Bota
“Do të shkoj në parajsë”/ Trump për jetën pas vdekjes: Jam njeri fetar
Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr vëmendjen me deklaratat e bëra gjatë një interviste për emisionin “60 Minutes” të CBS News, ku foli për besimin fetar, vdekjen dhe mundësinë që pas jetës të shkojë në parajsë.
Gjatë bisedës me gazetarin Ross Douthat, Trump u pyet se çfarë mendon se ndodh pas vdekjes dhe ku beson se do të përfundojë.
“Unë jam një njeri fetar, kështu që teorikisht shkoj në parajsë”, u përgjigj presidenti amerikan. I pyetur nëse beson se do të përfundojë vërtet atje, ai shtoi: “Shpresoj kështu. Nuk dua të shkoj në ferr”.
Biseda mori një tjetër drejtim kur gazetari e pyeti nëse Trump do të ishte i gatshëm të falte kundërshtarët e tij politikë, mes tyre James Comey dhe Nancy Pelosi, nëse falja do të ishte kusht për të hyrë në parajsë.
“Përgjigjja është jo. Dua të jem i sinqertë, jo”, deklaroi Trump, duke shtuar se nuk mund të pretendonte se do t’i falte.
I pyetur nëse mund ta kapërcente urrejtjen ndaj kundërshtarëve të tij, presidenti amerikan u përgjigj: “Ndoshta nuk mundem, jo, sepse i urrej disa prej armiqve të mi dhe do t’i urrej gjithmonë”.
Këto deklarata janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe kanë tërhequr vëmendjen për përgjigjet e Trump mbi besimin dhe faljen.
Intervista e plotë u transmetua të dielën, më 8 nëntor, në emisionin “60 Minutes”. Përveç çështjeve fetare, biseda përfshiu edhe humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, luftën me Iranin, inteligjencën artificiale dhe UFO-t.