Kronike
ANTIDROGA NE DURRES, 17 PERSONA TE ARRESTUAR
Policia e Durrësit ka ekzekutuar 17 masa sigurie në kuadër të operacionit të koduar “Cleaning 5”, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim, pas hetimeve disamujore për shpërndarje të lëndëve narkotike pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë.
Për 13 të dyshuar është caktuar masa “arrest në burg”, ndërsa 4 të tjerë janë lënë në “arrest shtëpie”. Të arrestuarit janë banues në Durrës, Kavajë, Shijak, Sukth, Manzë dhe Xhafzotaj.
Personat e arrestuar janë: Ervin Tahiri, Ervin Keçi, Fabrinio Durmishi, Hamdi Ibrahimi, Klevi Shani, Oligert Xhani, Elson Gjepali, Marjo Gjoshi, Indrit Dauti, Saimir Vezi, Ermal Çalliku, Armand Emini dhe Tani Muça (Ferra).
Sipas hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me forcat Operacionale, “Shqiponjat”, Policinë e Manzës dhe Komisariatin e Shijakut, grupi siguronte dhe shpërndante lëndë narkotike kryesisht në afërsi të shkollave në Shijak dhe Manzë.
Gjatë operacionit u sekuestruan sasi të konsiderueshme heroine, kokaine dhe cannabis sativa, si dhe 3 armë zjarri, konkretisht dy pistoleta dhe një kallashnikov. Autoritetet sekuestruan gjithashtu para të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, automjete dhe telefona celularë.
Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e hetimeve dhe veprime të mëtejshme