Politike
“Kush e mori ishullin? Si e mori?”/ Rama zbulon detaje nga biseda me Ivanka Trump
Intervista e vajzës së presidentit amerikan, Donald Trump, Ivanka Trump për ishullin e Sazanit shkaktoi debat në “Shqipëria Live”.
Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës për moderatoren Sidorela Gjoni theksoi se ‘nuk jepen dhe merren ishuj fshehtas’.
Kreu i qeverisë ndër të tjera tha se nëse Ivanka Trump do të kishte marrë ishullin, do duhej të kishte ndodhur një proces.
Rama: Këtu jemi në kushtet e një situate që ka shpërthyer me plot të drejtë nga një akt i hatashëm në barbarinë e vet, dhe pastaj ka vazhduar me shqetësimin real për çështjet e mjedisit dhe është transformuar në protestë për të rrëzuar qeverinë. Sikur unë t’i bëja atyre që qarkullojnë lart e poshtë dhe u bëhet jehonë në ekrane, edhe unë do isha revoltuar dhe do isha duke protestuar. Po të kisha interesimin për mjedisin, do protestoja për mjedisin.
Pyetje: Kujt i besuat kontrollin?
Rama: S’kam nevojë unë t’i besoj kontrollin e situatës dikujt; politika ka bërë detyrën e vet dhe e kanë bërë në një mënyrë për t’u respektuar.
Pyetje: Doja të dija reagimin, si e vutë në kontroll situatën…
Rama: Qytetarët janë të lirë të bëjnë ç’të duan sa kohë respektojnë sigurinë dhe qetësinë e të tjerëve.
Pyetje: Një video që u bë virale ka qenë intervista e Ivanka Trump e cila shpjegon si e ka njohur Zvërnecin për herë të parë. Kaq e thjeshtë ishte negociata?
Rama: Ju po talleni. Me kë po talleni? Me veten, publikun, me vendin, me kë po talleni? Që thoni “kaq e thjeshtë ishte”, çfarë është kjo? Me kë talleni ju? Me njerëzit që ju ndjekin dhe informohen? Apo talleni me veten?
Pyetje: Intervista është virale dhe zonja tregon si është “dashuruar” me Zvërnecin.
Rama: Ju nuk thatë këtë. Ju thatë “kaq e lehtë ishte”. Çfarë mori? Kë mori?
Pyetje: Zvërnecin për të investuar.
Rama: Si e mori? Në çfarë forme? Unë duhet të provoj ty…
Pyetje: Jo mua, shqiptarët.
Rama: Ti ngre në hava një budallallëk dhe duhet të shpjegoj që s’e ka marrë. Është skandaloze kjo që bëni me shqiptarët dhe me ata që janë në protestë.
Pyetje: A është budallallëk intervista e saj?
Rama: Po të kishte marrë zonja në fjalë ishullin, do duhej të kishte ndodhur një proces, sepse në Shqipëri, pavarësisht si funksionon imagjinari kolektiv, nuk mund të jepen dhe merren ishuj fshehtas. S’ka si të ndodhë. Sot nuk kemi një konkluzion me Sazanin, pasi jemi duke negociuar. Juve dhe shumë si ju nuk ju intereson e vërteta.
Pyetje: Na intereson, ju thoni që po them budallallëqe.
Rama: Se çfarë po pyesni ju, e dëgjova me vëmendje dhe pyetja ime është budallallëk masiv.
Pyetje: S’ka pyetje naive. Po kërkoj përgjigje për atë që po thotë zonja.
Rama: Ju falënderoj shumë për mundësinë… mendova që do ishte me interes që njerëzit të dëgjonin. Ju nuk keni interes që njerëzit të dëgjojnë. Tani do flas unë.
Pyetje: I drejtoj unë pyetjet.
Rama: Ju abuzuat të drejtën tuaj.