Connect with us

Aktualitet

Metamorfoza/ Zbriti nga fshati, student drejtesie dhe narkotfaikant

Emisioni “Në Shënjestër”, nga gazetarja Klodiana Lala zbardh dosjen e Dritan Rexhepit për vrasjet në vitin 1999, si dhe përfshirjen e tij në botën e trafikut të lëndëve narkotike. Në vitin 1999, Rexhepi vrau Arben Keqi e Durim Kasmi, të dy police. Sipas dosjes Dritan Rexhepi eleminoi Kasmin për llogari të Shkëlqim Hakës, pasi viktima kishte qëlluar me grusht Hakën.

Pjesa e parë e dokumentarit:

Dritan Rexhepi nuk është më i pakapshëm. I lindur në Velçë të Vlorës, në një familje me 4 fëmijë, Rexhepi që emrin e lindjes e ka Gramoz, mund të quhet pa frikë si një nga mendjet gjeniale të botës së krimit, dhe ndoshta shqiptari më i rëndësishëm në botën e narkotrafikut, të paktën deri më tani.

Njeriu që pas El Chapos, ishte cilësuar si i arratisuri më i kërkuar i karteleve të drogës, që kishte thyer disa herë burgjet më të larta të sigurisë në kërkim të lirisë, tashmë nuk mund të konsiderohet më një fantazmë për policinë ndërkombëtare, që ishte vënë nga pas, që nga arratia e tij e fundit në 2022, nga një burg ekuadorian.

Liri që mori fund mëngjesin e datës 8 Nëntor 2023, vetëm pak ditë pasi kishte zbritur në një aeroport turk dhe fshihej në Beylikduzu, një lagje e varfër e Stambollit, me ndërtesa të ulta, e cila shërben si vendstrehim edhe për shumë vizitorë të huaj. Ashtu sikurse ishte kamufluar këtë herë edhe vetë Dritan Rexhepi, i cili mbante një pasaportë kolumbiane me gjeneralitetet Benjamin  Omar Perez Garcia.

Lajmi i parë për arrestimin e tij që u dha nga vetë Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, i cili nëpërmjet një njoftimi në rrjetin e tij social facebook, të shoqëruar edhe me pamjet filmike të operacionit të arrestimit të Dritan Rexhepit, nuk e fshehu aspak entuziasmin dhe euforinë për këtë arrestim.

Duke treguar kësisoj edhe për rëndësinë që ky personazh ka në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku ishte kthyer në një nga bosët më të egër të linjës së trafikimit të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë, sii dhe në një shqetësim madhor me kartelin e tij ‘Kompania Bello’ dhe për një vend si vetë Turqia.

“Trafikanti, Dritan Rexhepi, i cili ndiqej ndërkombëtarisht ka hyrë në vendin tonë nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane, i regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia.”, thuhet në deklaratën e Ali Yerlikaya.

Por si u arrestua në Stamboll Dritan Rexhepi, në gjeneralitetet Benjamin Omar Perez Garcia, i cili ka mbajtur edhe shumë identitete të tjera të rreme dhe cila janë akuzat e ngritura ndaj tij nga Italia dhe Shqipëria, që prej kohësh e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar?

Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Brendshme Turke, bosi i ‘Kompanisë Bello’, i njohur ndryshe si lideri ndërkombëtar i transportit të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë, u arrestua në kuadër të operacionit  ‘Karteli’. Që nga arratia në vitin 2022 nga një burg në Ekuador, ku ai preu byzylykun e sigurisë që kishte në njërën këmbë, emri i tij ishte shënuar me kodin e kuq, si një ndër njerëzit më të kërkuar nga agjencitë ligjzbatuese në disa vende, përfshirë dhe Shqipërinë.

Siç shikohet edhe nga këto pamje të shërbyera nga vetë Ministria e Brendshme e Turqisë, Dritan Rexhepi u arrestua në orët e vona të mbrëmjes së datës 8 Nëntor, nga forca të shumta operacionale të drejtorisë së Narkosit në Stamboll, të specializuara në luftën kundër drogës.

Ai po qëndronte në këtë rezidencë luksoze në lagjen Beylikduzu, kur dera e vilës ku ai qëndronte u shpërthye me forcë nga agjentë të shumtë të antidrogës, ku Rexhepi nuk bëri rezistencë. Gjatë kontrollit, policia gjeti edhe armë dhe municione si edhe sende me vlerë, të cilat u morën në dorëzim. Edhe pse në Turqi, Dritan Rexhepi do të përballet me ligjin në akuzën e ‘udhëtimit, falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, si edhe mbajtjes së paligjshme të armëve dhe municionit’, në Shqipëri dhe Itali kanë një tjetër mendim për të.

Aty ku ai do të përballet me dosje të shumta në ngarkim të tij, të cilat nisin nga akuzat më të rënda të transportit të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë, deri te ato të ‘vrasje’, ‘trafik droge’ ‘rrëmbim’, ku edhe është shpallur i fajshëm në këto dy vende, nga organet gjyqësore respektive të dy shteteve. Akuza për të cilat Turqia është shprehur e gatshme tua dorëzojë Rexhepin, Italisë dhe Shqipërisë, dhe siç tha edhe ministri i Brendshëm i Turqisë, që vendi i tij është i gatshëm ta pastrojë Turqinë nga trafikantët e helmeve, duke iu referuar kështu drogërave të forta.

‘Ne jemi të vendosur të pastrojmë Turqinë nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe trafikantët e helmeve”, deklaroi Ali Yerkaliya.

Sipas medias turke, operacioni për kapjen e Dritan Rexhepit, i konsideruar si një ndër 10 personat më të kërkuar në planet nga Interpoli u krye nga forcat e sigurisë turke në bashkëpunim me ato italiane. Në këtë operacion morën pjesë Drejtoria e Degës së Inteligjencës së Policisë së Stambollit si dhe Ekipet e Drejtorisë Kundër Krimeve Narkotike në Stamboll.

I njohur si edhe si mjeshtri i arratisjeve nga qelitë, media turke i bën edhe një radiografi të gjatë bëmave të Dritan Rexhepit, ndërsa emri i tij herë pas herë ka zënë faqet e mediave ndërkombëtare.

Po si i hyri Rexhepi botës së krimit dhe cila është karriera e tij në botën e nëndheshme? Djali i madh i Olimbisë dhe Luanit, Dritan Rexhepi kishte synime për të vazhduar universitetin në degën e drejtësisë.  Atëkohë familja e tij ishte shpërngulur nga Velça në qytetin e Vlorës dhe i riu punonte në biznesin e familjes. Kur Vlora ishte thuajse e shkërmoqur nga ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997, Rexhepi nis të përfshihet në krime të ndryshme.

Prokuroria e Vlorës kishte nisur ndaj tij hetimet për tentativë vrasje dhe në vitin 2003 u firmosën dënimet e para për të. Më herët, në vitin 1999, Dritan Rexhepi do të skedohej për vrasjen e punonjësit të policisë Durim Kasmi, si dhe të Ramazan Bakiut, ky i fundit një viktimë rastësore, pasi shërbente në lokalin ku ndodhi krimi.

“Nga procesverbali i kqyrjes së vendit të ngjarjes, datë 6 Tetor 1999, ku ka gjetur vdekjen shtetasi Durim Kasmi dhe u plagos Ramazan Bakiu, i cili ndërroi jetë dy ditë më vonë në spital janë gjetur, ndër të tjera, 37 gëzhoja metalike, një çantë e zezë sintetike, me dy rripa, nje krehër automatiku, me sustën e nxjerrë jashtë.

Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor nr.33, datë 6 Tetor 1999, se viktima Durim Kasmi, ka vdekur si rezultat i goditjeve me armë zjarri”, thuhet në dosjen hetimore.

Dyzetë ditë përpara kësaj ngjarje, Kruja ishte tronditur nga një tjetër krim i rëndë, pra vrasja e oficerit të policisë, Arben Keqi, mik me Durim Kasmin. Keqi u qëllua për vdekje me 27 gusht 1999, në sytë e të vëllait por edhe të një kolegu, oficer policie, i cili u largua nga Kruja pas krimeve, për shkak të kërcënimeve. Veç miqësisë së dy viktimave, ngjarjet i lidhte edhe një tjetër detaj, arma e krimit.

“Nga akti i ekspertimit balistik rezulton se nga 37 gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes ku gjeti vdekje shtetasi Durim Kasmi dhe u plagos Ramazan Bakiu, i cili edhe ai më pas gjeti vdekjen dy ditë më vonë, 11 prej tyre, janë qitur nga një armë zjarri, të cilës i është vendosur shuli i armës, që ka qitur 28 gëzhojat e gjetura dhe të sekuestruara gjatë kqyrjes së  vendit të ngjarjes ku mbeti i vrarë shtetasi Arben Keqi më datë 27 Gusht 1999.”, thuhet në dosjen hetimore.

Për vrasjen e Arben Keqit, prokurorët hetuan Sokol Halilaj, mikun e ngushtë të Dritan Rexhepit, por ai më vonë do të merrte pafajësinë jo vetëm për këtë krim, por edhe për ekzekutimin e policit tjetër Durim Kasmi.

Po si ranë prokurorët në gjurmët e vlonjatëve, Halilaj e Rexhepi? Ndihma ju erdhi nga Shefqet Seferi, bashkëpunëtor në vrasjen e Durim Kasmit i cili vendosi të rrëfehej për drejtësinë.

“Bashkë i pandehuri Shefqet Seferi, ka njohur me anë të fotografisë, të pandehurin Dritan (Gramoz) Rexhepaj, si shtetasin Gramoz nga Vlora,

që ka vrarë, në bashkëpunim me të bashkëpandehurin Sokol Halilaj, shtetasin Durim Kasmi dhe ka plagosur rëndë shtetasin Ramazan Bakiu, i cili ndërroi jetë më vonë”, thuhet në dosjen hetimore.

Shefqet Seferi iu tha hetuesve se plani për vrasjen e Durim Kasmit u bë në shtëpinë e Shkëlqim Hakës, nga një të fortët e zonës së Niklës.

“Unë shtetasin Durim Kasmi e kam njohur që në vitin 1996-1997, kur ai punonte si punonjës policie në Krujë. Mesa kujtoj ka qenë vjeshta e vitit 1999 në një kohë rreth 5 javë më vonë nga vrasja e Arben Keqit janë vrarë Durim Kasmi dhe Ram Bakiu. Katër ditë para vrasjes së Durimit në shtëpinë time në Zgërdhesh ka ardhur babai i Shkëlqim Hakës, Shaban Haka, ku ai më tha që të vija me të, pasi më kërkonte Shkëlqimi se kishin ardhur ato shokët nga Vlora.  Bashkë më Shabanin kam shkuar të shtëpia e Shkëlqimit në fshatin Zezë të Niklës, ku takuam Shkëlqimin, Sokolin nga Vlora dhe një djalë tjetër po nga Vlora quhej Gramoz. Shkëlqimi më tha se dy djemtë nga Vlora do të vrisnin policin Durim Kasmi”, ka deklaruar Shefqet Seferi.

I penduari shpjegoi se motivi i vrasjes ishte hakmarrja, pasi polici kishte goditur me grusht kushëririn e Shkëlqim Hakës.

“Mora vesh se disa ditë pas vrasjes së Arben Keqit, Kamberi kishte marrë makinën e Enver Hakës dhe po bënte xhiro në qytet.

Një moment ai kishte xhiruar gomat e makinës, para komisariatit të policisë. Policët kishin ndërhyrë dhe e kishin kapur. Në momentin e ndalimit, polici Durim Kasmi e kishte gjuajtur me grusht ne fytyrë. Për këtë motiv Shkëlqimi ishte i revoltuar dhe kishte vendosur ta vriste Durimin. Duke diskutuar më Shkëlqimin unë i thashë atij se ‘nuk janë njerëzit pula çfarë bën kështu’, ndrërsa ai më tha: ‘Qafsha gocën që kam me të dëgju që kundërshton, unë të vras dhe atje në Zgërdhesh ku je’. Pra, më kërcënoi”, thuhet në dosjen hetimore.

Në banesën e Shkëlqimit u vendos mënyra e kryerjes së vrasjes së shtetasit Durim Kasmi.

Emisioni ‘Në shënjestër’ do të ndalet tek dëshmia që flet për momentin e vrasjes së Durim Kasmit dhe Ramazan Bakiut, ky i fundit nuk ishte në shënjestër të kriminelëve, por plumbat nuk e kursyen.

“Unë mora automatikët në çantë dhe shkova në shtëpinë time në fshat, e të nesërmen në të errur shkova te vendi takimi, ku erdhën Gramozi dhe Sokoli. U dhashë automatikët për të vrarë Durim Kasmin, për të cilin kishin mësuar dhe vendndodhjen. Ata më treguan se Durimi ishte në klub dhe pa kaluar 15-20 minuta unë dëgjova breshëri automatiku dhe pas kësaj pashë dy vlonjatët që vinin në drejtimin tim.

Kur u takuam, Sokoli me Gramozin më thanë se 3-4 janë të vdekur sëbashku me Durimin, më pas u kthyem të shtëpia e Shkëlqim Hakës, ku na priti ai, nëna e tij, dhe babai. Kur u takuam Gramozi i tha që vramë Durimin dhe ai u përgjigj: ‘E mora vesh, fola me dikë në Krujë’.

Më vonë mësova se Durim Kasmi ishte vrarë në lokalin e Ramazan Bakiut, së bashku me këtë të fundit që shërbente në ato momente.

Këta persona si kam takuar më pas, por di që Shkëlqim Haka u vra pas një muaji”, ka deklaruar Shefqet Seferi.

Prokurorët të cilët i hetuan së bashku vrasjet e dy policëve, morën edhe dëshmitë e familjarëve të Arben Keqit. Hajdar Keqi, vëllai i ish-policit Arben Keqi, rrëfeu se familja kreu hetime private dhe mësoi emrat e vrasësve…

“Aktualisht jemi 2 vëllezër dhe 2 motra. Dy vëllezër kanë vdekur. Arbeni është vrarë me datë 27 gusht 1999 para monumentit të ‘Skënderbeut’. Ka qenë mbasdite rreth orës 19.30 dhe në atë kohë ka qenë inspektor krimesh në Komisariatin e Policisë Krujë. Unë në atë moment, kam qenë në punë, rreth 400-500 metra, përballë me Komisariatin e Policisë të Krujës, pasi punoja në një fasoneri këpucësh, tek ish-Artistikja Krujë. Zbrita poshtë dhe pashë njerëz, ku më thanë që po qëllon një i dehur në pazar. U ktheva te puna, e dola përsëri dhe pashë dikë të mbuluar me çarçaf. Gjeta vëllain tjetër Ylli, i cili më tha: ‘Vranë Arbenin’. ‘Kush e vrau’,- i thashë. ‘Një person me automatik’,- më tha.

Ylli ka qenë rreth 70 metra, nga vendngjarja dhe përballë ka parë vrasësin. Ishte impulsiv, i drejtonte armën çdo njeriu që shihte dhe shante me fjalë fyese e ofenduese”, ka deklaruar Hajdar Keqi.

Ylli Keqi nuk mundi të dëshmonte në gjykatë, pasi ndërroi jetë në aksident, por Hajdari vëllai tjetër i viktimës, tha se familja bëri hetime private për të mësuar emrin e vrasësit.

Hajdar Keqi:

“Vëllai im ishte shok me Durim Kasmin. Vrasja e Durimit ndodhi në të njëjtin vend, por në një rrugicë më poshtë ku u vra Arbeni. Ka qenë darkë dhe këtë e mbaj mend shumë mirë, pasi ne po përgatiteshim të organizonim të nesërmen të dyzetat e Arbenit. Kam shkuar atë natë, megjithë vëllain Yllin dhe kam hyrë në klubin ku u bë vrasja. Na thanë që ishin dy autorë. I ati i Durimit i kishte parë të dy vrasësit dhe kishte kërkuar një armë, por s’kishte gjetur dhe ne filluam me hetime private. Ylli u lidh me S.D, për shkak se ai kishte problem me familjen Haka.  Vëllai im Ylli që nuk jeton më por mësoi se nga S.D se Arbeni ishte vrarë nga Sokol Halilaj dhe Gramoz Rexhepi”, ka deklaruar në tej Hajdar Keqi.

Ai shpjegoi se i vëllai i kishte rrëfyer se Arbenin dhe Durim Kasmin, i kishin vrarë të njëjtët persona.

Fillimisht ia kërkova Yllit për Durimin kush e ka vrarë, e ai më tha: ‘Nuk më intereson vrasja e Durimit, por e vëllait tonë’, por më pas, më ka treguar që ka qenë i njëjti Sokoli, me një Gramoz Rexhepi”, ka deklaruar Hajdar Keqi.

Hajdar Keqi tregoi se i vëllai kishte mësuar se edhe për Arbenin urdhri dyshohet se ishte dhënë nga Shkëlqim Haka.

“Në të njëjtat rrethana, i ka thirrur po i njëjti person, Shkelqim Haka, ne e morëm vesh që Sokoli ishte në burg, ndërsa për Gramozin mësuam se ishte nga një fshat i Vlorës dhe ishin shokë bashkë me Sokolin. Një kushëri i Arben Keqit, iu tha gjykatësve se nga Ylli Keqi mësoi emrat e vrasësve”, ka deklaruar Hajdar Keqi.

“Sokol Halilaj, është personi që ka shkrepur armën në vrasjen e Arbenit, ndërsa për Gramoz Rexhepin, nuk na ka thënë gjë Sulejmani, nëse ka marrë pjesë në këtë vrasje, ndërsa, Gramozi ka qenë në vrasjen e dytë, në atë të Durim Kasmit. Sokoli, bashkë me Gramozin, kanë shkrepur armët. Miqësinë mes Dritan Rexhepit dhe Sokol Halilaj e pranoi edhe vëllai i këtij të fundit.”, thuhet në dosjen hetimore.

“… Vëllai im ka pasur shok të ngushtë Gramoz Pelivan Rexhepaj, me origjinë nga Velça e Vlorës. Kur vëllai ishte në Shqipëri, në vitet 1997-1999, ai takohej shpesh me Gramozin dhe në vitin 2001, Gramozi ka shkuar në Itali. Për herë të fundit, Gramozin e kam takuar, para rreth një muaji e gjysëm, në rrugën që të çon në fshatin Veltje.

Unë nuk kam dijeni në lidhje me këto vrasje. Ndoshta, bëhet fjalë për vëllain tim, Sokolin, i cili theksoj se më ngjason shumë, bile edhe në fshat na kanë ngatërruar”, ka deklaruar Shkëlqim Halilaj.

Dyshimet mbi Shkëlqim Halilaj, kishin rënë pasi Neki Kasmi, babai i Durim Kasmit, dëshmitar okular në vrasjen e të birit, kur policia i vu përpara fotot e të dyshuarve e kishte drejtuar gishtin tek vëllai i Sokol Halilaj.

“Nga procesverbali për njohjen e personit, me anë të fotografisë, i datës 23 Shkurt 2000 shtetasi Neki Kasmi nga 9 fotografitë që i janë paraqitur për njohje, ka deklaruar se  personi qe i përket fotografia e shtetasit Shkëlqim Halilaj, i cili është vëllai i të pandehurit Sokol Halilaj, është më i përafërt në tipare, me personin i cili ka qëlluar me armë zjarri dhe vrarë shtetasin Arben Keqi dhe djalin e tij Durim Kasmi.”, thuhet në dosjen hetimore.

Po ndërsa Rexhepi vijonte përballjen me drejtësinë, për vrasjet e ndodhura në Krujë, si dhe thurte plane për të ekzekutuar një prokuror që po i bëhej pengesë, pasi kishte çelur disa hetime, në vitin 2003 u firmos dënimi i parë i rëndë për të. Në vitin 2006, Policia mundi t’i vinte prangat vlonjatit në zemër të Tiranës, përpara se ai të vinte në jetë planin e tij, por disa orë më vonë, ai do të arratisej nga paraburgimi në qytetin e Durrësit. Pasi u mor në pyetje nga prokurori i Krimeve të Rënda, duke shfrytëzuar një moment pakujdesie të policivë të sigurisë, teksa hiqej si zyrtar, ai mundi të largohet pa gjurmë. Ky ishte vetëm fillimi i arrative spektakolare të njeriut që në vazhdim thuhet se i bëri gati të zakonshme këto akrobaci.

Menjëherë pasi u largua nga Shqipëria, ai thuhet se u strehua në Itali, aty ku ai mendohet se mësoi zakone të reja, ku u përfshi në botën e narkosit.

“Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29 Shtator 2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15 Prill 2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale ‘Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve’”, thuhet në dosjen hetimore.

Siç rezulton, pas arratisjes spektakolare në Shqipëri, Dritan Rexhepi merr një tjetër dënim nga drejtësia italiane, ai u arrestua, por shpejt do të realizonte arratisjen  e radhës.

“Dritan Rexhepi u kap nga policia italiane së bashku me 5 shtetas italianë dhe 2 shqiptarë gjatë transferimit të drogës nga një anije tregtare në një anije peshkimi, në brigjet e ishullit të Siçilisë. Në 2010, ai u arratis nga burgu i sigurisë së lartë në qytetin e Pavias në rajonin e Lombardisë në Itali bashkë me dy shqiptarë të tjerë”, thuhet në dosjen hetimore.

Kështu, shumë shpejt Rexhepi, do të shndërrohej një figurë kryesore në tregtinë e kokainës në arenën ndërkombëtare, ndërsa drejtonte kartelin e drogës të quajtur ‘Kompania Bello’.

Ndërsa emri i tij, hyri në listën e kriminelëve më të kërkuar ndërkombëtarisht, por njeriu që ishte mësuar të kacavirrej nga çdo qeli e mundshme, provoi ta bënte këtë edhe në burgun italian të Pavias ku e kishin izoluar në pritje të dënimit dhe ia arriti.

Për herë të dytë u iku forcave të sigurisë, përpara syve të tyre, por Dritan Rexhepi nuk u arratis nga izolimi ku ndodhej në Itali, thjesht si një aspiratë për të shijuar lirinë e munguar. Bëmat e tij shpejt do të dëgjoheshin edhe në Spanjë, aty ku këtë herë ai tentoi të grabisë pa sukses një bankë.

Arratisjen e radhës ai do ta realizonte nga një burg në Belgjikë. Në qershor të vitit 2014, ai do të arrestohej këtë herë në Ekuador teksa mbante një pasaportë me emrin e rremë Lulzim Murataj, në momentin e arrestimit duke trafikuar 278 kg kokainë.

“Dritan Rexhepi, u arrestua në fund të qershorit, bashkë me disa persona të tjerë gjatë një operacioni policor në Quito të Ekuadorit, por duke përdorur identitet të rremë”, thuhet në dosjen hetimore.

Një vit pas arrestimit, vlonjati, që kishte krijuar ndërkohë lidhje të fuqishme me bosët e karteleve atje, por edhe lidhje të forta më politikën vendase, do të dënohej me 13 vite burgim, në Shqipëri ndërkohë u dënua për përdorimin e pasaportës së falsifikuar.

“Zyra Kombëtare e Interpol Tiranës më datë 8 Gusht 2014 ka informuar se nga Interpol Quito/Ekuador, në kuadër të një operacioni antidrogë ‘Balance’ përveç shtetasve ekuadorian është arrestuar dhe shtetasi shqiptar Lulëzim Murataj, lindur më 23 Prill 1979. Nga verifikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulëzim (Gramoz) Rexhepi, alias Dionisopoulos, ishte arrestuar në Ekuador.

I pandehuri Dritan Rexhepi, figuron me atësi Pelivan dhe amësi Olimbi, i datëlindjes 10 Prill 1980, lindur dhe banues në fshatin Velçë të Rrethit Vlorë, i dënuar më parë. Ky i pandehur ka ndryshuar emrin në vitin 2004 nga Gramoz në Dritan, po ashtu në datën 20 Mars 2004, ka ndryshuar emrin e babait nga Luan në Pelivan dhe figuron me gjendje civile në fshatin Velçë, komuna Brataj të rrethit Vlorë”, thuhet në dosjen hetimore.

Hetimi zbuloi se Dritan Rexhepi kishte vjedhur identitetin e një bashkëfshatari të tij që ndodhet në një burg në Britaninë e Madhe.

“Shtetasi Lulëzim Murataj identitetin e të cilit i pandehuri Dritan Rexhepi e ka vjedhur dhe përdorur, rezulton se është banor i komunës Kotë i lindur në fshatin Velçë, i cili aktualisht rezulton të jetë në burg në shtetin e Anglisë. Nga akt-ekspertimi, rezulton se gjurmët papilare në praktikën e aplikimit, për t’u pajisur me kartë identiteti dhe pasaportë biometrike në emër të shtetasit Lulëzim Murataj, janë të njëjta me gjurmët papilare të kartelës daktiloskopike në emër të të pandehurit Gramoz (Dritan) Rexhepaj i datëlindjes 10 Prill 1980 që ndodhet e administruar në kartotekën e Sektorit të Policisë Shkencore në Drejtorinë e policisë së Qarkut Vlorë”, thuhet më tej në dosjen hetimore.

Por ndërsa mendohej që ky do të ishte fundi i arratisë së personit më të shumëkërkuar në Evropë dhe ai do ishte lodhur nga ikjet evazhdueshme nga muret e burgjeve ku përfundonte shpesh, duket  se masat ishin marrë gabim, pasi në vitin 2022 ai humbi pa gjurmë.

Dritan Rexhepi shqiptari, i njohur ndryshe si mbreti i kokainës u zhduk pa lënë gjurmë në janar vitit 2022 nga Ekuadori, ku ai ishte liruar nga burgu. Për herë të fundit, Dritan Rexhepi u pa në Ekuador më 15 janar 2022 në rajonin e policisë vendase, por teksa ndodhej në burg në Ekuador, ai mundi të krijojë kartelin ‘Kompania Bello’ dhe të trafikonte sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Italia siç do të tregojmë në pjesën e dytë të emisionit mbyti italianë me kokainë, ndërsa nga burgu akuzohet se urdhëroi rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, babait të 3 fëmijëve, i cili rezultonte pa lidhje me trafikun e drogës.

Hetimet zbuluan se Rexhepi ishte dërguesi i një sasie të madhe droge që u grabit në një portin e Portsmuthit në Britaninë e Madhe, nga një grup kriminal, ku bënte pjesë vëllai i Jan Prengës, Astriti, ku me urdhër të Rexhepit u rrëmbye në Kamzë Jan Prenga dhe në këmbim të lirimit të pengut, u kërkua kthimi i drogës. Vëllai i pengut ktheu një sasi të madhe të drogës dhe pagoi një shumë parash, por Jani nuk u kthye kurrë.

Siç shihet nga këto pamje të publikuara në emisionin në Shënjestër, Jan Prenga u mbajt i pajetë në garazhin e kompleksit ‘Golden Resort’ për orë me radhë, dhe më pas rrëmbyesit e zhdukën trupin e tij, që ende sot nuk është gjetur.

————————————–

Pjesa e dytë e dokumentarit

Por si u kthye 43 vjeçari, Dritan Rexhepi, djali nga fshati Velçë i Vlorës nga një student  i drejtësisë në Shqipëri në një narkotrafikant me famë ndërkombëtare? Cila ishin fillesat e tij me krimin dhe aftësitë e tij të xhonglimit që tërhoqën edhe interesin e mafies siçiliane, që pa te ky personazh aftësitë e duhura për të interpretuar në një botë të madhe, siç ishte ajo e narkosit.

Sipas dosjes italiane të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, Dritan Rexhepi i lindur në Shqipëri më 10 Prill 1980, i njohur si shef i kartelit shqiptar të drogës të njohur si ‘Kompania Bello’, mbante disa pseudonime si Dhimo; Ali; Julio Cesar, Jose apo edhe Buggati, si makina e famshme italiane. Mënjëherë pasi u arratis nga Italia ai udhëtoi drejt Amerikës së Jugut, aty ku ai thuhet se u njoh me disa prej lojtarëve më të rëndësishme të drogës, të cilët dalluan te ai njeriun e duhur për të lëvizur fijet e duhura, për të transportuar sasi të konsiderueshme droge nga portet e Ekuadorit në drejtim të atyre të Evropës.

“Dritan Rexhepi i njohur me disa pseudonime si Dhimo, Ali, Julio Cesar, Jose, Bugati, Engjëll, është promovues, organizator dhe drejtues i organizatës shqiptare që vepron në Itali, si dhe financier dhe agjent i shitjes me shumicë të kokainës që më pas shpërndahet në të gjithë Evropën.

Ai është po kështu themeluesi i një karteli shqiptar të trafikut të drogës, të njohur me markën ‘Bello’, kreu i padiskutueshëm i së cilës është ai vetë, duke qenë në gjendje të zotërojë sasi të pafundme kokaine të cilat ai i blen drejtpërdrejtë, në bashkëpunim edhe me partnerët e tij amerikano-jugor të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike të pranishëm në Ekuador”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Sipas dosjes hetimore italiane, ndërsa ndodhej i ndaluar në burgun e Lacatungas në Ekuador, nga ku më pas u arratis, Dritan Rexhepi vazhdonte bashkëpunimin me Cesar Emilio Montenegro Castillio,i  ashtëquajtur Don Monti, që ishte udhëheqës i grupit ekuadorian të trafikut të drogës, të lidhur po kështu me Kartelin kolumbian të drogës ‘Norte del Valle’.

Ndërkohë që ‘Kompania Bello’ e Dritan Rexhepit kishte në përbërje 30 shqiptarë, midis tyre edhe Denis Matoshin, apo ndryshe Eldi Dizdarin, i cili edhe ky është një personazh i rëndësishëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, që ashtu si Dritan Rexhepi, kërkohet nga drejtësia italiane për t’u ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku jeton prej disa kohësh.

“Bashkëpunëtori më i ngushtë i Dritan Rexhepit është Castillo Montenegro Cesar Emilio, i njohur si ‘Don Monti’, që mban edhe apostulatin ‘Hasta el final donde el desierto es oceano’ (Deri në fund aty ku pas shkretëtirës është oqeani). ‘Don Monti’ që është udhëheqësi, promovuesi dhe organizatori, nga ana tjetër i grupit ekuadorian të trafikut të drogës të lidhur me kolumbianët e ‘Cartel del Norte del Valle’ (Karteli i Luginës së Veriut) dhe me atë meksikan ‘Cartel de Sinaloa’ (Karteli i Sinaloas). Së bashku me personin e fshehur pas pseudonimit Antrax, me emrin Diomar, organizojnë dhe promovojnë eksportet e kokainës në Evropë, që kalojnë të fshehura në bordin e anijeve. Anije me kontejnerë që operojnë në rrugën Guayaquil-Evropë, kryesisht drejt porteve të Holandës dhe të Belgjikës, ku në kontakt të drejtpërdrejtë me Dritan Rexhepin, për organizimin e importeve në Evropë sipas rregullave dhe marrëveshjeve të mirëmenduara, çdo dërgesë kryhet sipas metodës ‘50/50’.”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra për çdo sasi të dërgesës së furnizuar për shqiptarët ata shtojnë një më shumë, më qëllim për të barazuar peshën, kokainë, shpërndarja e së cilës më pas u besohet organizatave të pranishme në Holandë, siç është edhe ajo e drejtuar nga vetë Dritan Rexhepi.

Por le të shikojmë me radhë disa nga rekordet e Dritan Rexhepit në trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në Evropë dhe pse ai u kthye në një mit dhe po kështu në një dhimbje koke për policinë italiane por edhe atë në shumë vende të tjera të Evropës. Vende të cilat ndërkohë i kishte përmbytur me sasitë e mëdha të drogës që po fuste muaj pas muaji në portet e tyre detare. Episode të shumta nga të cilat nis edhe kupton pse shpejt ai u mbiquajt mbreti shqiptar i kartelit të drogës dhe të cilat fillojnë që në vitin 2014 dhe në vazhdim, kur ai edhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe amerikano-jugorë, u vunë në përgjim.

“Në muajin maj të vitit 2016 dhe në vazhdim, Dritan Rexhepi zotëroi dhe menaxhoi shpërndarjen në Evropë të 500 kg kokainë për llogari të organizatave amerikano-jugore të drejtuara nga Montenegro Castillo dhe Antrax, të cilat mbaheshin në një magazinë sekrete në Holandë të ruajtuara nga njerëzit e Rexhepit, që vepronin në emër të tij. Sasi droge të cilat fillonin nga 50 kg për çdo ngarkesë dhe më pas rriteshin në mënyrë progresive.”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas dosjes italiane hetimore, ngarkesat filluan të shpeshtoheshin gjithmonë e më shumë në fillimin e vitit 2017, kur Dritani Rexhepi rrit volumin e sasisë së drogës që po kalonte nga Ekuadori në drejtim të portave detare hyrëse në Evropë. Si kjo sasi prej 960 kg kokainë që mban të stampuara mbi pako, distinktivin e kompanisë së tij ‘Bello’, sikundër është edhe ky episod i dokumentuar në një port të Holandës,

“Në muajin Janar të vitit 2017, Dritan Rexhepi mendohet se importoi nëpërmjet një anije që kryente linjën nga Ekuadori në Holandë, një sasi kokaine të barabartë afërsisht me 973 kg. Drogë e ndarë në dy lote të veçanta, e cila më pas ishte e destinuar të shitej në tregun evropian, duke përfshirë Italinë. Ku një pjesë i përkiste Kartelit të Amerikës së Jugut, të drejtuar nga Montenegro dhe Antraxi, dhe pjesa tjetër mbi 400 kg i përkiste grupit kriminal të drejtuar nga Rexhepi, dhe që ishte e destinuar veçanërisht për në Itali, kjo e dalluar edhe nga etiketa mbi blloqet e pakove ‘Bello’ dhe ‘RS6’, që janë distinktivi i kompanisë së Dritan Rexhepit. Ngarkesë me drogë e cila kur mbërriti në Holandë, iu besua për ruajtje dhe shitje Detjon Ilazaj dhe Elvis Jaupaj, të cilët më pas duhet ta dërgonin në Itali te Klejdi Abazaj, i caktuar nga shefi i tyre Dritan Rexhepi për të aktivizuar një rrjet të ri shpërndarje droge në Itali”, thuhet në dosjen hetimore.

Por kjo sasi, pavarësisht se konsiderohej një provë e kaluar me sukses, duket se nuk e kënaqi sa duhet oreksin në rritje të Dritan Rexhepit dhe miqve të tij amerikano-jugorë, për të shtuar më tej edhe më shumë ngarkesat me kokainë.

Vetëm dy muaj më pas, kompania e tij sulmoi një tjetër port, këtë herë në Belgjikë, gati duke e dyfishuar sasinë e drogës, që duhet të kalonte kontrollin doganor, pa u pikasur për të kaluar më tej në tregjet e etura për drogë në Evropë.

“Dritan Rexhepi është përgjegjës edhe për organizimin e importit të 1832.5 kg kokainë, të kapura në portin belg të Antëerp, më datë 15 mars 2017, të paketuara në blloqe të loguara me markën ‘Bello’. Dërgesa në fjalë përbëhej nga 1600 pako dhe Rexhepi kishte organizuar tre grupe kriminale të ndryshme trafikantësh, për të finalizuar me sukses operacionin”, thuhet më tej në dosjen hetimore italiane.

Tashmë ishte e kuptueshme, se Dritan Rexhepi dhe të tijët kishin marrë në dorë linjën më të madhe detare të trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe kishin fituar besimin e karteleve të drogës në këtë kontinent. Por mesa duket, qëllimi i tij ishte të kryente një sulm të gjithanshëm, në një kohë të shkurtër, në shumë porte, ndoshta për ta çorientuar policinë në vendet respektive. Kjo pasi vetëm pak kohë pasi kaloi drogën në portet e Belgjikës dhe të Holandës, ai ia doli këtë herë ta kalonte lëndën narkotike në një port të Maltës.

“Më datë 16 Mars 2017, në portin e Maltës, u sekuestruan 300 kg kokainë. Ky operacion u organizua nga Dritan Rexhepi dhe partnerët e tij ekuadorianë, ndërsa edhe këtë herë blloqet mbanin shënimin ‘Bello’, që i atribuohen në mënyrë të veçantë të ashtëquajturës ‘Kompania Bello’, organizata kriminale e themeluar nga Dritan Rexhepi.

Brenda 6 muajve të parë të vitit 2017, Dritan Rexhepi u konfirmua si pirati i porteve të Evropës, i aftë jo vetëm të negocionte, por edhe tu jepte prova të rëndësishme miqve të tij përtej oqeanit, se ofronte sigurinë e duhur për të kaluar drogën edhe në portet e konsideruara si më të vështira. Aty ku kontrollet janë aq të rrepta sa edhe narkotrafikantët më të sprovuar do ta kishin të vështirë tu shpëtonin syve vigjilentë, qoftë edhe të policisë gjermane.

“Dritan Rexhepi organizoi po kështu më datë 13 qershor 2017, importimin nëpërmjet një anije në portin e Bremenit në Gjermani, të një ngarkese prej 22.5 kg kokainë e cila ishte dërguar nga ai vetë dhe Carvajal Loor, drogë e cila u tërhoq nga Klejdi Abazaj. Po kështu, më 28 Shtator 2016, Dritan Rexhepi i dha në Amsterdam, paradhënie 200 mijë euro, kompanisë RETI, për një furnizim me 200 kg kokainë, që do të shkonte për llogari të Montenegro dhe Diomar, drogë e cila u shit për 23 500 euro kilogrami”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Për policinë italiane nuk kishte më dyshime se ishin përballë një magjistari të drogës. Këtë gjë ata e dinin që nga koha kur Dritan Rexhepi jetonte dhe vepronte në vendin e tyre dhe ishte i lidhur me mafien siçiliane, por ata nuk mund ta mendonin, se pas arratisë nga një burg në Itali, ai do të përmbyste nga Amerika e Jugut vendin e tyre me drogë, duke korruptuar deri edhe zyrtarë publikë të porteve detare.

“Ai është arratisur nga Italia, pas një dënimi të formës së prerë me 10 vite burgim për trafik ndërkombëtar droge. Struktura e ngritur nga Dritan Rexhepi është në gjendje të përhapë kokainën në të gjithë Evropën, me vëmendje të posaçme në Itali, duke përfshirë këtu edhe degë në të gjithë Evropën dhe Shqipëri, ku atij i raportohet edhe për kryerjen e krimeve shumë të rënda, deri te vrasja.

Struktura e tij kriminale furnizon po kështu edhe të tjerë organizata që veprojnë në territorin holandez, si ajo e vëllezërve Marku, Memias dhe të tjera.”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Dritan Rexhepi ka një grup të zgjeruar bashkëpunëtorësh, një grup miks midis atyre që quhen njerëzit e tij të afërt dhe ortakësh, të cilët i vë në punë sa herë ai ka nevojë dhe që ata e quajnë ‘Shefi’, të cilët del se jo vetëm i paguan rregullisht, por edhe kujdeset që ata të jenë të kënaqur me punën që bëjnë, por edhe duke u kërkuar llogari për çdo gjë që nuk shkon mirë.  Bashkëpunëtorë të ngushtë të cilët ai i ka edhe në Shqipëri, që kujdesen për bizneset e tij.

“Jorin Llambro, i njohur si ‘i verbëri’, i cili mban edhe pseudonimin ‘Monte Carlo’ punon si ndërmjetës  dhe zëdhënës  i Dritan Rexhepit në Shqipëri, ku në emër të ‘shefit’ ai mban kontakte dhe kryen marrëveshje me qëllim menaxhimin e trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike. Pikërisht ky rol e ka vendosur atë si drejtor dhe të organizatës bashkë me shefin e tij suprem Dritan Rexhepi. Llambro e ka kryer këtë rol menaxhues edhe në Holandë, ku shkonte për të ndjekur pagesat dhe transfertat e kokainës për llogari të shoqatës”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Ai po kështu menaxhon edhe aktivitetet e biznesit në dukje legjitime të Dritan  Rexhepit dhe familjes së tij, por që rrjedhin nga riinvestimi i të ardhurave të paligjshme.  Në organizatën e Dritan Rexhepit, punët duket se janë të ndara më së miri, ata që merren me fshehjen e drogës pasi ajo zbret në portet e Evropës, por edhe llogaritarët të cilët kujdesen për paratë e fituara nga aktiviteti i paligjshëm.

“Klejdi Abazaj, i njohur si Mishi, është një nga përfaqësuesit kryesorë operacionalë të Dritan Rexhepit, me urdhër të shefit të tij, ai formoi një rrjet të shpërndarjes së kokainës që vinte nga Ekuadori në Itali, me pika magazinimi në Torino, Modena dhe Romë”, thuhet më tëj në dosjen hetimore italiane.

‘Mishi’ ishte personi që po kështu menaxhonte dërgesat, organizimin e grupit si dhe që paguante rrogat. Në vitin 2017 ai u arrestua në Gjermani teksa po merrte një sasi rreth 22 kg kokainë, të cilën Rexhepi ia kishte dërguar në Portin e Bremenit. Po kështu Detjon Ilazaj, me emrin e ndryshuar ‘Mario’ në gjendjen civile shqiptare, me banim në Hollandë është ai që i raporton direkt ‘shefit’ të tij Dritan  Rexhepi, i cili i ka besuar menaxhimin e punëve. Dhe që merret posaçërisht me kokainën e dërguar nga Ekuadori në Holandë, pasi droga zbret në portet e këtij vendi. Ai i merr sasitë hyrëse të drogës dhe pasi i siguron në vende të sigurta, kujdeset për porositë dhe organizon dërgesat për korrierët që nisen për në Itali.

Nga Ekuadori ku thuhet se qëndronte, dhe ku mendohet se kishte krijuar një jetë të re familjare, duke u bërë së fundmi edhe baba, Dritan Rexhepi kishte krijuar lidhje edhe me klanet mafioze në Itali, të cilat i furnizonte me kokainë nëpërmjet një tjetër grupi kriminal shqiptar, edhe ky i rënë në përgjimet e policisë italiane.

“Organizata financohet nga të ardhurat e mëdha që përfitohen nga trafiku i drogës, para të cilat më pas janë të destinuara për pagesat e dërgesave të kokainës, për pagat e bashkëpunëtorëve, shpenzimet ligjore në rast arrestimi si dhe mbajtjen e familjarëve.  Klani menaxhon po kështu bashkëpunëtorët dhe depot e drogës, paratë dhe armët, të konstatuara edhe në operacionet e kryera nga policia holandeze. Në Itali, grupi Memia përfaqësonte kanalin kryesor, nëse jo të vetmin, të furnizimit me kokainë te klanet mafioze ‘Madonnella’ të Barit, që i atribuohen familjeve ‘Rafaschieri Di Cosimo’”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Sikundër e theksuam edhe në krye të herës, një nga bashkëpunëtorët e Dritan Rexhepit në Holandë ishte edhe Denis Matoshi, apo Eldi Dizdari, një personazh që në Shqipëri u bë i njohur pas masakrës së ndodhur  mbremje e 4 Tetorit 2018 në një lokal në Bllok, Dizdari që siguronte për Rexhepin dhe ortakun e tij ekuadorian daljen e drogës në Holandë dhe në Belgjikë.

“Denis Matoshi është kreu i organizatës së tij që operon midis Holandës, Belgjikës, Amerikës së Jugut dhe Shqipërisë. Ai ka lidhur marrëveshje të qëndrueshme tregtare me grupin e Dritan Rexhepit dhe atë Castillo Montenegro, duke u siguruar atyre daljen e kokainës në portet e mbërritjes në Evropë, me anije midis muajve shkurt dhe mars 2016, nga Amerika e Jugut. Sasia për të cilën bëhet fjalë është rreth 600 kg kokainë për shpërndarje në territorin evropian”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Duhet thënë se trafiku i lëndëve narkotike nëpërmjet Ekuadorit, Kolumbisë, Holandës, Belgjikës, Gjermanisë dhe Italisë, është arritur të finalizohet edhe falë një rrjeti të mirëorganizuar bashkëpunëtorësh por edhe nga një marrëdhënie e qëndrueshme korruptive me zyrtarët publikë të ngarkuar për të kryer kontrollet në portet e nisjes dhe në doganat e porteve të mbërritjes së drogës. Dritan Rexhepi po kështu ka përfituar edhe pajisjet logjistike me të cilat është pajisur në portet e Antëerp-it dhe Roterdamit, kjo falë edhe marrëveshjeve të arritura midis ortakut të tij Jorin Llambro dhe trafikantit ndërkombëtar të drogës  Denis Matoshi. Falë shërbimeve që i kanë ofruar njëra- tjetrës këto organizata, ato kanë mundur të krijojnë struktura të qëndrueshme të nivelit të lartë jo vetëm në Holandë, por edhe në Itali, ku janë sekuestruar vazhdimisht sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike.

Por pjesa më interesante e kësaj historie, janë përgjimet e antimafias italiane, që kanë vënë me shpatulla pas murit edhe vetë Dritan Rexhepin. Përgjime ku ai shfaqet herë si një broker I madh i trafikut të drogës nga Amerika e Jugut drejt Evropës, dhe herë si një tregtar pakice që kujdeset deri në detajet më të imta, që droga të shkojë në destinacionin e duhur.

Bisedë e përgjuar 16 shtator 2016

“Dritan Rexhepi me pseudonimin Julio Cesar flet me bashkëpunëtorin e tij Mario Ilazaj, që mban edhe emrin Detjon, i cili del se ka ruajtur kokainën e dërguar në Evropë nga Dritan Rexhepi. Dritan Rexhepi: ‘…ndoshta do dërgojmë edhe 5 copa në Torino’(Referimi 5 kg kokainë).

Më pas doli se transferta u krye për një sasi prej 6 kg ku në të njëjtën kohë mori pjesë në këtë operacion edhe Klejdi Abazaj, i cili del se shkoi nga Roma në Torino për të pritur korrierin të cilit duhet  t’i paguante edhe shumën prej 3 000 euro për transportin dhe të merrte kokainën, por ndërkohë që Klejdi Abazaj ndodhej vetëm 30 minuta larg nga Torino, Mario Ilazaj i cili në këtë moment ndodhej në Amsterdam, nuk po lidhej dot me Dritan Rexhepin. Kjo pasi Ilazaj që ishte kujdesur për dërgimin e korrierit ishte i vetmi që dinte adresën ku do të dorëzohej  kokaina në Torino.

Abazaj-Rexhepit: ‘Si do ta bëjmë punën vëlla, unë kam dy shtëpi këtu, dy makina, 4 veta në supe. Të cilët janë për cigare. Më duhen 50 euro në ditë. Të japim një bakshish?”, thuhet në dosjen hetimore në lidhje me përgjimet.

Por puna më e rëndësishme që duhet të bënte Dritan Rexhepi dhe për të cilën duhet të fitonte besimin maksimal të karteleve të drogës në Amerikën e Jugut, ishte ta kalonte atë në portet e Evropës.

Gjë që duket se kishte problemet e veta, si në këtë rast në portin e Antëerp në Belgjikë, ku ai kapet duket folur me një nga ortakët e tij në Ekuador.

13 Janar 2017, biseda mes Dritan Rexhepit (Julio Cesar) dhe trafikanti Diomar (Antrax).

“Sipas marrëveshjeve të mëparshme shkarkimi i kokainës do të duhej të bëhej me patjetër në portin e Antëerp në Belgjikë, por mesa duket kishte probleme. Diomar i dërgon Dritan Rexhepit foton e një e një bisede që po zhvillonte me një person me pseudonimin ‘Aero’, bashkëpunëtor i Antrax, përgjegjës për identifikimin dhe futjen e grupit të lëndëve narkotike brenda kontejnerit.

Në bisedë ‘Aero’ i shkruan Antrax se po haste vështirësi në gjetjen e kontejnerit me destinacionin dhe me karakteristikat e kërkuara prej tyre: Aero:’Shiko ne nuk kemi shumë alternativa në të thatë. Në listën që doli sot kemi përafërsisht 5, nga të cilat një është në MSC, por është në oborrin 7 dhe nuk mund të punosh atje.’

Dritan Rexhepi i raportoi Antrax se ai do të duhej të pyeste prindërit e tij për çdo ndryshim. Por vetëm pak kohë më pas, Antrax  i tregoi se kishte marrë ‘dritën jeshile’ për futjen e drogës brenda një kontejneri të ngarkuar me propetilen.

Në orën 23.17, Dritan Rexhepi dha urdhër të ngarkohet kokaina.‘Thuaji ta bëjë!’”, thuhet në dosjen hetimore.

Vetëm një ditë më pas sipas bisedave të kapura në përgjim, Antrax konfirmoi për Dritan Rexhepin se droga kaloi me sukses portin e Antëerp në Belgjikë dhe se tashmë ishte nisur drejt portit të Le Havre në Francë.

“Në orën 12.23 të ditës pasardhëse Antrax konfirmoi për Dritan Rexhepin se operacioni ishte kryer me sukses:

‘Ya esta la obra ralizada”

‘Puna tashmë ka përfunduar’

Nga sa kuptohet çantat me kokainë ishin vendosur brenda kontejnerit gati për nisje drejt porteve evropiane.

Dritan Rexhepi e mësoi lajmin i lehtësuar

‘…Po, do të jetë mirë shok…’.”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Vetë Antrax i komunikoi Dritan Rexhepit se tashmë kishte në dispozicion fotografitë e vulës së vendosur në kontejner dhe të  operacioneve të ngarkimit, që do të dërgoheshin, padyshim nëpërmjet telefonave të koduar, ose tek Rexhepi, ose tek dikush tjetër i përfshirë në marrëveshjen e paligjshme. Në këtë fazë lënda narkotike ishte futur tashmë brenda kontejnerit, i cili ishte mbyllur, vulosur dhe ruajtur në portin e thatë, gati për t’u ngjitur në makinën që ishte menduar të nisej të nesërmen, më 15 janar 2017. Nga oraret e portit, më pas u konstatua se si anija kaloi përmes portit të Antëerp në Bëlgjikë më 31 janar 2017 dhe arriti në destinacionin e saj përfundimtar në portin e Le Havre në Francë më 2 shkurt 2017.

I qetësuar tashmë nga i gjithë sikleti që kaloi me këtë ngarkesë, që nuk rezultoi edhe aq e thjeshtë për të zbritur në port, Dritan Rexhepi e ndau këtë lehtësim me një nga bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, të cilit i tregon se kjo ishte një provë shumë e rëndësishme për atë vetë dhe të tjerët përballë amerikano-jugorëve.

“Më 14 janar 2017 u regjistrua një bisedë e rëndësishme midis Dritan Rexhepit dhe Mario Ilazaj me pseudonimin Xhoni. Dritan Rexhepi u pendua që telefoni i tij nuk funksiononte në PGP dhe SKY, por ai nuk mundi ta ndalonte veten të komunikonte me Ilazaj, me sa duket në pritje të konfirmimit të dërgesës së lëndës narkotike, e cila ishte ngarkuar me kokainë, teksa ia kishin dalë qëllimit të përcaktuar sipas planeve:

‘…Jemi aty ku duhej të ishim…..’.

Por edhe Xhoni nuk mundi ta frenojë kënaqësinë për suksesin e operacionit. Të paktën për fazën e menaxhuar nga Dritan Rexhepi, duke e bërë të qartë se ishte një hap i rëndësishëm në marrëdhënien midis organizatës shqiptare dhe asaj të amerikano-jugorëve,  në qëllimin për të rritur besimin te këta trafikantë, me të cilët më tej do të ishte e mundur të krijonin një marrëdhënie bashkepunimi afatgjatë:

Xhoni: ‘…Shoku tani nuk më intereson edhe sikur të kemi një fund të keq (nëse kapemi), nuk doja të bënim përshtypje të keqe….’.”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Kjo bisedë lë të kuptohet se operacioni për pjesën nën përgjegjësinë e Dritan Rexhepit tashmë kishte përfunduar dhe kështu që të gjithë ishin të kënaqur. Nëse gjërat do të shkonin keq më vonë, padyshim që do të kishte përgjegjësi, por kjo do t’u përkiste të tjerëve dhe jo atyre.

Në një bisedë tjetër Antrax i shkruan Dritan Rexhepit:

‘…Shoku dikush informoi për ngarkesën dhe erdhi një djalë i një kapiteni kurvë. Shkarkoj kutitë. Por gjithçka është në rregull. Ata nuk panë asgjë dhe tani është zhdukur…’

‘…..Do ta shihni. Shoku, nëse të pëlqen me ata njerëz, nuk do të kesh as ku t’i vendosësh të gjitha paratë. Besoje!…’.

Por në biznese të tilla ato që vlejnë janë paratë dhe që në këtë rast mund të të sigurojnë një jetë pa shumë kokëçarje dhe ku ka para nuk ka miqësi.

Menjëherë sapo u mësua lajmi se anija e ngarkuar me drogë mori rrugën e saj pa kthim, Dritan Rexhepi dhe ortaku i tij Antrax, fillojnë dhe  ndajnë xhepin. Sa i takon njërit dhe sa i përket tjetrit në këtë biznes të sapo mbyllur me sukses.

“Pasi shqiptarët e Dritan Rexhepit, morën lajmin se gjithçka kishte shkuar sipas planit, të nesërmen më datë 16 Janar 2017, kur anija ishte nisur, ata filluan tashmë të diskutonin mënyrat e pagesës së kokainës. Biseda më e rëndësishme është ajo mes Dritan Rexhepit dhe Antrax, në të cilën faktet bëhen gjithmonë e më shumë të qarta.

Antrax i shkruan Julio Cesar: Më jep faturat, të lutem

Julio Cesar:150+185+354+164+351+146.5=1,350,500-11% = 1 201 400.

Jona duhet të jetë 375 dhe e hoqa…

Çmimi për çdo bllok të aplikuar për Dritan Rexhepin, pra për çdo kg kokainë është 4 400 dollarë.

Duke përfshirë çmimin e prodhimit, transportin në port dhe të gjitha kostot shtesë, përfshirë ato të nevojshme për korrupsionin e personelit të shërbimit portual.

Dritan Rexhepi duhet të paguajë në emër të tij furnizimin e 371 kg kokainë me çmimin 4 400 dollarë për kg, për një kosto totale prej 1 632 400 dollarë. Nga kjo shumë duket se tashmë ishin paguar 1 201 000 dollarë, shumë që vinte si rezultat i akumulimit të një sërë pagesash të mëparshme nga të cilat hiqet  11%, që ndoshta lidhet me koston e transferimit të parave ose me kursin e këmbimit Euro/Dollar.Krahas kësaj, Rexhepi shton se do t’i paguajë edhe shumën prej 349 000 dollarë të ‘kqinjve’ që ishte, që i kishin besuar atij shitjen në Hollandë.”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Pra ishte e qartë, punë e mbaruar, llogari e qëruar, ndërkohë që kjo bisedë i krijoi grupit përgjues hetues edhe një panoramë të qartë të tregut të shitjes me shumicë dhe pakicë në Evropë të kokainës.

“Nga ajo që u përgjua fare mirë mund të supozojmë se në sajë të sasisë së madhe të kokainës ishte e dukshme që kishim të bënim me një çmim të shkëlqyer blerje, gjë që vihet re edhe nga bisedat e mëparshme midis Rexhepit, Llambros dhe Denis Matoshit në mars 2016. Në rastin e sasive nën 500 kg çmimi fillestar ishte 6 500 dollarë, me garanci shtetërore, ose 5 500 pa një garanci të tillë”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Pasi kokaina mbërrinte në port, ajo pësonte një rritje të mëtejshme në vlerë, për përqindjen që u duhej paguar atyre që kujdeseshin për daljen, d.m.th. rikuperimin e lëndës narkotike në portin e destinuar, i cili në këtë rast nuk ishte treguar.

Pas mbërritje në Evropë, çmimi i aplikuar për shitësit me shumicë është midis 22 000 dhe 24 000 Euro për kilogram, pra, fitimi në këtë rast për kompaninë ‘Bello’ të drejtuar nga Dritan Rexhepi, ishte kolosal. Këtu po të llogarisësh vetëm përfitimet që ai dhe bashkëpunëtorët e tij morën vetëm në vitin 2016 dhe atë pasardhës 2017, që në progres me sasitë e shtuara të kokainës, kapën shifrën rekord të 80 milion euro vetëm në vitin 2017.

“Nga përllogaritjet del se fitimi nga ky trafik i lëndëve narkotike llogaritet 50 kg x 52 javë x 27 000 euro për kilogram. Ku shuma totale në vit e fitimit është 70 200 000 euro në vit”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Por duke qenë se aktiviteti i organizatës kriminale është shënuar nga viti 2014 deri në vitin 2017, fitimi llogaritet të jetë mbi 200 milionë euro, ku vetëm përsa i përket organizatës së Dritan Rexhepit, po të marrim vitin 2016 dhe flukset e trafikut të drogës, fitimi në një vit të vetëm llogaritet 55 milionë euro. Ndërsa për vitin 2017 është mbi 85 milionë euro.Emri i madh që vendosi si transportues I rëndësishëm droge, ngjalli interes edhe të tjerë narkotrafikantë, që kishin nevojë për shërbimet e Dritan Rexhepit, për të kaluar drogën në Evropë, siç është edhe kjo bisedë me një shqiptar që mbante pseudonimin Max1.

“Më 1 shkurt 2017, kur anija kishte mbërritur tashmë në Evropë, Dritan Rexhepi po bisedonte me një bashkatdhetar të tijin të paidentifikuar, që mbante pseudonimin Max1, i cili del se është i interesuar për të bërë një investim në funksion të një importi të ardhshëm të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, thuhet në dosjen hetimore.

Në këtë bisedë Dritan Rexhepi i rrëfen bashkatdhetarit të tij se biznesi i ka shkuar mirë

‘…Ajo punë falë Zotit doli mirë me atë mikun tim falë zotit… ‘

Dritan Rexhepi i shpjegoi se rregulli i ngarkesës duhet të ishte një ton, por grupi shqiptar, për shkak të një gabimi në ngarkesë, kishte marrë diçka më pak se gjysma. Duke përsëritur si zakonisht, se ngarkesa e nisjes është gjithmonë e përbërë nga 50 % e lëndës narkotike të ngarkuar nga klientët që porosisin dhe nga një sasi tjetër e ngjashme, pra 50% tjetër nga narkot e Amerikës së Jugut, të cilët shfrytëzojnë kështu udhëtimin dhe sidomos daljen e vënë në dispozicion nga klientët, në këtë rast shqiptarët.

Sasitë e dërguara prej tyre më pas u besohen organizatave të ndryshme për shpërndarje të mëvonshme dhe në disa rrethana këtë detyrë e kishte grupi i Dritan Rexhepit. Dritan Rexhepi shpjegoi për Max1 se në vend të 500 kilogramëve, sasia totale e kokainës e dërguar nga shqiptarët ishin futur  ‘vetëm’ 473 kg,

‘…Sepse gabimisht kanë futur 27 më pak…’.

Dritan Rexhepi më pas foli për një ngarkesë edhe më të madhe: ‘Të shohim, javën e ardhshme do të bëjmë një tjetër më të mirë.’

Por në një biznes të tillë, nuk ka vetëm fitime, por edhe humbje, të cilat shoqërohen edhe me viktima në radhët e organizatës krminale.

Rregulli i pashkruar kush gabon, paguan, siç ishte rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës në Kamëz, më 17 Janar 2020. Pamje të transmetuara edhe nga emisioni ‘Në shënjestër’, ngjarje kriminale për të cilën thuhet se u urdhërua nga Dritan Rexhepi, gjatë kohës që ky i fundit qëndronte në burg në Ekuador dhe që lidhet me zhdukjen e një sasie droge në një nga portet e Britanisë së Madhe, ku organizata e Rexhepit, bënte përgjgjegjës, vëllain e Jan Prengës.

“Struktura e ngritur nga Dritan Rexhepi është në gjendje të përhapë kokainën në të gjithë Evropën, me vëmendje të posaçme në Itali, duke përfshirë këtu edhe degë në të gjithë Evropën dhe Shqipëri, ku atij i raportohet edhe për kryerjen e krimeve shumë të rënda, deri te vrasja. Struktura e tij kriminale furnizon po kështu edhe të tjerë organizata që veprojnë në territorin holandez, si ajo e vëllezërve Marku, Memias dhe të tjera”, thuhet në dosjen hetimore italiane.

Por Dritan Rexhepi nuk ishte thjesht një dealer në botën e narkosit, ku sipas autoriteteve italiane ai e drejtonte kartelin e tij shqiptar edhe nga brenda qelive të burgut në Ekuador. Aty ku jepte urdhëra jo vetëm për bashkëpunëtorët e tij se si të kalonin drogën në hundën e doganierëve në portet e Evropës, por edhe të kryente eleminime të atyre që tashmë mund të ishin kthyer në kundështarë apo që kishin futur duart në punët e tij.

“Edhe gjatë kohës që ishte i ndaluar në Ekuador, Dritan Rexhepi falë një rrjeti të dendur bashkëpunëtorësh dhe korrupsioni, përdorte nga burgu sisteme nga më të ndryshme të komunikimit, duke organizuar kështu dërgesat e drogës, si edhe mban kontakte me trafikantët e lëndëve narkotike në Amerikën e Jugut, si edhe jepte udhëzime për bashkëpunëtorët e tij shqiptarë se si të shpërndanin lëndën narkotike në Itali dhe Holandë.

Po kështu ai urdhëroi vrasje të eksponentëve të organizatave rivale, si edhe ndoqi dhe u kujdes për investimet e fitimeve të paligjshme të kompanisë së tij, në veprimtari sipërmarrëse të aktivizuara në Shqipëri”, thuhet më tej në dosjen hetimore italiane.

Tashmë e vetmja dilemë e pazgjidhur pas arrestimit të tij, është ku do ta vuajë fillimisht dënimin Dritan Rexhepi, në Shqipëri apo në Itali? Dhe a do të mundet ai ti përvidhet drejtësisë duke u arratisur nga qelia siç ka bërë në tri raste të ngjashme.

Aktualitet

Dyer të blinduara e një shtëpi e tërë nëntokë, ç’fshihet poshtë tregut agro-ushqimor në Elbasan (FOTO)

Tregu “agro-ushqimor” në Elbasan është vënë shpesh herë në fokus të kronikave të zeza, për shkak se është në pronësi të Petrit Çelës, babai i Suel Çelës (Marjus Lulaj). Ky i fundit është një prej të shumë-kërkuarve nga Policia, teksa është shpallur prej kohësh në kërkim nga SPAK.

Gjithashtu, aty ka ndodhur dhe një ngjarje e rëndë më 18 shtator të 2017-së. Në këtë datë në mbrëmje para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Por në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi që drejtohej nga Suel Çela ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit.

Tregu “agro-ushqimor” në Elbasan ka qenë shpesh herë objekt i kontrolleve të Policisë për kapjen e Suel Çelës, por gjithmonë nga aty kanë dalë “duar bosh”.

Por, përveçse një treg agro-ushqimor, në ambientet nëntokësore të tij ndodhet një “apartament” i tërë dhe pamjet zbulohen për herë të parë.

Siç shihet dhe nga pamjet e publikuara nga INA MEDIA, aty ka disa dhoma gjumi, një kuzhinë, një kuzhinë, një tualet, ambient ngrënie, pra komplet si një shtëpi normale. Ndërkohë, ajo mbikëqyret me kamera sigurie dhe dyert e saj janë të blinduara, ku nlse hyn, del vetëm me dëshirën tënde.

Nga pamjet lë të kuptohet se aty mund të kenë qëndruar dhe personazhe të krimit të shpallur në kërkim nga drejtësia apo Policia.

Ndaj 35-vjeçarit Suel Çela (Marjus Lulaj) vijon në fuqi një masë sigurie “Arrest me burg, në mungesë”, e vendosur nga Gjykata e Posaçme. Ndaj tij po zhvillohen hetime nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë ndaj Lulzim Mashës, sigurim i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje në dëm të shtetasit Elton Kila.     

Continue Reading

Aktualitet

Dëm 1.1 mld euro te Energjia/ Ekspertët: Duhen të nxirren përgjegjësi për keqmenaxhim

Por çfarë deklaron në bilancin e fundit OSHEE në lidhje me KESH? Dëmi që mund të jetë bërë në këtë fushë shkon deri në 600 milionë euro. Kjo pasi paraprakisht u nënshkrua një marrëveshje në 6 prill 2018 për shlyerjen e 56 milionë eurove detyrime ndërmjet OSHEE-së dhe KESH-it. Aktualisht nga projektbuxheti i vitit 2024 rezulton se OSHEE ka detyrime ndaj KESH nga 554 milionë euro deri në 587 milionë euro.

Ky fakt konfirmon mosnjohjen e detyrimeve reciproke midis dy institucioneve më të rëndësishme të energjisë elektrike, e cila lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.

Nga të dhënat e projektbuxhetit 2024 evidentohet se për të përballuar krizën energjetike 2021-2023, qeveria shqiptare ka akorduar disa fonde me vlerë totale 50 miliardë lekë ose 500 milionë euro.

 

 

Vetëm duke mbledhur borxhet e OSHEE, KESH dhe OST, krijohet një gropë financiare me vlerë 1.1 miliardë euro, e cila përbën 16% të buxhetit të shtetit për vitin 2024.

Por, edhe OST ka detyrime ndaj KESH-it, për të cilat palët akoma nuk janë marrë vesh.

Por përse janë fshehur bilancet?

Ishin këto pasaktësi në buxhet që nxitën gazetarët e “Vetting” për të hetuar se si janë mbajtur bilancet dhe a mund të ishte shmangur ky keqkuptim sikurse pretendojnë deri tani të dy ndërmarrjet, për këtë shumë jo të vogël. Bilancet janë të rëndësishme pasi vetëm përmes tyre evidentohet lehtësisht se si qëndron ky hendek borxhesh dhe arkëtimesh.

Sipas ekspertit të energjisë, Klodian Gradecit, në 3 vitet e fundit, çmimet e energjisë kanë qenë të favorshme për bilancet e Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

“Këto tregojnë fare mirë, që ka qenë mundësia e shkëlqyer që Shqipëria të dilte me bilance pozitive në sektorin e energjisë. Nuk bën logjikë, që KESH si prodhues të ketë bilanc negativ,  por vendosja e situatës së emergjencës dhe vendosja e disa detyrave KESh-it, për të mbuluar humbjet dhe detyrimet që kishte FSHU-ja ose OSHEE-ja për të furnizuar klientët e tij, ka çuar që KESH-i të ketë një bilanc negativ”, tha eksperti i energjisë, Gradeci për “Vetting”.

Eksperti Gradeci shtoi se bilancet që nuk pasqyrohen, pasi nëse pasqyrohen do të tregojnë që janë bilance me humbje dhe do duhet të dalin përgjegjësitë që lidhen me keqmenaxhimin./balkanweb

Continue Reading

Aktualitet

SPAK: Amnistia penale shkurtoi dënimin e dhjetëra zyrtarëve të korruptuar

Në një përgjigje zyrtare për BIRN të martën, Prokuroria e Posaçme bëri me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend.

Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi.

Sipas të dhënave që SPAK vuri në dispozicion, ulje dënimi përfituan 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit. Dy prej përfituesve ishin të dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Për ekspertët e politikës dhe legjislacionit, ligji “Për amnistinë” dhe pasojat e tij janë një mesazh i gabuar dhe një përpjekje e koordinuar e palëve politike në vend për të sabotuar institucionet e posaçme dhe luftën kundër korrupsionit.

“Amnistia e kohëve të fundit është hapi i tretë në morinë e përpjekjeve për ta minuar Reformën në Drejtësi,” tha Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike shkon më tej, ndërsa ngre dyshime mbi mënyrën se si u soll në jetë ky ligj dhe kërkon që SPAK të hetojë nëse pas formulimit ka apo jo konflikt interes.

Duke iu referuar mungesës së konsultimit publik dhe mënyrës se si u negociua ligji, Krasniqi thekson se krijohen “dyshime të arsyeshme që kemi të bëjmë me një proces me ndikime personale dhe shpesh edhe korruptive”.

I pyetur nga BIRN mbi lirimin e zyrtarëve dhe magjistratëve të korruptuar, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa  kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk komentoi.

Zotimet e Manjës dhe Bardhit

Projektligji i qeverisë u mbajt peng për mungesë votash për disa muaj dhe u ndryshua në komisionin e Ligjeve nga deputetët e shumicës, duke futur në kategoritë e përfituesve edhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Pas një dakordësie mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë me 4 prill ligjin “Për amnistinë penale”  me 116 vota pro në parim dhe 110 vota në votimin final.

Të vënë nën presion publik se përmes ligjit “Për Amnistinë” po falnin të dënuarit për korrupsion duke cenuar punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, premtuan disa herë se kjo nuk do të ndodhte.

“…Hapini sytë dhe lexojeni ligjin, se jeni jurist! Asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, as nuk përfiton nga kjo amnisti dhe as nuk i zbritet dënimi,” tha në seancën parlamentare të 4 prillit ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Edhe Gazment Bardhi mbajti një qëndrim të ngjashëm, një ngjarje e rrallë për demokracinë e brishtë parlamentare shqiptare.

“Me amendamentin tonë dhe analizën e plotë të kryer nga ekspertët, asnjë person, zyrtar i lartë, i dënuar për korrupsion, i dënuar për abuzim me tenderë, i dënuar për shpërdorime me koncesionet apo partneritetet publike-private, i përfshirë në akte korrupsioni aktiv apo pasiv, nuk përfiton nga amnistia,” premtoi Bardhi.

Të dënuarit nga GJKKO përfitojnë nga amnistia

Premtimet e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe përfaqësuesve të opozitës se ligji “Për amnistinë” nuk prekte funksionarët e korruptuar, u përgënjeshtruan sapo ligji hyri në fuqi.

Prokuroria e Posaçme tha në një përgjigje zyrtare për BIRN se pas miratimit të ligjit, ajo bëri një analizë të detajuar të dhënash në bashkëpunim edhe me institucione të tjera të përfshira. SPAK bëri me dije se sipas analizës, 100 persona ishin përfitues sipas ligjit.

“Nga ky përditësim i analizës, arrihet në përfundimin se janë rreth 40 persona të cilët mund të përfitojnë nga përjashtimi i dënimit dhe rreth 60 persona të cilët mund të jenë subjekt i përfitimit të uljes së dënimit sipas këtij ligji,” shkruhet në përgjigjen e SPAK.

SPAK sqaron se 40 janë përfitues të amnistisë që u falet tërësisht dënimi. Këta janë të dënuar nga Gjykata e Posaçme në vitet 2023 dhe 2024 për akuzën “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Në këtë kategori përfshihen kryesisht ryshfet-dhënësit.

Përveç tyre, 60 të dënuar për vepra të lidhura kryesisht me korrupsionin në vitet 2023 dhe 2024 përfitojnë ulje të dënimit. SPAK bën me dije se nga këta, 16 janë të dënuar me burg dhe pjesa tjetër kanë dënime të formave alternative.

“Numri i personave të cilët janë liruar nga burgu si rezultat i uljes se dënimit është 15 persona,” tha SPAK. “Ndërkohë është 1 person i cili ka përfituar ulje dënimi 1 vit e 6 muaj burgim, por vazhdon dënimin për pjesën tjetër të pavuajtur të dënimit”, shtoi SPAK.

Mes personave që përfitojnë nga amnistia janë dhe 7 anëtarë të sistemit të drejtësisë të dënuar për akuzën e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Sipas të dhënave nga SPAK, në listën me 60 përfitues vetëm 8 janë për vepra penale që nuk përfshijnë korrupsionin apo funksionet publike. Këtu janë 5 të dënuar për kultivim e prodhim droge, 1 i dënuar për dhënie ndihme në kalimin e kufirit dhe 2 të dënuar të tjerë për thirrje dhe propagandë që nxit terrorizmin.

Mesazh kundër SPAK

Në vitin 2016, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, me qëllim krijimin e një sistemi të pavarur që mund të luftonte korrupsionin, një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve.

Në paketën e Reformës u përfshi krijimi i Gjykatë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i Prokurorisë së Posaçme dhe një strukture speciale policie të njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit.  Detyra e tyre kryesore ishte hetimi dhe dënimin i të korruptuarve administratën publike dhe në nivele të larta të shtetit.  Pas zvarritjeve për disa vite, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike, institucionet e posaçme për luftën ndaj korrupsionit filluan të funksiononin me krijimin e SPAK në dhjetor 2019.

Katër vjet më vonë, kur strukturat e posaçme filluan të japin rezultatet e para në këtë proces, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë dhe me mbështetje thuajse unanime të deputetëve të Kuvendit – përfshi opozitën, u miratua ligji për amnistinë. Ky i fundit në mënyrë të debatueshme, pavarësisht kundërshtimeve publike, përfshiu veprat penale që hetohen dhe gjykohen nga strukturat anti-korrupsion.

Për ekspertë të politikës dhe ligjvënies, kjo është një përpjekje për t’i dekurajuar këto institucione dhe minim i Reformës në Drejtësi.

“Në momentin që pritet kaq shumë prej tij [SPAK], të amnistosh individë që janë subjekt hetimi apo janë gjykuar, mendoj që është mesazh krejt i gabuar dhe e dëmton imazhin dhe vetë atë që quhet integriteti i Reformës në Drejtësi,” thotë Afrim Krasniqi.

Krasniqi arsyeton se qëndrimet e palëve në këto proces janë të dyshimta dhe se SPAK duhet të hetojë për këtë vendimmarrje, për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një procedurë normale apo “me allishverish”.

“SPAK-u të kishte nisur hetime për të parë nëse vendimmarrja e parlamentit është vendimmarrje procedurale parlamentare apo janë fshehur konflikte interesi dhe nevoja personale të deputetëve të caktuar lobues,” tha ai.

Nga ana e tij, Zef Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se amnistia është një hipokrizi e tërë klasës politike. Ai thotë me ironi se sa herë bëhet fjalë për të ngritur pengesa për SPAK-un,  ka një mirëkuptim mes shumicës dhe pakicës parlamentare.

“Ka një mirëkuptim të çuditshëm mes mazhorancës dhe opozitës kur vjen puna te kontrollimi i këtyre institucioneve të pavarura, një mirëkuptim që nuk shihet sa i përket institucioneve inaktive si ILDKPKI e të ngjashme,” tha ai.

Preçi thotë se kjo është e disata përpjekje e politikës, kryesisht prej shumicës, për të sabotuar SPAK. Sipas tij, hapi i parë ishte mbushja e SPAK me dosje nga i ashtuquajturi Operacioni Forca e Ligjit, i cili “shpenzoi burimet njerëzore dhe financiare, por nuk solli asnjë të mirë publike”. Së dyti, ai vë në dukje parashikimet ligjore për shpërdorim detyre dhe uljen e dënimit, që u mundëson zyrtarëve të mbyllin procedurialisht çështjet në këtë kategori.

Ngjashëm edhe Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare i sheh palët politike të bashkuara në një marrëveshje të dyshimtë kundër SPAK.

“Amnistinë e shoh si shpallje lufte ndaj drejtësisë së re nga klasa e vjetër politike. I vetmi bashkim që pati politika, në kulmin e ndasive ishte beteja ndaj SPAK-ut,” thotë ai.

Xhemollari e cilëson si një akt të rëndë amnistinë apo uljen e dënimit për të korruptuarit.

“Nuk ka rëndësi se çfarë statusi kanë funksionarët publikë, apo cila gjykatë i ka gjykuar. Në një vend ku korrupsioni dhe pandëshkueshmëria ka qenë problemi kryesor i vendit, zhbërja e vendimeve të institucioneve që filluan të ndëshkojnë korrupsionin dhe fituan besimin e publikut konsiderohet si tradhti ndaj bashkëqytetarëve,” përfundoi ai.

Continue Reading

Aktualitet

Investigimi/ Skema e “mashtrimit” me kreditë çon guvernatorin Sejko në SPAK

Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.

Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.

Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.

Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.

Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.

Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.

Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.

Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,”  thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.

E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.

“Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.

Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi’ nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor’, sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor’ nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale’ sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA.

Biznesi i kredive të këqija

Foto: Një sasi parash në cash

Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare.

Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4.

Sipas raportit të Departamentit të Mbikëqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim.

Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se MCA ndoqi një strategji të mbledhjes së plotë të detyrimeve, pa ofruar zbritje, ndërsa vendosi për paketat e ristrukturimit të kredive të këqija « norma penaliteti shumë të larta 2% në ditë ose 730% në vit».

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedhin edhe më tej dritë mbi natyrën e biznesit që ndiqte MCA, përmes shtrëngimit të kushteve për të dhënë kredi. Pasi blinte kreditë e këqija deri në 10% të vlerës së tyre, MCA kërkonte kthimin në masën 100%, duke vendosur edhe penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. Të gjendur ngushtë, kreditorëve që u ishin bllokuar pronat, detyroheshin të firmosnin kontrata kredie me norma interesi deri në 25%.

Pas gjetjeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në vitin 2020, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, duke përcaktuar që masa e penaliteteve të mos kalonte 30% të detyrimit kontraktor. Por edhe pas këtij vendimi dhe  rekomandimeve të lëna për shoqërinë MCA, shkeljet vazhduan.

Dyshimet për rolin e guvernatorit

Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania’ për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.

Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.

Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.

“Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.

E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.

Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.

Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se  infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.

Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.

Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se „nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar“.

Rrjeti i mikrokredive

Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.

Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.

Miliona euro në llogaritë e Ibros

Prokuroria e Tiranës dyshon se pronarja e shoqërisë MCA është larguar jashtë Shqipërisë, por një pjesë e fitimeve të saj ndodhen në Shqipëri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Elda Ibro zotëronte likujditete banke në vlerën e 1.1 milionë eurove dhe 224 milionë lekëve [2.2 miilion euro] në një bankë të nivelit të dytë. Në një bankë tjetër të nivelit të dytë, ajo zotëronte llogari me vlerë 60 milionë lekë, të cilat ia kishte kaluar pronarit të kompanive përmbarimore të angazhuar në mbledhjen e kredive të këqija.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera të tilla janë shumë herë më të mëdha sesa dividenti prej 141.6 milionë lekësh [1.4 milion euro] që kjo shoqëri kishte shpërndarë si fitim. Nisur nga këto mospërputhje, hetuesit e Tiranës thonë se i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të kryejnë një kontroll të thelluar për shoqërinë MCA – në mënyrë që të kenë mundësi që të bëjnë një analizë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të saj.

Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.

Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.

“Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.

Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar. Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.

Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.

„..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t’i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.

Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

“Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai

Continue Reading

Aktualitet

Qeveria ndan buxhetin për bashkësitë fetare, më shumë përfiton Komuniteti Mysliman

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për financimin e bashkësive fetare në vend që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

Në buxhetin e vitit 2024 janë përcaktuar 113 milionë lekë të reja për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, prej të cilave Komuniteti Mysliman përfiton më shumë; 33 840 000 lekë, ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike dhe Kryegjyshata botërore përfitojnë në mënyrë të barabartë nga 26 400 000 lekë.

V E N D I M

PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2024 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2024, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 (tridhjetë e tre milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 17 040 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyzet mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës të administratës;

ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e mijë) lekë, të ndarë në:

i. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të administratës;

ii. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, të ndarë në:

i. 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;

ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 (njëzet e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë për financimin, deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 25 (njëzet e pesë) punonjës të administratës;

ii. 13 360 000 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;

iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2024, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj, të vitit 2024.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING