Connect with us

Rajon

Maqedoni e Veriut/ VMRO dhe VLEN bisedojnë për formimin e Qeverisë së re

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, por pjesë e saj mund të jenë edhe parti të tjera opozitare që kanë fituar mandate në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj. Kështu kanë bërë të ditur drejtuesit e VMRO DPMNE-së, që fituan zgjedhjet e dyfishta, parlamentare dhe ato presidenciale, me një diferencë të madhe kundrejt Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se pret që deri më 28 maj të bëhet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe më pas ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, por ai thotë se bisedimet do t’i nisë edhe para këtyre afateve. “Shumë shpejt do t’i fillojmë negociatat me partitë opozitare për të formuar koalicionin dhe Qeverinë më të mirë për Maqedoninë tonë. Procesi do të jetë transparent. Kam biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN – Bilall Kasamin, kryetarin e Tetovës, dhe Arben Taravarin e Gostivarit. Presim që sa më parë t’i nisim bisedimet për programin e Qeverisë së re. Do të bisedojmë edhe me partitë tjera opozitare… Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë [së deritashme] dhe e shpëtoi vendin e tij”, ka deklaruar Mickoski.

Drejtuesit e koalicionit VLEN që mbrëmjen e 8 majit, kur dolën rezultatet e para jozyrtare, thanë se do të jenë pjesë e Qeverisë së re, së bashku me VMRO DPMNE-në. Një prej drejtuesve të tyre, Bilall Kasami që drejton lëvizja BESA, paralajmëron formimin e grupeve të punës për hartimin e programit të ri qeveritar.

“Ky koalicion do të jetë garantues i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe garantues i të drejtave të shqiptarëve, sepse zgjedhjet treguan se ne kemi marrë mandatin e shqiptarëve që të jemi përfaqësues të tyre dhe të sjellim vendime që janë në të mirë të tyre dhe të të gjithë qytetarëve të vendit, si dhe integrimit në BE. Bazuar në rrethanat dhe rezultatin zgjedhor, ne besojmë se shumë shpejt mund të marrim mandatin dhe të formojmë qeverinë e re”, ka deklaruar Kasami.

 

 

VMRO DPMNE-ja, sipas të dhënave preliminare të KSHZ-së, në zgjedhjet e 8 majit ka fituar 58 mandate – dy më pak se gjysma e përbërjes së Parlamentit prej 120 ulëseve.

Koalicioni opozitar shqiptar, VLEN, ka fituar 13 mandate, partia E Majta- 6, aq sa edhe lëvizja ZNAM. Këto parti, nëse arrijnë të merren vesh për të formuar qeverinë e re, atëherë do të kenë 83 deputetë apo mbi dy të tretat e deputetëve në Kuvend.

Lidhja Social-Demokrate që udhëhoqi vendin në shtatë vjetët e fundit së bashku me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) ka pranuar disfatën pasi në zgjedhje arriti të merrte 18 mandate, por BDI-ja që drejtohet nga Ali Ahmeti me 19 mandatet e fituara pretendon se është përfaqësuese legjitime e shqiptareve.

Kryeministri teknik në largim, Talat Xhaferi, që është nga BDI-ja nuk i ka komentuar qëndrimet e VMRO DPMNE-së dhe të koalicionit VLEN.

“Çështja e mandatit të ardhshëm të qeverisë së ardhshme i takon procedurave, kalkulimit dhe bisedimeve ndërpartiake apo subjekteve që kanë fituar mandate në Kuvend”, ka thënë Xhaferi duke mos iu shmangur pyetjes lidhur me qëndrimin e VMRO DPMNE-së se “BDI-ja do të kalon në opozitë”.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmjen e 8 majit i pyetur se çfarë do të ndërmarrë partia e tij nëse mbetet në opozitë, tha se “ shteti më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe…”, që në opinion u interpretua si kërcënim nga ana e tij, nëse VMRO-ja vendos që të mos e ftojë në bisedime për qeverinë e re, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët.

Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se nuk e përjashton mundësinë që të ketë edhe përpjekje për destabilizim. “Presim gjithçka. Kemi informacione për gjithçka që flitet dhe planifikohet atje. Neve nuk na mbetet asgjë tjetër, por si qeveri e ardhshme në rast se ka protesta të dhunshme të sigurojmë institucionet dhe sistemi të funksionojë”, ka thënë Mickoski për televizionin maqedonas Kanal 5.

Drejtuesit e VMRO-së në vazhdimësi kanë përsëritur se nga viti 2017 më nuk ekziston parimi “fituesi me fituesin”, një rregull e pashkruar, që kishte të bënte me formimin e qeverive nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të programeve të tyre. Në zgjedhjet e vitit 2016, VMRO DPMNE-ja kishte fituar zgjedhjet, por pas përplasjeve të shumta, me disa muaj vonesë, në vitin 2017 Qeveria u formua nga LSDM-ja si humbëse e zgjedhjeve te maqedonasit, falë mbështetjes që mori nga partitë shqiptare./Voa/

Rajon

Mali i Zi shkeli Serbinë, Vuçiç kërkon hakmarrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë që do të mbahet javën e ardhshme, do ta marrë vesh se kush janë në të vërtetë miqtë e Serbisë.

Kreu i shtetit serb gjithashtu ka kritikuar Malin e Zi për vendimin e tij për ta mbështetur Rezolutën, por edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Të gjithë ata që nuk votojnë apo abstenojnë janë miq, do të festojmë dhe mbrojmë flamujt e tyre, por edhe do të kemi marrëdhënie korrekte me të tjerët. Serbia nuk e cenoi integritetin territorial të Malit të Zi, por Mali i Zi e shkeli Serbinë”- tha Vuçiç gjatë një interviste në mediumin serb TV Pink.

Kujtojmë se Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e njohu pavarësinë e saj.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj, vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Continue Reading

Rajon

Taravari: Shqiptarët do të kenë kryeparlamentarin e gjashtë ministri

Në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, shqiptarët do të udhëheqin me gjashtë ministri dhe me kryetarin e Kuvendit, bëri të ditur ekskluzivisht për Radio Televizionin e Kosovës, Arben Taravari nga koalicioni VLEN.

“Besoj që njërën prej tre funksioneve kryesore të shtetit, respektivisht kryetari i parlamentit do të vazhdoj të jetë shqiptar dhe numër i konsiderueshëm i ministrave, posaçërisht aty ku kemi ekspert ne si parti të VLEN-it do t’i vendosim. Besoj se përfaqësimi aty do jetë i dinjitoz, me njerëz profesionist”, tha ai.

Taravari tha se konstituimi i Kuvendit do të bëhet në fund të këtij muaji, kurse Qeveria e re pritet të votohet në pjesën e parë të muajt qershor.

“Konstituimi i Kuvendit është planifikuar të bëhet diku ka fundi i këtij muaji, muajit maj, dhe ne ndërkohë ka fundi i javës së ardhshme do t’i kemi edhe zgjedhjet kadrovike dhe programin qeveritar. Pasi të konstituohet Parlamenti duhet që presidentja e shtetit t’i jep mandatin mandatarit të ardhshëm. Në gjysmën e parë të qershorit sigurisht do ta kemi Qeverinë e re”, tha ai.

Partnerët e koalicionit ,sipas Taravarit, janë pajtu që prioritet i Qeverisë së re të jetë rruga drejt Bashkimit Evropian, lufta pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës.

Continue Reading

Rajon

Kreta “pushtohet” nga pluhuri i Saharasë

Kreta është “pushtuar” nga pluhuri afrikan. Drejtoria e Shëndetit Publik të Qarkut të Kretës u ka bërë të ditura qytetarëve masat që duhet marrin për t’u përballur me pluhurin e Saharasë.

Mediat në vend raportojnë se përqendrimet e regjistruara deri më tani të grimcave në ajër janë shtuar.

Universiteti i Kretës dhe Universiteti Teknik i Kretës informojnë se sipas modeleve parashikuese “përqendrimet mesatare ditore të PM10 për ditën e sotme të shtunën dhe të dielën 19.05.2024 do të luhaten në nivele mesatare. (51- 75 µg/m3) për shkak të fenomenit intensiv të transportit të pluhurit nga Saharaja.”

Për këtë arsye, të rriturve me probleme me frymëmarrjen, atyre me sëmundje të zemrës dhe fëmijëve me probleme me frymëmarrjen, u rekomandohet që të kufizojnë çdo ushtrim fizik intensiv, veçanërisht nëse bëhet jashtë.

Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar që të mbajnë maskat me mbrojtje të lartë FFP2, N95 & KN95, duke qenë se ato mund të mbrojnë qytetarët që janë aktivë në natyrë. Përveç kësaj, rekomandohet po ashtu marrja e masave për të përmirësuar cilësinë e ajrit të brendshëm.

Continue Reading

Rajon

Përplasja me RMV, Mitsotakis mesazh paralajmërues: Qeveria e Shkupit duhet të përdorë vetëm emrin Maqedonia e Veriut

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë për një emision grek në ERT, tre javë para zgjedhjeve europiane të 9 qershorit.

Kryeministri i dërgoi një mesazh paralajmërues qeverisë së re, për çështjen e Maqedonisë së Veriut.

“Dua t’i dërgoj edhe një herë një mesazh paralajmërues qeverisë së re: të ndryshojë linjën që tani e tutje, të respektojë këtë dispozitë qendrore të Marrëveshjes së Prespës, të përdorë vetëm emrin Maqedonia e Veriut brenda dhe jashtë vendit, kur i referohen fqinjit tonë verior”, tha Mitsotakis.

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev gjithashtu komentoi situatën, duke thënë se shpreson që politikanët në Maqedoninë e Veriut të kenë kuptuar se fushata zgjedhore ka përfunduar.

“Shpresoj që politikanët në Maqedoninë e Veriut ta kenë kuptuar se fushata zgjedhore ka përfunduar. Dhe nëse bisedat dhe sjellja e tyre destruktive shndërrohen në veprime reale, kjo do të thotë qe po e shtyjnë vendin e tyre drejt izolimit, duke e larguar atë nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Continue Reading

Rajon

Vuçiç shtrëngohet me Dodikun në pritje të 8 qershorit

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, eshte takuar në Beograd me presidentin e RS, Milorad Dodik dhe tema kryesore e bisedës, sipas Vucic,  ishin marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Serbisë dhe RS-së dhe reagimi i mbarë popullit serb për votimin e rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

“E informova Presidentin Dodik për përpjekjet që po bën Serbia për të mbrojtur interesat jetike kombëtare të popullit serb, si dhe të drejtën publike ndërkombëtare, duke përsëritur edhe një herë se miratimi i një rezolute të tillë do të nënkuptonte hapjen e kutisë së Pandorës për e ardhmja duke hapur plagë të panumërta nga e kaluara”, ka shkruar  Vuçic në llogarinë e tij në Instagram.

Në të njëjtën kohë, sipas fjaleve te presidentit serb, “temë e veçantë diskutimi ishte Kuvendi i ardhshëm i Popullit Serb i planifikuar për 8 qershor në Beograd, për të cilin aktivitete të shumta të përbashkëta, nënshkrimi i memorandumeve dhe marrëveshjeve, si dhe ngjarjet që do të konfirmojnë unitetin e popullit dhe të drejtën e tij për të ruajtur vatrat e tyre, të jenë të tyret, janë rënë dakord dhe mbrojnë të drejtën për të ardhmen e brezave që do të vijnë”.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING