Connect with us

Shkrime

Pekini me ‘rubinetin’ në dorë, Europa e vetmuar dhe braktisja e Tajvanit nga ana e Trump

Shkruar nga Stefano Stefanini

Takimi mes dy fuqive më të mëdha të botës prodhoi pak rezultate konkrete, por shërbeu si skenë për një kthesë rrënjësore në politikën e jashtme amerikane ndaj Kinës. Pekini nuk shihet më si rivali kryesor strategjik, por si një fuqi e barabartë me të cilën Uashingtoni mund të ndajë timonin e botës.

Rivaliteti mbetet i pashmangshëm, por ai ka humbur ndjenjën e urgjencës dhe ky është një ritëm që i shkon për shtat strategjisë afatgjatë të Xi Jinping-ut. Ndërkohë për Trump-in, prioritet mbeten krizat e çastit: ngushtica e Hormuzit, luhatja e çmimit të karburantit dhe llogaritë elektorale të zgjedhjeve të mesmandatit, çështje ku ndihma e Pekinit është thuajse e papërfillshme.

Në këtë përballje, Trump hyri në disavantazh dhe aty mbeti deri në fund. Ndonëse u kthye në SHBA me dy marrëveshje të mëdha për sojën dhe avionët Boeing, çmimi që u pagua ishte i lartë: një heshtje domethënëse për Tajvanin dhe lëshime në transferimin e teknologjisë.

Këto lëshime godasin drejtpërdrejt shtyllat mbi të cilat ishte ndërtuar deri dje politika dypartiake amerikane për frenimin e Kinës. Në sektorët tregtarë dhe energjetikë, rezultati mund të konsiderohet një barazim taktik. Tarifat amerikane mbeten në fuqi, por ato nuk po arrijnë të pengojnë vërshimin e mallrave kineze.

Ndërkohë, Pekini vazhdon të mbajë në dorë “rubinetin” e mineraleve të rralla, jetike për mbrojtjen dhe industrinë amerikane, sidomos pas boshllëkut të krijuar nga tensionet me Iranin.

Në fund, Uashingtoni largohet nga samiti me disa fitore ekonomike afatshkurtra dhe sinjale të mjegullta politike, ndërsa për Tajvanin zgjodhi heshtjen e tij tipike. Për Taipein, kjo vizitë la një shije shumë të hidhur.

Trump refuzoi të autorizonte shitjen e paketës së armatimeve prej 11 miliardë dollarësh, duke injoruar thirrjet e mbi 20 senatorëve që kërkonin një qëndrim force në Pekin. Mbetet të shihet nëse ai do ta miratojë këtë marrëveshje pas kthimit, pasi të jenë ftohur përzemërsitë me Xi Jinping-un (të cilin e ftoi zyrtarisht në Uashington më datën 24 shtator).

Megjithatë, fakti që Trump shmangu retorikën tradicionale për mbrojtjen e ishullit ishte një dhuratë e pastër politike për Xi-në, i cili e kishte izoluar Tajvanin si pikën e vetme të fërkimit në një pritje tejet miqësore. Marco Rubio u përpoq të qetësonte ujërat duke deklaruar se politika ndaj Tajvanit mbetet e pandryshuar, por pesha e fjalëve të tij zbehet para heshtjes presidenciale.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent – i cili e di mirë se në administratën Trump vendos vetëm një njeri – la të kuptohet se dosja e Tajvanit do të trajtohet “më vonë”. Kjo “më vonë” mund të ndodhë kudo: në bordin e Air Force One apo në qetësinë e rezidencës së tij në Mar-a-Lago. Pesha e fjalëve të Trump është vendimtare.

Edhe nëse ai mjaftohet me formulën standarde se “nuk mbështesim pavarësinë”, pa kaluar në frazën “jemi kundër saj”, mesazhi i dorëzimit tashmë është transmetuar përmes heshtjes në Pekin. Taktika e heshtjes nuk është e panjohur për Trump-in. Aleatët e NATO-s ende presin ta dëgjojnë të rikonfirmojë “Nenin 5”.

Në atmosferën aktuale, do të ishte surprizë nëse ai do ta bënte këtë në samitin e Ankarasë. Shmangia e fjalës “Tajvan” në Paqësor është ekuivalenti i kësaj braktisjeje: një sinjal se angazhimet dhe aleancat tradicionale po lihen pas krahëve.

Kjo frymë e re ka alarmuar gjithë Azinë, nga Japonia në Vietnam. Politika e sigurisë në rajon është bazuar gjithmonë te frenimi i Kinës, por sot kjo premisë po lëkundet. Është e njëjta pasiguri që ndjen Evropa në raport me Rusinë. Në Pekin, Trump e bëri të qartë se biznesi ka përparësi mbi strategjinë globale.

“Takime të shkëlqyera, presidenti ishte i jashtëzakonshëm” – deklaroi Jensen Huang i Nvidia-s në Sallën e Madhe të Popullit. Ai ishte pjesë e një delegacioni elitë me emra si Elon Musk, Tim Cook dhe Larry Fink. Kur Huang – një njeri i lindur në Tajvan që e njeh mirë peshën e fjalës – flet me kaq entuziazëm, kjo do të thotë se janë hapur dyert për Nvidia-n.

Mundësia që kompania të eksportojë modelet e avancuara Blackwell, pas dritës jeshile për çipat H200, duket tashmë reale. Dje korporatat amerikane ishin pothuajse të gjitha aty, duke e parë Kinën si tregun e madh dhe jo si rrezikun strategjik.

Interesi i tyre është i qartë: fitimet e fundvitit dhe shitja e teknologjisë “pa pranga” nga entet rregullatore. Në fund të fundit, ata po bëjnë punën e tyre duke i mbrojtur aksionerët. Por mbrojtja e interesit kombëtar duhet të ishte detyrë e presidentit.

Nuk është më një sekret që Donald Trump nuk e ka problem shkrirjen e interesit privat me detyrën publike. Por kjo vizitë, e zhvilluar nën hijen e krizës me Iranin, zbulon hartën e re të sigurisë amerikane: një botë e ndarë në zona influence ku marrëveshjet bëhen mes “të mëdhenjve”.

Në këtë marrëveshje të re, çdo gjë është e negociueshme nëse çmimi është i duhur, qoftë Tajvani apo Kievi. Aleatët e tjerë, aziatikë apo europianë, e gjejnë veten me më pak vlerë në treg, aq më tepër që nuk përfaqësohen nga autokratë “të fortë” që Trump i admiron.

G2-shi i sapoinauguruar në Pekin mund të mirëpresë nesër edhe Vladimir Putinin.

Ndërkohë, G7-shi duket se i përket së shkuarës, me Trump-in që njofton pjesëmarrjen vetëm përmes videos. Siç vëren me të drejtë Mario Draghi: Evropa tashmë është vetëm. Dhe në këtë rend të ri, kush nuk reagon shpejt, mbetet jashtë loje./“La Stampa”

Advertisement