Politike
Maturantët nën presion të fortë/ Ministria paralajmëron: një gabim dhe humbet provimin
Në konferencën e sotme për mediat që mbahet vetëm pak ditë para provimit të parë të Maturës Shtetërore 2026, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro sqaroi detaje nga organizimi i punës për mbarëvajtjen e provimeve, ndërsa vuri theksin tek ashpërsimi i rregullave me qëllimin për të garantuar një proces të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.
“Bëhet fjalë për një punë shumë voluminoze të filluar që në muajin dhjetor të vitit 2025, kur miratuam rregulloren e maturës shtetërore. Ka qenë një proces i përditshëm për maturantët, ka filluar me publikimin online të modeleve të provimeve disa muaj më përpara, duke u dhënë mundësinë të ushtrohet. Dhe ka kulmuar me testet provë në qendrat e provimeve, ku janë simuluar provimet e maturës, fiks në të njëjtat kushte siç do të zhvillohen në datë 2, 9, 16 dhe 23 qershor, që nga organizimi logjistik, deri te masat e sigurisë, ndarja në klasa, kryerja e provimit sipas kohëzgjatjes etj.
Kemi 144 qendra provimi në gjithë vendin, janë mbi 170 monitorues direkt nga Ministria e Arsimit nëpër shkolla, është një proces që përfshin Ministrinë e Arsimit, Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale Arsimore, Zyrat Vendore Arsimore dhe sigurisht Qendrën e Shërbimeve Arsimore”, bëri me dije ministrja Kumbaro.
Më tej gjatë komunikimit me mediat, Kumbaro sqaroi se ka pasur një ashpërsim të kësaj rregulloreje krahasuar me vitin e kaluar, me detyra, përgjegjësi dhe sanksione të qarta që tek përgjegjësit e administrimit, tek administratorët, përgjegjësit e kateve, dhe tek përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.
“Kemi nisur dhe po kryejmë një fushatë sensibilizimi për maturantët, për çfarë nuk lejohet gjatë provimit, ku patjetër celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje e këtij lloji është rreptësisht e ndaluar. Dhe çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi. Pra është një kosto që unë uroj të mos e marrë përsipër asnjë maturant, që të hedhë poshtë vitet e shkollimit vetëm për një gabim të tillë të pafalshëm”, tha ministrja.