Shkrime
BERISHA I DHA PREMIEREN, BINAJ E DO SUKSESIN SOLO, POR KUJTESA NUK HARRON-SATIRE POLITIKE
Florian Binaj, ish-aktori që publiku e kujton si policin e “Portokallisë”, ka vendosur të provojë uniformën e kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Binaj kandidon si i pavarur. Një vendim që, në pamje të parë, tingëllon si shpallje e një misioni qytetar, larg partive, pazareve dhe prapaskenave politike. Por ka një problem të vogël me këtë skenar: publiku ka kujtesë!
Në muajin tetor 2025, Binaj u shfaq në skenën politike si kandidat i mbështetur nga Sali Berisha. Atëherë nuk kishte shumë dilema për identitetin politik. Rruga drejt bashkisë kalonte përmes oborrit të opozitës dhe bekimi vinte nga selia e demokratëve.
Vendimi atë kohë u bë publik pas mbledhjes së kryesisë së vogël dhe grupit negociator.
“Grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave qytetare, komunikatorin e talentuar zotin Florjan Binaj.“
Tani, me sa duket, skenari ka ndryshuar. Nga kandidati i mbështetur nga Berisha, në kandidatin e pavarur. Nga një krah politik te vetëvetja.
Ndoshta Binaj ka kuptuar se për të fituar Tiranën duhet të dalësh nga hijet partiake. Ndoshta ka menduar se etiketa “i pavarur” tingëllon më bukur në veshët e votuesve sesa etiketa “kandidati i Berishës”. Ose ndoshta ka vendosur të luajë një rol të ri, ku regjisori nuk është më Sali Berisha, por vetë Florian Binaj.
Në fund të fundit, Binaj ka të drejtë të kandidojë si i pavarur. Madje, në një demokraci, kjo është krejt normale. Por edhe qytetarët kanë të drejtë të pyesin se kur ndodhi ky zbulim i madh i pavarësisë: përpara apo pasi nuk funksionoi skenari i parë politik?
Imagjinoni fushatën: Binaj do të trokasë në dyert e qytetarëve dhe do t’u thotë se nuk përfaqëson askënd, se nuk ka prapa asnjë parti dhe se është krejtësisht i pavarur. Nëse dikush e pyet për kandidaturën e tij të mëparshme me Berishën si mbeshtetje, Binaj mund t’i përgjigjet se ajo ishte një tjetër jetë, një tjetër rol, ndoshta edhe një tjetër sezon i “Portokallisë”.
Në politikë mund të ndryshosh parti, aleancë, strategji dhe madje edhe biografi elektorale. Por nuk mund t’i kërkosh publikut të harrojë episodin e kaluar vetëm sepse ke dalë në një sezon të ri.
Florian Binaj duket se po kërkon të marrë Bashkinë e Tiranës si i pavarur. Mbetet të shihet nëse do të jetë vërtet i pavarur nga politika, apo thjesht i pavarur nga kujtesa e Sali Berishës!