Thinking ...
Connect with us

Kronike

Atentati në Sarandë/ Ndërhyjnë “kokat” e Policisë, kërkohet shkarkimi i të gjithë zinxhirit komandues

Pas një serie ngjarjesh kriminale të regjistruara në Sarandë gjatë rreth një viti, Policia e Shtetit ka vendosur të rivlerësojë situatën e sigurisë në këtë zonë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar ngritjen e një Task-Force të posaçme për një vlerësim të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës.

Vendimi vjen pas ngjarjes së 20 shtatorit, ku 44-vjeçari Artan Murtaj u vra me armë zjarri në qendër të qytetit, ndërsa mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit.

Sipas Policisë së Shtetit, Task-Forca do të përbëhet nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike. Grupi do të analizojë situatën kriminale dhe masat e marra deri tani në këtë zonë.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë një takimi me drejtues të policisë në qarqe, e ka vendosur situatën në Sarandë në fokus të diskutimeve. Sipas informacionit të bërë publik, Demo ka kërkuar shkarkimin e zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Sarandë.

Gjatë periudhës së fundit, në Sarandë janë regjistruar disa ngjarje kriminale, përfshirë atentate, plagosje dhe dëmtime prone. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjeve dhe identifikimin e autorëve.

Advertisement