Grupi i Punës i ngritur për hartimin e ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku ka miratuar metodologjinë e punës si dhe kalendarin për prezantimin e propozimeve.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi do të zhvillohet në disa faza të përcaktuara qartë, duke nisur me mbledhjen e propozimeve nga strukturat dhe anëtarësia e partisë.

Nga data 1 deri më 10 maj 2026, çdo anëtar i Partisë, përfshirë Kryesinë, Këshillin Kombëtar, Grupin Parlamentar dhe Kuvendin Kombëtar, do të ketë mundësinë të paraqesë propozime për ndryshime ose përmirësime në statut. Paralelisht, edhe anëtarët e Grupit të Punës duhet të dorëzojnë me shkrim sugjerimet e tyre.

Në periudhën 11–14 maj do të bëhet shqyrtimi i të gjitha propozimeve të mbërritura, ndërsa nga 15 deri më 20 maj pritet hartimi i draftit final me ndryshimet e propozuara. Ky dokument do t’i dorëzohet kryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm të partisë për ndjekjen e procedurave statutore.

Brenda datës 25 maj, drafti do të shqyrtohet dhe miratohet nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar, për t’u dërguar më pas për miratim në Kuvendin Kombëtar. Vendimi përfundimtar pritet të merret më 30 maj 2026.

Ndërkohë, bëhet e ditur se deri në fazën e shqyrtimit dhe miratimit nga organet drejtuese, puna dhe propozimet e Grupit të Punës do të mbeten konfidenciale, ndërsa mbledhjet e tij do të zhvillohen me dyer të mbyllura.