Thinking ...
Connect with us

Kronike

Vrasja e Artan Myrtajt/ Policia nis “pastrimin” e strukturave në Sarandë

Vrasja e 44-vjeçarit Artan Myrtaj dhe plagosja e një këmbësori në Sarandë kanë sjellë reagimin e strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit. Një ditë pas ngjarjes, është ngritur një grup i posaçëm me ekspertë të Policisë Kriminale dhe të Sigurisë Publike për të rivlerësuar situatën kriminale në qytet dhe mënyrën e funksionimit të strukturave vendore.

Sipas Policisë së Shtetit, vendimi është marrë pas analizës së zhvilluar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë me drejtuesit e Komisariatit të Sarandës, në lidhje me ngjarjen e 20 shtatorit.

Grupi i posaçëm do të bashkëpunojë me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, drejtuesit e Komisariatit të Sarandës dhe strukturat hetimore, ndërsa do të kryhet edhe një rivlerësim i performancës së të gjithë zinxhirit drejtues të komisariatit, si dhe të efektivëve të roleve bazë dhe drejtuese.

Policia njofton se, në varësi të rezultateve të këtij vlerësimi, do të ndërmerren masat përkatëse. Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, të shoqëruara edhe me mbështetjen e nevojshme logjistike.

Ndërkohë, hetimet për vrasjen e Artan Myrtajt vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë. Grupi hetimor po kryen veprimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet dhe veprimet operacionale në terren.

Advertisement