Thinking ...
Connect with us

Kosova

A duhet të na thuhet vetëm në një gjuhë të huaj se çfarë po synohet dhe çfarë po fshihet pas procesit gjyqësor, juridik e politik në Hagë?

Nga Hisen Berisha

Kjo pyetje merr një peshë të veçantë pas qëndrimit të avokatëve të Hashim Thaçit, jurist me përvojë në proceset juridike dhe gjykimet e luftërave për liri, të cilët, duke komentuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, vunë theksin pikërisht te raporti që vendimi krijon ndërmjet luftës për pavarësi të Kosovës dhe mjeteve që Trupi Gjykues i ka cilësuar si kriminale. Në po të njëjtin mendim janë edhe shumë diplomat e ekspert ndërkombëtar, që nuk i shërbejnë pretendimeve serbe e ruse në kezë proces.

Sipas interpretimit bërë aktgjykimit, Trupi Gjykues ka shkuar më tej duke konstatuar se një pjesë e qëllimit të anëtarëve të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” dhe “të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së” lidhej me arritjen e pavarësisë së Kosovës përmes krimeve të luftës dhe se mjetet e përdorura për arritjen e saj ishin, në një masë të konsiderueshme, kriminale.

Këtu qëndron çështja që nuk mund të anashkalohet.

Sepse vetë aktgjykimi, në formulimin e tij, thotë se Trupi Gjykues i konsideroi si objektiva sigurimin e pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi Kosovën, por nuk e konsideroi të nevojshme të përcaktonte nëse këto objektiva, në vetvete, ishin kriminale ose të paligjshme.

Por pikërisht këtu lind pyetja politike dhe juridike për Kosovën, se çfarë pasoje në planin historik, juridik dhe të së drejtës së një populli për vetëvendosje mund të ketë një interpretim gjyqësor që e lidh arritjen e pavarësisë me mjete të cilësuara në masë të konsiderueshme kriminale?

Kjo nuk është më vetëm çështje e individëve të dënuar. Është një çështje që kërkon debat institucional dhe kushtetues në Republikën e Kosovës.

Prandaj, nëse kërkohet rishikimi politik e institucional i këtij mekanizmi, çështja duhet të zhvendoset nga rruga në Kuvend për zhbërjen e Dhomave Speciale.

Pikërisht për këtë arsye, çdo debat për të ardhmen e këtij mekanizmi duhet të zhvillohet në Kuvend, mbi bazën e Kushtetutës, ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe duke i deroguar detyrimet që burojnë prej tyre për Kosovën.

Përkundër vetë kornizës ligjore të Dhomave, që përcakton se “mandati i tyre vazhdon deri në njoftimin nga Këshilli i Bashkimit Evropian për përfundimin e mandatit”; çështja nuk duhet të reduktohet në zemrim, protesta dhe përplasje politike. As me sulme ndaj Policëve, as në gjuajtje me gurë e mollotov në institucione vendore dhe të Pranisë Ndërkombëtare, as me dëmtimin e tyre.

Por me votë, debat, dokumente dhe përgjegjësi institucionale e veprim shtetëror.

Dhe pyetja që duhet t’i bëhet Kuvendit është se, çfarë kuptimi ka për shtetin e Kosovës dhe për rendin e tij kushtetues një interpretim që e lidh, qoftë edhe përmes mjeteve të përdorura, luftën për pavarësi me një qëllim të cilësuar në kontekstin e përgjegjësisë penale si kriminal?

Kjo është çështje për debat kushtetues, juridik, politik e vendimmarje, në institucionet e Republikës – në kuvend.

Advertisement