Kosova
Kurti kërkon marrëveshje për presidentin: Të flasim me emra, të shmangim zgjedhjet
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për kalimin në diskutime konkrete mes partive politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, me synimin për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.
Kurti deklaroi të premten se partitë politike duhet të kalojnë nga diskutimet e përgjithshme te propozimi i emrave konkretë për postin e presidentit. Sipas tij, vonesat rrisin rrezikun që vendi të përballet sërish me zgjedhje.
“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë tha se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale, gjithëpërfshirëse dhe me mbështetje të gjerë si në Kuvend, ashtu edhe te qytetarët.
Kurti bëri të ditur se një natë më parë u kishte dërguar kërkesë për takim kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me synimin për të diskutuar zgjedhjen e presidentit dhe për të arritur një marrëveshje paraprake që do të shmangte zgjedhjet e reja.
Sipas tij, në Kosovë ka një numër të madh personalitetesh nga jeta akademike, politike dhe shoqërore që mund të konsiderohen për këtë post, përfshirë edhe figura që kanë kontribuar në luftë dhe në procesin e shtetndërtimit.
Lëvizja e Kurtit vjen një ditë pasi LDK-ja njoftoi tërheqjen nga negociatat me LVV-në për ndarjen e posteve institucionale. LDK-ja ka deklaruar se nuk kërkon poste, por është e gatshme të votojë një kandidat jopartiak për president.
Ndërkohë, kriza institucionale vijon në Kuvendin e Kosovës. PDK-ja dhe AAK-ja kanë qëndruar edhe të premten në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së re.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka akuzuar LVV-në për shkelje të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Në anën tjetër, LVV-ja këmbëngul se përpara vazhdimit të procedurave duhet të arrihet një marrëveshje politike për presidentin e ardhshëm.
Kriza politike është rikthyer pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat prodhuan një Kuvend me 53 deputetë për LVV-në, 22 për PDK-në, 18 për LDK-në dhe shtatë për AAK-në.
LVV-ja ka numrat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, duke llogaritur edhe votat e deputetëve të komuniteteve joshumicë. Për zgjedhjen e presidentit, megjithatë, kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit me 120 mandate.
Nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje për presidentin, Kosova rrezikon të hyjë sërish në një proces zgjedhor, duke e zgjatur edhe më tej krizën institucionale.