Bota
“Lufta civile në Siri ka përfunduar”/ Merz: Nuk ka asnjë arsye që sirianët të kërkojnë azil në Gjermani
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se sirianët nuk kanë më arsye për të përfituar azil në Gjermani, pas përfundimit të luftës civile në vendin e tyre. Ai shtoi se ata do të inkurajohen të kthehen për të ndihmuar në rindërtimin e atdheut.
“Lufta civile në Siri ka përfunduar. Nuk ka më arsye për të dhënë azil në Gjermani, që do të thotë se mund të fillojmë procesin e rikthimit të tyre në atdhe,” tha Merz gjatë vizitës së tij të hënën në qytetin Huzum në veri të Gjermanisë. Ai gjithashtu përmendi mundësinë e deportimeve për ata që refuzojnë të kthehen.
Deklaratat e tij duket se bien në kundërshtim me ato të ministrit të Jashtëm, Johan Vanteful, i cili pas vizitës së tij në Damask javën e kaluar shprehu dyshime se shumë sirianë do të zgjedhin të kthehen, duke marrë parasysh shkatërrimin dhe paqëndrueshmërinë e vazhdueshme, që sipas tij e bëjnë të vështirë jetesën dinjitoze. Fjalët e kreut të diplomacisë gjermane shkaktuan reagime të forta brenda vetë partisë së tij, CDU.
Kancelari Merz premtoi gjithashtu se Berlini do të kontribuojë në rindërtimin e Sirisë, duke theksuar se shumë sirianë që ndodhen aktualisht në Gjermani do të kthehen për të marrë pjesë në këtë proces.
“Pa këta njerëz, rindërtimi është i pamundur,” tha Merz. “Dhe ata që refuzojnë të kthehen, natyrisht mund të deportohen në të ardhmen e afërt,” shtoi ai.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 951.400 sirianë ndodheshin në Gjermani në fund të gushtit, prej të cilëve 920 kishin urdhër deportimi në pritje.