Kosova
Kurti po i jep ‘armë’ Serbisë/ Analisti: Kriza po ushqen tezën se Kosova nuk di të bëjë shtet
Analisti Hermes Kafexhiu ka kritikuar qasjen politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se nuk po arrin të ndërtojë kompromisin e nevojshëm për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë.
Sipas Kafexhiut, rezultati i zgjedhjeve nuk mund të përkthehet automatikisht në kontroll të plotë të institucioneve, pasi realiteti parlamentar kërkon marrëveshje dhe bashkëpunim mes forcave politike.
Ai vlerëson se bllokada institucionale dhe krizat e përsëritura politike po dëmtojnë Kosovën dhe po krijojnë një situatë që mund t’i shërbejë narrativës së Serbisë se shqiptarët e Kosovës nuk janë të aftë të ndërtojnë dhe funksionalizojnë shtetin e tyre.
Kafexhiu thekson se në një shtet të ri dhe në një situatë të brishtë politike, kompromisi duhet të jetë pjesë e kulturës institucionale. Sipas tij, Vetëvendosje nuk mund të qeverisë vetëm mbi bazën e mbështetjes së elektoratit të saj, ndërsa ndërtimi i institucioneve kërkon marrëveshje me partitë e tjera.
Në këtë drejtim, ai përmend edhe qëndrimin e fundit të LDK-së, e cila ka deklaruar se është e gatshme të mbështesë një president konsensual, duke ia lënë tashmë përgjegjësinë Kurtit për të çuar përpara procesin e konstituimit të institucioneve.
Në fund, Kafexhiu ngre një pikëpyetje më të gjerë: a po vendos Kosova peshën politike të një individi mbi interesin e funksionimit të shtetit?
Sipas tij, kriza aktuale duhet të shërbejë si mësim për klasën politike dhe shoqërinë kosovare, pasi stabiliteti dhe funksionimi i institucioneve janë më të rëndësishme se përplasjet mes liderëve.
“Kurti po sillet si një adoleshent politik. Mendoj se kriza e përsëritur e Kosovës i shërben tezës së vetme dhe të fortë të Serbisë kundrejt shqiptarëve të Kosovës, asaj që shqiptarët e Kosovës nuk janë të aftë të bëjnë shtet” – ka deklaruar analisti i njohur
Shkrimi i plotë
Albin Kurti nuk po arrin ende të masë ekuilibrin, balancën dhe esencën e politikës për të ndërtuar kompromisin. Kurti nuk mund të quhet më një politikan kokëfortë autentik, me qasje dhe qëndrime gati si të pakompromisueshme, siç deri më tani kemi menduar.
Kurti po sillet si një adoleshent politik, për të mos menduar në kufijtë e keqkuptimit se Albin Kurti po del në një sjellje që shënon në jetën e tij politike një këndvështrim, ndaj të cilit e bën atë si një politikan që nuk do të mirën e Kosovës.
Asnjë fshehje ndaj nacionalizmit që prodhon situata në veri nuk e bën atë të fshihet më pas gishtit. Ai arriti të kuptonte se, pas zvarritjeve me precedentin e zgjedhjeve të përsëritura, populli i Kosovës nuk ia beson atij një pushtet që ta kontrollojë i vetëm.
Nga ana tjetër, Albin Kurti mban sërish qëndrime që vendosin në dyshim edhe kulturën politike të Kosovës të ndërtuar deri më tani, ku institucionet e reja kanë njëfarë decentralizimi, ku zgjedhjet nuk kontestohen, ku hapat drejt europianizimit kanë një sprint të mirë.
Po kjo bashkëjetesë e mirë institucionale po bllokohet nga disa qëndrime të Albin Kurtit në realpolitikën e krijuar.
A është teoria e mirëfilltë politike dhe deri diku e padiskutueshme se “i madhi do duhet të tolerojë” për të ndërtuar balancën?
Kurti nuk mund të dalë me flamurin e fituesit e të thotë se rezultati i zgjedhjeve duhet të përkthejë edhe zgjedhjen e institucioneve të reja, sepse nuk mund të jetë kështu.
Ka disa precedentë të njohur në botë, ku parti që kanë pasur edhe vetëm pak deputetë në Kuvend, për shkak se ishin pika kyçe e “king maker”-it politik për të shmangur kriza, fituesi i shumicës së zgjedhjeve u ka dhënë atyre pushtet të konsiderueshëm për të vijuar punët që kërkon shoqëria.
Albin Kurti po sillet sikur do të qeverisë vetëm zgjedhësit e Vetëvendosjes, ndërkohë që parlamenti ka prodhuar një pasqyrë të qartë të ndërtimit të shtetit, ku zgjedhjet e njëpasnjëshme i kanë thënë Kurtit se “ti nuk mundesh dot të krijosh institucione pa kompromis politik”.
Megjithatë, tani LDK-ja e la topin në fushën e Kurtit dhe tha se do të votojë një president konsensual.
Po kjo nuk është ajo që duhet të na shqetësojë më shumë në këtë situatë!
Ajo që duhet të na shqetësojë është fakti se kujt i shërben kjo pasqyrë politike që po shënon Kosova në këtë precedent të përsëritur krizash?
Unë mendoj se kriza e përsëritur e Kosovës i shërben tezës së vetme dhe të fortë të Serbisë kundrejt shqiptarëve të Kosovës, asaj që shqiptarët e Kosovës nuk janë të aftë të bëjnë shtet.
A është kjo një e mirë për Kosovën në këtë situatë të brishtë, me kaq pak vite pavarësi dhe më pak vite konsolidim?
Përveç se nuk është e mirë, i jep premisat e një tranzicioni Kosovës, që do të duhej ta shmangte duke përfituar nga historitë që kanë ndodhur në Ballkan.
Kjo situatë do të duhej të ishte një mësim për shoqërinë e Kosovës, e cila do të duhej të reflektonte për të ndarë, në raport me mbështetjet politike, se a mund të jetë pesha politike e vendit e barabartë me peshën individuale të një politikani të caktuar.