Analisti politik serb, Dushan Janjiq, deklaroi se për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2020 përgjegjëse janë Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Ai i tha agjencisë Beta se, pas fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump dje në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, është bërë e qartë se hetimi për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale amerikane është duke u zhvilluar dhe se në të përfshihet edhe Beogradi.
Janjiq shtoi se nuk përjashton mundësinë që manipulimi të jetë kryer nga BIA përmes ndonjë agjencie private, por të lidhur ngushtë me pushtetin dhe me konceptin e ashtuquajtur të “luftës kundër revolucionit me ngjyra”.
Ai theksoi gjithashtu se disa nga personat e përfshirë tashmë po largohen nga maja e BIA-së, por se kjo nuk do t’i shpëtojë ata nga përgjegjësia.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se së shpejti do të nisë ndjekje penale lidhur me, siç i quajti ai, “zgjedhjet e vjedhura” të vitit 2020.
“Shumë shpejt njerëzit do të ndiqen penalisht për atë që kanë bërë. Ishin zgjedhje të manipuluara”, deklaroi Trump.
