Bota
LUFTA NE IRAN/ TRUMP AKUZON VENDET E NATOS
Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj NATO pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm Mark Rutte, duke akuzuar aleatët se nuk i kanë qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara gjatë luftës me Iranin.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të shtuara mes Uashingtonit dhe disa qeverive evropiane lidhur me rolin dhe angazhimet brenda NATO-s. Nga ana tjetër, Rutte e përshkroi takimin si “të sinqertë dhe të hapur”, duke pranuar se presidenti amerikan është i zhgënjyer me disa aleatë, por theksoi se shumica e vendeve evropiane kanë ofruar mbështetje të rëndësishme logjistike dhe ushtarake.
Paralelisht, administrata amerikane po shqyrton një plan për rishpërndarjen e trupave në Evropë. Sipas informacioneve nga The Wall Street Journal, propozimi parashikon zhvendosjen e forcave nga vendet që konsiderohen më pak mbështetëse drejt atyre më bashkëpunuese me strategjinë amerikane.
Aktualisht, SHBA mban rreth 84 mijë trupa në Evropë, ndërsa në diskutim është edhe mundësia e mbylljes së një baze ushtarake në vende si Spanja ose Gjermania. Në të kundërt, shtete si Polonia, Rumania, Lituania dhe Greqia mund të përforcohen me prani shtesë ushtarake.
Një zhvendosje e tillë, sidomos më pranë kufijve të Rusisë, vlerësohet se mund të rrisë më tej tensionet me Moskën.
Kriza aktuale me Iranin është vetëm një nga episodet e fundit në marrëdhëniet e tensionuara mes SHBA-së dhe Evropës, të shoqëruara më herët edhe me përplasje për tarifat tregtare, çështjen e Ukrainës dhe propozimin e Trump për Groenlandën.