Ekonomi
Masa antiCovid/ Karantinim dy javor për çdo kafshë të importuar dhe blerë nga fermat private
/ATSH/ Me qëllim parandalimin e përhapjeve të sëmundjeve infektive Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka forcuar rregullat e sigurisë në fermat e mbarështimit të kafshëve dhe të shpendëve.
Urdhri i Ministrisë të Bujqësisë i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton se “kafshët e importuara apo të blera nga ferma private dhe tregje duhen të vendosen në izolim (karantinë) të paktën për dy javë dhe të kryhet monitorimi nga afër i shëndeti të tyre, nëse është e mundur t’u nënshtrohen edhe analizave laboratorike”.
Punonjësit e fermave sipas urdhrit të Ministrisë të Bujqësisë duhet të jenë të pajisur me veshjet mbrojtëse dhe në hyrje të çdo ferme duhet të ndërtohet vaska e dezinfektimit të mjeteve. Sakaq fermat e mëdha duhet të jenë të pajisur me regjistër për vizitorët që nënshkruajnë hyrje-daljet dhe të zbatojnë rregullat për veshjet mbrojtëse.

