Bota
KONFIRMOHET MARREVESHJA PER LUFTEN SHBA-IRAN
Mediat ndërkombëtare po konfirmojnë njëra pas tjetrës ekzistencën e një draft-marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për zgjatjen e armëpushimit dhe nisjen e negociatave mbi programin bërthamor iranian.
Pas raportimit fillestar të Axios, edhe Reuters dhe The Guardian raportojnë se një marrëveshje paraprake është arritur mes palëve, megjithëse presidenti amerikan Donald Trump nuk ka dhënë ende miratimin përfundimtar.
Sipas The Guardian, Trump ka shpërndarë draftin e marrëveshjes tek aleatët e SHBA-së, përfshirë edhe Izraelin, ndërsa po bëhen përpjekje diplomatike për të shmangur shkelje të reja të armëpushimit që mund të destabilizojnë situatën.
Gazeta britanike shkruan se drafti nuk ndryshon shumë nga versionet që kanë qarkulluar ditët e fundit në Lindjen e Mesme. Dokumenti parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrimin tregtar, heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe zhbllokimin e deri në 12 miliardë dollarëve asete iraniane të ngrira.
Objektivi i planit është rikthimi i trafikut tregtar në Hormuz në nivelet para konfliktit brenda 30 ditëve dhe nisja brenda 60 ditëve e negociatave për të ardhmen e programit bërthamor iranian.
Negociatat do të përfshijnë diskutime mbi rezervat e uraniumit të pasuruar, pezullimin e përkohshëm të pasurimit dhe mbikëqyrjen nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Sipas draftit, Irani do të angazhohej të hiqte dorë nga armët bërthamore.
Reuters konfirmoi gjithashtu se një mirëkuptim mes palëve është arritur, por se mungon ende “drita jeshile” nga Donald Trump.
The Guardian vëren se përmbajtja aktuale e marrëveshjes pritet të hasë kundërshtime serioze nga Izraeli, pasi shtyn në kohë angazhimet detyruese të Iranit për çështjen bërthamore dhe përfshin një armëpushim të përhershëm që shtrihet edhe në Liban.
Sipas raportimit, drafti është më pak i qartë lidhur me heqjen e sanksioneve ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe produkteve petrokimike, por përcakton qartë parimin e “lundrimit pa tarifa” në Ngushticën e Hormuzit.
Në përpjekje për të përshpejtuar negociatat, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Mohammad Ishaq Dar, pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit për takime me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.