Në vijim të vizitës së tij në Aachen, Gjermani, Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë tradicionale të akordimit të çmimit ndërkombëtar “Karli i Madh”, ku u ftua të mbajë fjalën kryesore.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shqipëria krenohet me frymën e vjetër të tolerancës shoqërore dhe se pas Luftës së Dytë Botërore, ishte i vetmi vend me më shumë hebrenj sesa para nisjes së saj.

“Jam me fat që vij nga një vend i cili krenohet me frymën e vjetër të tolerancës shoqërore. Ne bashkëjetesën e ndërsjelltë të besimeve të ndryshme fetare, dhe ata që shkruan për tolerancën, shpesh i panë si më të vështirë për t’i përfshirë. Shqipëria një vend me shumicë myslimane, ishte i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të luftës së dytë botërore, përpara sesa të niste.

Toleranca për Shqipërinë nuk ishte thjesht një pranim pasiv, apo një njohje me zor i diversitetit të dikujt. Toleranca kërkon të dalim jashtë zonës së rehatisë. Jo thjesht duke pranuar pikëpamjet tjera, por duke u angazhuar në mënyrë të përhershme në kompleksitetin e historive tonë. Është tolerance që kurrë nuk rresht së luftuari me armët e kritikës dhe autokritikës duke shmangur shkuarjen te armët reale që do të na shkatërronin. Vetëm një formë toleranca që nuk e braktis dialogun mes besimeve mund të mbrojë të mirën më të rëndësishme përtej mosmarrëveshjeve, betimi se të gjithë jemi qenie njerëzore. Toleranca ende mbetet një temë komplekse”, tha Rama

Çmimi i Karlit të madh, (Charlemagne Prize) konsiderohet si një nga nderimet më të rëndësishme europiane dhe që prej vitit 1950, me këtë çmim janë nderuar individë dhe institucione me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës.

Këtë vit, çmimi ndërkombëtar “Karli i Madh”  i akordohet Kryerabinit Pinchas Goldschmidt, President i Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Evropë.