Connect with us

Aktualitet

Këto pesë gjëra duhet t’i mbani sekret

Ka disa gjëra të cilat është gjithmonë më mirë t’i mbani për vete. T’i tregoni botës rreth tyre, thjesht nuk do t’iu sjellë asnjë gjë të mirë. Edhe pse mund të keni nevojë ndonjëherë t’i thoni ato me zë të lartë, duhet ta dini që pasi t’i thoni nuk do të ndryshojë asgjë, shkruan EO. Kështu që më mirë të mos i dinë të gjithë njerëzit që iu rrethojnë.

1. Mos tregoni me detaje planet tuaja ambicioze

Qëndroni të rezervuar përsa i përket ambicieve dhe planeve tuaja, të paktën deri në momentin që arrini t’i përmbushni ato. Ndonjëherë planet tuaja mund të mos jenë të mirëmenduara apo mund të kenë gjëra për të cilat do të ndryshoni mendje, prandaj nuk është e nevojshme t’ia u thoni të gjithëve dhe më pas të justifikoni çdo ndryshim që del gjatë rrugës. Gjithashtu mos harroni që gjithmonë mund të jetë dikush i gatshëm për të zënë vendin tuaj apo t’iu vjedhë idetë.

2. Mos tregoni gjithmonë për veprimet humane që bëni

Të bëni diçka të mirë për dikë dhe të mos prisni një shpërblim, iu bën ju një njeri akoma më të mirë. Sa herë që tregoni sesa e keni ndihmuar dikë, apo sesa bamirësi keni bërë duket sikur po kërkoni që kjo gjë t’iu kthehet mbrapsht. Zakonisht kjo sjellje merret për arrogancë nga të tjerët. Gjithsesi ju mund ta ndani kënaqësinë tuaj rreth asaj që bëtë me një person të afërt, i cili nuk do të gjykojë se sa herë do e përmendi atë që keni bërë.

3. Mos tregoni me çdo detaj mënyrën tuaj të jetesës

Nuk ia vlen të mburreni për gjërat që bëni apo për mënyrën sesi jetoni. Qoftë edhe për faktin se po ndiqni një dietë apo zakone të ndryshme që mund të keni. Shpesh herë mund të gjykoheni keq për një zakon tuajin, pavarësisht se ju realisht mund të jeni shumë më ndryshe.

4. Mos tregoni problemet tuaja familjare

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për konfliktet brenda familjes. Është e rëndësishme të mos tregoni as detaje personale të familjarëve tuaj, të cilat ata nuk duan t’i ndajnë me të tjerët. Nuk duhet të tregoni direkt çdo konflikt të vogël që mund të keni apo hatërmbetje, shkruan Anabel. Mos harroni, që gjithmonë familja është ajo që keni pranë më shumë se kushdo.

5. Mos tregoni gjëra të pakëndshme që dini për të tjerët

Nuk është e këndshme të tregoni veprimet apo fjalët e këqija që të tjerët mund të kenë thënë. Personi që iu dëgjon teksa i tregoni këto gjëra, vihet në siklet dhe ndonjëherë nuk ka fare dëshirë të zbulojë gjëra të shëmtuara për dikë tjetër. Gjithashtu duke bërë këtë gjë, ju jepni përshtypjen e një njeriu që gjithmonë flet pas krahëve dhe kjo gjë si pëlqen askujt.

Aktualitet

Përfundojnë Pashkët/ Fluks në doganën e Kakavijës, nis kthimi i emigrantëve në Greqi

Pas përfundimit të Pashkës Ortodokse në vendlindje emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë nisur kthimin për në shtetin fqinj.

Gjatë ditës së hënë në sportelet e daljes në doganën e Kakavijës është regjistruar fluks në rritje i këmbësorëve dhe automjeteve që udhëtojnë në drejtim të Greqisë.

Sipas Policisë Kufitare në Gjirokastër, janë regjistruar 3902 shtetas në hyrje-dalje, nga të cilët 2162 në hyrje dhe 1740 në dalje, si dhe 1265 mjete në hyrje-dalje, nga të cilat 643 në hyrje dhe 622 në dalje.

Për evitimin e radhëve të pritjes në kufi Policia Kufitare në Kakavije po punon me 4 sportele në hyrje 3 në dalje në bazë të fluksit të lëvizjes në kufi, ndërkohë edhe pala greke po punon me ritme të përshpejtuara. Fluksi i lëvizjes në doganën e Kakavijës pritet të regjistrohet edhe gjatë ditëve në vazhdim.

Continue Reading

Aktualitet

PAMJE TË RËNDA/ Momenti kur gjendet trupi i pajetë i 8-vjeçares në lumin Buna

Pasditen e së hënë është gjetur një tjetër trup në lumin Buna, që i përket një prej fëmijëve të 39-vjeçares Alma Arrazi që u mbyt bashke me tre vogëlushët disa ditë më parë.

Mediat kanë publikuar pamjet tragjike dhe të rënda nga gjetja e trupit të pajetë në lumin Buna të Gresi Arrazit, 8-vjeçe.

Trupi i saj u gjet sot rreth orës 17:00, ndërsa dyshohet se është mbytur mbrëmjen e 2 majit. Vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të Alma Arrazit dhe të djalit 3 vjeç.

Nga familja e Almës, motra e saj, u ka thënë hetuesve se Erdgys Arrazi ushtronte dhune fizike e psikologjike ndaj 39-vjeçares e fëmijëve dhe vetëflijimi dyshohet se është pasojë e dhunës në familje.

Dyshohet se Erdgys Arrazi e tradhëtonte bashkëshorten e tij, për të cilën Alma kishte marrë dijeni. Madje pretendohet se Erdgysi e nxirrte live të dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës 9-vjeçe, Ergesës.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se Alma Arrazi është hedhur nga ura e lumit të Bunës mbrëmjen e 2 majit bashkë me tre fëmijët e saj. Në kamerat e sigurisë, 39-vjeçarja është parë se para vetëflijimit, ka pirë kafe me kunatën, me të cilët është ndarë qetësisht.

Një ditë më pas, më 3 maj, Erdgys Arrazi ka denoncuar në polici largimin nga banesa të gruas me fëmijët. Por, kur një peshkatar i zonës gjeti të pajetë trupin e 9-vjeçares Ergesa, ai u kthye në të dyshuarin kryesor për shkaktin e vetëvrasjes së bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij.

Continue Reading

Aktualitet

Vëllai i Erdgys Arrazit mohon akuzat për dhunë: Alma merrte ilaçe për depresionin

Edison Arrazi, vëllai i të dyshuarit Erdgys Arrazi, i cili akuzohet nga policia se ka shaktuar vetëvrasjen e bashkëshortes së tij Alma Arrazi dhe tre fëmijëve të tyre, ka mohuar akuzat për dhunë ndaj 31-vjeçarit.

Edisoni, i cili deklaron se i vëllai i tij nuk ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj kunatës së tij. Më tej, ai thekson se Alma është trajtuar prej shumë kohësh me ilaçe për stresin dhe depresionin.

Gjithashtu ai thekson se familja e tij ndodhet në një moment të vështirë dhe i kërkon autoriteteve që të lejojnë Erdgysin që të varrosë vajzën e dytë.

Deklarata:

Është një ngjarje shumë e rëndë që na ka ndodhur në familjen tonë sepse ende nuk janë gjetur dy trupat e tjerë dhe dy i kemi të vdekur. Dua të sqaroj opinionin publik se vëllain tim e njeh e gjithë Shkodra sepse ka punuar në servis celularësh. Është e pavërtetë se vëllai ka ushtruar dhunë psikologjike apo fizike ndaj nuses tonë të shtëpisë. Ne pas ngjarjes së rëndë kemi bërë katër arkivola dhe nusen do ta përcjellim bashkë me të tre fëmijët. Ajo ka qenë nusja jonë dhe ne e kemi dashur dhe respektuar. Sa i përket ngjarjes nuk është e vërtetë se vëllai e ka dhunuar. Prokuroria na ka dhënë leje që vëllai të vinte në varrim dhe policia nuk e lejoi që ti hidhte një grusht dhe vajzës që varrosëm sot. Unë dua ti bëj thirrje të gjithëve që të mos nguten dhe të na lënë kohë që të dalë e vërteta e ngjarjes. Vëllai dhe nusja kanë shkuar shumë mirë dhe nuk kanë patur probleme siç po akuzohet gjithandej. Unë dua që vëllai të vijë në shtëpi dhe të varrosim edhe vajzën tjetër që u gjet sot. Faktet janë gjithandej se nuk është dhunues vëllai im sepse e njohin të gjithë. Ne kemi jetuar në një shtëpi sëbashku dhe nëse ka patur dhunë të paktën njëherë do e kishte denoncuar ose do kishte trokitur në dyert e ndonjë shoqata ose do e kishte gjetur një zgjidhje. Ne i kemi njoftuar për çdo gjë familjen e nuses tonë, që nga momenti i parë dhe deri më tani. Sot nuk kanë qenë në varrim por e dimë se dhimbja edhe për ata është po aq e madhe sa e jona. Edhe ata janë të respektuar nga ana jonë. Nusja është trajtuar prej shumë kohësh me ilaçe për stresin dhe depresionin. Nuk është se ka qenë në një gjendje të rënduar por herë pas herë ka marrë ilaçe. Ngjarja është shumë e rëndë dhe jemi tejet të ngarkuar. Unë për vete kam tre ditë që kam dalë nga burgu. Bëra katër vite burg dhe nuk e di ende se për çfarë i bëra sepse me kanë dënuar për bimë narkotike gjë që nuk është e vërtetë.

Kafja me kunatën

Nusja ime dhe nusja e vëllait atë pasdite kanë dalë si gjithmonë për të pirë kafe bashkë më fëmijët sepse kanë dalë shpesh sëbashku. Pasi kanë konsumuar kafen i ka thënë nuses time se do nisem  për në Durrës dhe do vijë të marrë vëllai. Nuk ka shfaqur asnjë problem gjatë qëndrimit në kafe dhe është sjellë krejt normalisht. I ka thënë se kam folur me burrin për vëllanë tim dhe se do iki për Durrës sepse më merr vëllai.

Dyshimet për tradhti

Unë nuk e di se ka patur një lidhje tjetër vëllai po sikur të ketë patur edhe 20 lidhje ai veprim nuk është asnjëherë i justifikueshëm sepse është një ngjarje e rëndë. Në dijeninë time nuk di të ketë patur lidhje jashtëmartesore.

Continue Reading

Aktualitet

“Ajo pa videot e 18 vjeçares në telefonin e burrit”/ Jeta e errët me lidhje paralele që po bënte Ergys Arrazi

Teksa në Bunë e në Drin vijojnë kërkimet intensive për gjetjen e trupave të Alma Bushati Arrazit dhe dy fëmijë vetë tjerë të saj, gjithmonë me një fije shprese se ata nuk kanë patur të njëjtin fat si vogëlushja 9-vjeçare që u gjet nga peshkatari Safet Hasani, mbrëmjen e 4 majit në zonën e njohur si Derragjat (një pjesë e vazhdës së lumit Buna, në afërsi të guroreve, rrugës së Velipojës).

Në media e kudo, flitet dhe hidhen hipoteza, të dhëna e detaje që dalin si me grimca, here ngazyrat e Policisë së Shtetit, here nga ato të Prokurorisë e herë-herë nga persona të afërt të njohur të familjes Arrazi e Bushati.

I gjetëm të gjithë të mbledhur bashkë, në një banesë private.

Të pashpresë për ndonjë të dhënë të re në lidhje me fatin e motrës, nipit dhe mbesës së tyre, por të traumatizuar nga ky vendim i Almës.

Ata, sidomos e motra, ishin në dijeni të të gjitha situatave që kishin ndodhur brenda 4 mureve ku jetonte Alma, Ergysi dhe 3 fëmijët e tyre të mitur.

Gjithçka kishte nisur shumë kohë më parë.  Kur Ergysi krijon një lidhje jashtëmartesore me një vajzë shumë më të re se ai.

Lidhje e cila vetëm sa u mor vesh nga bashkëshortja dhe u ndërprenë pas. Por kulmi do të ishte një tjetër lidhje e krijuar nga Ergysi, me një vajzë 18 vjeçare, prej kohësh ai bënte një jetë të dyfishtë.

Motra e Almës, Genta ishte prej kohësh në dijeni të jetës që bënte bashkëshorti I saj, por kishte vendosur ta pranonte për hir tëdashurisë dhe për hir të fëmijëve.

Genta e përshkruan kunatin e saj, Ergysin,  si një njeri të çuditshëm. Ndryshe kishte marrëdhënien me bashkëshorten, pra të motrën e saj, e ndryshe kishte marrëdhnien me fëmijët. Ai, sipas të gjithë familjes Bushati, i donte shumë ata.

Por dashuria për të shoqen ishte zbehur ndër vite. Jashtë kamerave, babai i Almës, Azem Bushati, thekson:

“I thashë vajzës sime, ti po e shikon që ai nuk të do më. Lëre të vazhdojë jetën e tij dhe ti vazhdo tënden. Por ajo më tha se nuk mundej ta merrte një vendim të tillë, pasi nuk vijmë nga një familje që ja bëjmë merr një e lësho një. Ne jemi mësuar që të vdesim me atë që martohemi. I thashë që bën mire të marrësh një hap sa nuk ështëvonë, pasi historitëtilla, nuk përfundojnë mirë”.

Mesa duket babai ka parandjerë një fund të hidhur.

Kohëve të fundit, sipas dëshmisë së Gentës, e motra e saj kishte përjetuar stres, të shkaktuar nga lidhja që bashkëshorti i sajkishte me një vajzë tjetër.  Madje ndër bisedë tregon për ardhjet e saj në Tiranë, dhe se si Ergysi, sa herë që largohej ajo së bashku me fëmijët, vinte dhe e kërcënonte, duke i thënë se fëmijët nuk janë të saj.

“O më nxirr fëmijët o ju vrava të gjithëve”, thonte ai.

E megjithatë, përtej këtyre sfidave, Alma kishte vendosur të rikthehej përsëri. Dhe të vazhdonte të qëndronte në shtëpinëe  një njeriu që nuk e donte dhe respektonte.

Së fundmi ata jetonin në dhoma të ndara. Ndërsa ka patur jo pak raste, sipas asaj që Alma  i rrëfente së motrës, që Ergysi e ofendonte dhe e fyente.

Kulmi kishte arritur muajin e fundit, kur në telefonin e bashkëshortit tësaj, kishte gjetur videot me 18-vjeçaren, me inicialin A.

Për lidhjen e Ergysit kishin qenë në dijeni të gjithë familjarët e tjerë të tij. Madje edhe kunata që ishte e fundit që takoi në kafene, Alma.

Në një bisedëqë ka pasur me Gentën, ajo i  ka treguar se si në momentin e fundit, përpara lokal “Panorama”, kalon Ergys Arrazi së bashku me të dashurën e tij. Gjë që mesa duket ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shpirtërore të Almës. Duke e dërguar ndodhta edhe drejt një vendimi fatal.

Por si mësuan familjarët për zhdukjen e Almës me fëmijët?

Genta: “Ishte ora 22 e datës 1 maj, kur Eri (Ergysi) më mori në telefon dhemë pyeti nëse im vëlla ka marrë Almën për të shkuar në Durrës. E pyeta pse a nuk ka ardhur Alma në shtëpi. Më tha jo. Menjëherë mora tim vëlla dhe mu përgjigj nipi. E pyeta nëse ka ardhur halla dhe më tha jo.

Pyeta edhe vëllain nëse kishte folur me të. Provova ta merrja në telefon dhe telefoni i dilte i fikur. Nuk ka ndodhur asnjeherë që Alma  të rrijë gjatë pa folur me mua. Vetëm atë ditë kemi folur më pak se çdo here tjetër./ VoxNews

Continue Reading

Aktualitet

“Po iki të qetësohem”, çfarë i tha Alma kunatës para se të kryente aktin e rëndë

Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar procedimin penal ndaj Erdgys Arrazit, i akuzuar për “Shkaktim të vetëvrasjes”.

Kujtojmë që dy ditë më parë një lajm i rëndë tronditi mbarë opinion publik pasi Alma Arrazi në gjendje të rënduar psikologjike u hodh në lumin Bunë bashkë me fëmijët e saj 9,8 dhe 3-vjeç.

Fillimisht ata u raportuan të humbur nga bashkëshorti, por në mbrëmjen e së shtunës një peshkatar ka njoftuar policinë për gjetjen e një trupi të pajetë në lumë.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme janë gjetur edhe trupi i vajzës 8-vjeçari, ndërkohë vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të nënës dhe fëmijës 3-vjeçar.

Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases Alma Arrazi, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.

Gjithashtu bëhet e ditur se Alma Arrazi para se të kryente aktin e rëndë ka qenë në shoqërinë e kunatës së saj, të cilës i ka thënë se do të shkonte disa ditë në shtëpinë e vëllait të saj për tu qetësuar.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar procedimin penal nr. 511/2024, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.A.

Nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 03.05.2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, shtetasi E.A., i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij A.A., bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur. Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja A.A. me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku shtetasja A.A. i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej. Më pas është ndarë nga kunata, ku shtetasja A.A. bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër.

Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, Shkodër, ku dallohet momenti që shtetasja A.A. del me kunatën e saj. Më pas, duket shtetasja A.A. së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perendimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024.

Në vijim nga ana e shërbimeve të policisë është bërë shpallja në kërkim policor e shtetasve A.A. e datëlindjes 15.11.1985, E.A. e datëlindjes 20.10.2015, G.A e datëlindjes 17.09.2015 dhe A.A. i datëlindjes 27.03.2021. Rezulton se në datën 04:05.2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë janë njoftuar se ështe gjetur trupi i pa jetë i një fëmijë të mitur, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njesia Administrative Dajç, identifikuar si shtetasja E.A. e datëlindjes 20.10.2015. Është bërë kqyrja e kufomës së shtetases E.A. në prani të mjekut ligjor, ku nga kqyrja e jashtme nuk janë kosntatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen E.A., me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll banese shtetasit E.A., ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme.

Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases A.A., e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.

Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit E.A., si i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itenerarit të shtetases A.A. dhe fëmijëve të mitur, vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe kryerja e hetimeve të tjera me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të faktit penal dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING