with us

Bota

Irani ekzekuton të paktën 314 të burgosur

Me një listë të gjatë të krimeve për të cilat shqiptohet dënimi me vdekje, Irani ka ekzekutuar të paktën 314 të burgosur gjatë vitit të kaluar. Vetëm Kina ka ekzekutuar më shumë të burgosur dhe atë mbi 1.000. Organizata Iran Human Rights, në fakt tha se shifra është 333, që paraqet një rritje të ekzekutimeve, krahasuar me vitin 2020, kur ishin ekzekutuar 267 të burgosur.

Numri alarmues i ekzekutimeve – shumica besohet se janë kryer përmes varjes – ka tërhequr vëmendjen e pjesës më të madhe të organizatave të komunitetit ndërkombëtar, që besojnë se dënimi me vdekje është mizor, degradues dhe çnjerëzor. Por, pse kaq shumë të burgosur iranianë janë ekzekutuar në dy vjetët e fundit? Ndërsa dënimet e detyrueshme me vdekje ekzistojnë për disa vepra, tendencat e vërejtura ngrenë pyetje lidhur me motivin e vërtetë prapa këtyre dënimeve.

Kur gjykohen për ndonjë krim, qytetarët iranianë nuk janë të barabartë para ligjit. Burrat kanë më shumë të drejta se gratë, myslimanët kanë më shumë të drejta se jomyslimanët dhe myslimanët shiitë kanë më shumë të drejta se ata sunit, të cilët janë minoritet në këtë shtet.

Minoritetet etnike po ashtu janë në disavantazh në sistemin e drejtësisë. Edhe pse përbëjnë vetëm 2 deri në 5 për qind të popullsisë së Iranit, 21 për qind e të ekzekutuarve më 2021 ishin nga minoriteti baluç dhe 26 për qind vetëm në gjysmën e parë të vitit 2022.

Po ashtu, Irani është një prej shteteve të pakta në botë që ekzekuton persona të mitur. Ligji ndërkombëtar ndalon dënimin me vdekje për personat që kanë qenë nën 18 vjeç në kohën e kryerjes së krimit për të cilin janë dënuar. Në Iran, megjithatë, të miturit zakonisht mbahen në burgje dhe ekzekutohen pasi të kenë arritur moshën madhore. Më 2021, një djalë që kishte qenë 15 vjeç në kohën e arrestimit, u ekzekutua në Iran pasi kishte kaluar pothuajse 20 vjet në burg duke pritur ekzekutimin e dënimit kapital. Aktualisht, mbi 85 të dënuar, që janë të mitur, janë në listë të pritjes për t’u ekzekutuar në Iran.

Të metat e sistemit gjyqësor

Edhe sistemi gjyqësor dhe gjykatat në Iran shihen gjerësisht si diskriminuese, të anshme dhe thuhet se ndikojnë në kriteret që përdoren për të zbatuar dënimet me vdekje.

Kreu i sistemit gjyqësor emërohet drejtpërdrejt nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Sipas ligjit iranian, të dyshuarit lejohen që të kenë qasje te një avokat, por të drejtat e tyre për të zgjedhur avokatin janë të kufizuara. Në rastet serioze penale dhe ato që kanë të bëjnë me akuza për sigurinë, të dyshuarit mund të zgjedhin avokat nga një listë e miratuar nga kreu i gjyqësorit.

Asnjë nga të dënuarit me vdekje për të cilët organizata Iran Human Rights ka informacione nuk ka pasur qasje te një avokat në fazën paraprake të çështjes, pas arrestimit të tyre.

Gjykatat revolucionare

Në Iran, krimet e ndryshme trajtohen nga gjykata të ndryshme. Rastet e përdhunimeve dhe vrasjeve trajtohen nga gjykatat penale. Ndërkaq armiqësia kundër Zotit, rebelimi i armatosur dhe rastet e lidhura me drogë trajtohen nga gjykatat revolucionare, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e shqiptimeve të dënimeve me vdekje në 12 vjetët e fundit.

Megjithatë, këto gjykata nuk janë transparente dhe gjykatësit janë shkelës të mëdhenj të fuqive të tyre ligjore, duke iu pamundësuar të dënuarve që të kenë qasje tek avokatët dhe duke lejuar marrje në pyetje nën torturë ose nën detyrim për të pranuar krimet.

Gjykatat revolucionare po ashtu janë përgjegjëse për shqiptimin e dënimeve ndaj personave që gjenden fajtorë për kritikat ndaj autoriteteve. Në qershor të vitit 2021, Parlamenti iranian kaloi një draft-ligj që shënjestronte gazetarinë qytetare. Nëse ky legjislacion miratohet, gazetarët apo aktivistët e të drejtave të njeriut që raportojnë për dënimet me vdekje, mund të dënohen edhe vetë me dënim kapital.

Të gjithë këta faktorë lehtësojnë shqiptimin masiv të dënimeve me vdekje në Iran. Në vitet 2021 dhe 2022 ka pasur një rritje dramatike të numrit të ekzekutimeve. Sipas organizatës Iran Human Rights, të paktën 333 persona janë ekzekutuar në mbarë vendim më 2021, që është shifra më e lartë që nga viti 2018. Dhe sipas shifrave të deritashme, viti 2022 pritet të arrijë shifër rekorde të ekzekutimeve, pasi deri më tani janë ekzekutuar 320 persona, sipas Iran Human Rights.

Rritja e numrit të ekzekutimeve për krime të lidhura me drogën po ashtu ka ngritur pyetje duke pasur parasysh rrethanat në të cilat këto ekzekutime po ndodhin. Një amendament i Ligjit kundër narkotikëve, që u miratua në fund të vitit 2017, paraprakisht kishte çuar në ulje të konsiderueshme të numrit të ekzekutive në Iran sa i përket krimeve të lidhura me drogën. Por, më 2021 këto shifra janë rritur për pesëfish, me të paktën 126 persona të ekzekutuar për akuza të lidhura me drogën. Kjo është një shkelje e ligjit ndërkombëtar i cili ndalon dënimin me vdekje për krime që nuk përfshijnë vrasje të qëllimshme.

Numri më i lartë i ekzekutimeve lidhur me krime të drogës në Iran më 2021 ndodhën në korrik, që po ashtu ishte muaji pas zgjedhjeve presidenciale, kur shpërthyen protestat për krizën ekonomike dhe mungesën e ujit. Më 26 korrik të vitit 2021, përderisa protestat po ndodhnin në Kermanshah, REL-i raportoi se përveç forcës brutale të përdorur kundër protestuesve paqësorë, po ashtu kishte pasur një valë arrestimesh në periferi të këtij qyteti.

Në një intervistë për REL-in, drejtori i Iran Human Rights, Mahmood Amiry-Moghaddam, foli edhe për një trend tjetër: numri i ekzekutimeve bie gjatë periudhave zgjedhore. Ai tha se ekzekutimet pauzohen sepse bota i kushton më shumë vëmendje asaj se çfarë ndodh brenda shtetit në kohë zgjedhjesh.

Numri i ekzekutimeve nisi të rritej pasi Ebrahim Raisi mori detyrën në gusht të vitit 2021 dhe mesatarja mujore e ekzekutimeve gjatë presidencës së tij pothuajse është e barabartë me të gjitha ekzekutimet e kryera gjatë shtatë vjet e gjysmë të presidencës së Hassan Rohanit.

Mbingarkesa në burgje

Në maj dhe qershor të këtij viti, 33 persona u ekzekutuan në gjashtë burgje të ndryshme në mbarë Iranin. Amnesty International gjeti se që nga fillimi i vitit 2022, autoritetet në burgun Raja’i Shahr, në perëndim të Teheranit, ekzekutojnë mesatarisht pesë persona çdo javë dhe në disa javë deri në dhjetë të dënuar. Këto shifra të larta ekzekutimesh ndodhën në periudhën kur drejtuesi i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni Ejei, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të gjyqësorit, dhanë deklarata lidhur me nevojën për të adresuar çështjen e mbingarkesës në burgje.

Qendra Abdorrahman Boroumand veçse e kishte vërejtur këtë gjë edhe gjatë viteve paraprake. Midis viteve 2007 dhe 2008, shefi i atëhershëm i gjyqësorit, Ayatollah Shahroudi, zbatoi një strategji që kishte për qëllim zgjidhjen e numrit të madh të lëndëve. Kjo strategji rezultoi me mbylljen e shpejt të një numri të madh të lëndëve, por megjithatë më 2013 kishin mbetur të pazgjidhura pothuajse 1 milion lëndë gjyqësore. Shefi i gjyqësorit më pas lëshoi udhëzues të tjerë për të përshpejtuar këto procese. Nga vitet kur u lëshuan këta udhëzues, ekzekutimet në Iran janë rritur në mënyrë dramatike, duke arritur rekord prej 1.054 ekzekutimesh më 2015.

Bisedimet bërthamore

Edhe një tjetër trend ka ndodhur gjatë bisedimeve për marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive perëndimore. Amiry-Moghaddam nga Iran Human Rights tha se autoritetet iraniane vëzhgohen më pak kur bisedimet zhvillohen, siç ishte rasti në fillim të vitit 2021, kur përpjekjet për ta ringjallur marrëveshjen – pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga pakti – rinisën.

Në këtë periudhë pati rritje të ekzekutimeve dhe e njëjta gjë kishte ndodhur edhe gjatë rundeve fillestare të bisedimeve për marrëveshjen në periudhën 2013-2015.

Pauzimi i ekzekutimeve publike

Për herë të parë në dekada, asnjë ekzekutim publik nuk është raportuar në Iran më 2021 dhe kjo gjë i është atribuuar pandemisë COVID-19. “Megjithatë, raportet e fundit lënë të kuptohet se autoritetet iraniane po planifikojnë të rikthejnë ekzekutimet publike”, tha organizata Iran Human Rights. “Dënimet e fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar dhe shoqëria civile në Iran mund të parandalojnë këtë praktikë barbare që të rikthehet në rrugët e shtetit”.

Bota

Lufta në Ukrainë/ Zelensky: Kemi nevojë për të paktën shtatë sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u tha anëtarëve të NATO-s të premten se Ukrainës i duhen të paktën shtatë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot ose sisteme të tjera të nivelit të lartë për t’u mbrojtur nga sulmet ruse, duke i nxitur ata të rrisin ndihmën e tyre ushtarake për Kievin.

Në një fjalim me video gjatë takimit të Këshillit NATO-Ukrainë në Bruksel, udhëheqësi ukrainas e përshkroi nivelin aktual të ndihmës së huaj si “shumë të kufizuar”. Ai iu kujtoi atyre se Izraeli nuk u la i vetëm të mbrojë veten përballë sulmit masiv ajror të Iranit të shtunën.

“(Presidenti rus Vladimir) Putin duhet detyruar të ndalojë sulmet dhe hapësira jonë ajrore duhet të bëhet përsëri i sigurt. Kjo varet plotësisht nga zgjedhja juaj… një zgjedhje që do të tregonte nëse ne jemi vërtet aleatë”, tha Presidenti Zelenskiy në fjalimin e tij.

Rusia ka shtuar intensitetin e sulmeve ajrore të saj me raketa me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe qyteteve të saj në javët e fundit. Kjo ka rritur trysninë ndaj Kievit ndërsa forcat më të fuqishme dhe me më shumë pjesëtarë të Moskës po avancojnë ngadalë në fushën e betejës në pjesën lindore të Ukrainës.

 

 

Vetëm këtë vit, tha Presidenti Zelenskiy, Ukraina ishte sulmuar nga pothuajse 1,200 raketa ruse, më shumë se 1,500 dronë dhe 8,500 bomba ndërsa përkrahja ushtarake perëndimore është ngadalësuar.

“Ne po e themi këtë drejtpërdrejt, për t’u mbrojtur, na duhen edhe shtatë sisteme “Patriot” ose sisteme të ngjashme të mbrojtjes ajrore. Ky është një numër minimal i asaj që na duhet. Këto sisteme mund të shpëtojnë shumë jetë dhe të ndryshojnë situatën”, tha ai.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare, vendeve aleate dhe zotit Zelenskiy se aleatët kishin rënë dakord t’i siguronin Kievit sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

“Përveç Patriotëve, ka armë të tjera që aleatët mund të ofrojnë, duke përfshirë (sistemin që është prodhim francez) SAMP/T. Shumë vende të tjera, të cilët nuk kanë në pronësi sisteme të tilla, janë zotuar të ofrojnë mbështetje financiare për t’i blerë ato për Ukrainën”, zoti Stoltenberg u tha gazetarëve në Bruksel.

NEVOJA URGJENTE

Presidenti ukrainas Zelenskiy tha se trupave të Kievit u duhen edhe raketa me rreze të gjatë dhe predha artilerie.

“Këtë vit mezi presim që të merren disa vendime”, tha ai.

Ndihma ushtarake amerikane është vonuar me muaj të tërë në Kongres, por Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të shtunën mbi një projektligj që përfshinë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake.

“Ne po presim një mbështetje të re nga Shtetet e Bashkuara – mbështetja amerikane ka qenë në pikëpyetje për një kohë të gjatë”, tha Presidenti Zelenskiy.

Fjalimi i tij u mbajt në Këshillin NATO-Ukrainë me dyer të mbyllura, por zyra e tij publikoi tekstin dhe videon e tij në faqen e saj të internetit.

Continue Reading

Bota

Një person në SHBA i vë flakën ndërtesës ku u mbajt seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Trump

Ndërkohë që në gjykatën supreme të Nju Jorkut po zhvillohej gjyqi administrative ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, një person i ka vendosur zjarrin ndërtesës duke bërë që 17 persona të lëndohen lehtë.

Mediat e huaja shkruajnë se një person u vuri flakën dokumenteve të gjykatës në katin e katërt të ndërtesës që ndodhet në “60 center Street” të Manhatan dhe më pas përdori fikësen e zjarrit për të shuar flakët.

Autori i zjarrvënies i paidentifikuar, u arrestua nga policia. Incidenti ndodhi pak orë pas përfundimit të dëshmisë së Trump gjatë seancës gjyqësore. Mësohet se zjarrfikësit evakuuan punonjësit që ndodheshin në 3 prej kateve të ndërtesës.

Deri më tani, nuk ka asnjë indicie se zjarri kishte lidhje me gjyqin që po zhvillohej ndaj Trump për falsifikimin e faturave të biznesit të tij.

Continue Reading

Bota

E rëndë/ Sulmohen me thikë tre gra, autori qëllohet nga policia (DETAJET)

Në qytetin suedez të Vasteras tre gra të moshës nga 65 deri në 80 vjeç, u sulmuan me thikë nga një person i panjohur.

Njëra nga gratë dhe sulmuesi janë dërguar në spital me lëndime të rënda.

Policia tha se ka qëlluar autorin e ngjarjes.

Continue Reading

Bota

U vranë mbi 8000 njerëz, BE thirrje mos të mohohet gjenocidi në Srebrenicë

Bashkimi Evropian i ka përsëritur thirrjet të premten që të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë, në një kohë kur është duke u diskutuar një draft-rezolutë në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Paralajmërimi i debatit dhe miratimit të mundshëm të draft-rezolutës në Nju Jork në fillim të majit, ka nxitur shumë reagime në Serbi dhe nga politikanët serbë në vendet e tjera të rajonit.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Evropë “nuk ka vend” për mohimin e gjenocidit, e as për “revizionizëm dhe glorifikimin e kriminelëve në luftës”.

Më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë më 1995 në Srebrenicë nga Ushtria e Republikës Sërpska. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

 

 

“Në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon ka ende tendencë për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë. BE-ja refuzon çdo mohim, relativizëm, apo keqinterpretim të gjenocidin në Srebrenicë. Gjenocidi është gjenocid dhe ashtu edhe duhet të quhet”, tha Stano.

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e miratoi të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët.

Stano u bëri thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë “të jenë në krye të rrugës që respekton viktimat dhe promovon pajtimin”.

Ai nënvizoi se “nuk është çështje e opinionit” se a është kryer gjenocid në Srebrenicë, por është “fakt historik i vërtetuar ligjërisht” nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë më 2004 dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2007.

Presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve të enjten se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.

“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.

Stano ishte i ashpër edhe me thirrjet e vazhdueshme të Dodikut për shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Uniteti, integriteti territorial dhe sovraniteti i Bosnje e Hercegovinës nuk mund të vihet në pikëpyetje. Idetë dhe veprimet ndarëse vetëm sa do t’i izolojnë autorët e tyre më shumë dhe të sjellin më shumë probleme për qytetarët duke i mbajtur ata peng të tyre”, tha Stani duke rikujtuar se BE-ja ka në duart e saj edhe kornizën për vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që e rrezikojnë integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës./Rel/

Continue Reading

Bota

“Nuk i besojmë udhëheqjes së Kievit/ Lavrov i prerë: Rusia nuk i ndalon luftimet

Rusia nuk ka ndërmend të ndërpresë armiqësitë me Ukrainën edhe nëse të dy vendet angazhohen në bisedimet e paqes, pasi Kievi e ka dëshmuar veten të jetë një aktor jo i besueshëm, ka deklaruar ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Në një intervistë për mediat ruse të premten, diplomati theksoi se Moska nuk i beson udhëheqjes në Kiev.

“Ne kemi thënë se jemi gati për negociata, por – ndryshe nga historia e Stambollit – nuk do të bëjmë asnjë pauzë në luftimet gjatë negociatave. Procesi duhet të vazhdojë”, tha ai.

Të dyja palët nuk kanë biseduar drejtpërdrejt me njëra-tjetrën që nga ulja e tyre në Stamboll në fund të marsit 2022. Rusia, e cila fillimisht shprehu kënaqësinë me rezultatet e takimit dhe tërhoqi forcat e saj nga periferitë e Kievit, por më vonë akuzoi Ukrainën se hodhi poshtë përparimin e arritur në Turqi, duke thënë se Moska kishte humbur besimin te negociatorët e Kievit.

 

 

Ministri i Jashtëm vuri në dukje se një pengesë e madhe për çdo proces paqeje që presidenti ukrainas Zelensky “e ndaloi veten të negociojë” me autoritetet aktuale në Moskë. Ai i referohej një dekreti që Zelensky nënshkroi në vjeshtën e vitit 2022, i cili ndalonte qeverinë e tij nga çdo bisedë me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING