Connect with us

Kosova

Kurti takohet edhe me Rutten e Zelenskyn: Anëtarësimi në BE dhe NATO, garanci për siguri afatgjate

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë ka biseduar edhe me Shefin e NATO-s, Mark Rutte dhe me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Kurti ka thënë se ka marrë pjesë në dy panele: “European Coalition Against Drugs” dhe “Reinforcing Democratic Resilience and Addressing Hybrid Threats” dhe ka pasur shumë takime me liderë shtetesh.
Ai ka deklaruar se Kosova është e përcaktuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si një domosdoshmëri por edhe si garancia më e mirë për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon, shkruan Reporteri.net.
“Pata kënaqësinë të takoj e bisedoj me miq si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së Kaja Kallas, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden, kryeministri i Finlandës Petteri Orpo, Princi Albert II i Monakos, e po ashtu liderë shtetesh me të cilat synojmë të lidhim marrëdhënie diplomatike si presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si një domosdoshmëri por edhe si garancia më e mirë për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon në njërën anë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në anën tjetër”, ka shkruar Kurti.
Në përfundim, Kurti tha se njohja e Republikës së Kosovës nga vendet që ende hezitojnë ta bëjnë këtë dhe avancimi i statusit në shtet kandidat për anëtarësim “janë hapat që duhet t’i paraprijnë një procesi të bazuar në merita”.

Advertisement