Connect with us

Bota

Kuba paralajmëron Trumpin: Një ndërhyrje ushtarake do të sillte gjakderdhje

Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel ka deklaruaRse çdo ndërhyrje ushtarake e Shteteve të Bashkuara kundër Kubës do të sillte “gjakderdhje” dhe pasoja të paparashikueshme për stabilitetin rajonal.

“Kuba nuk përfaqëson kërcënim”, shkroi Díaz-Canel në platformën X.

Deklarata erdhi pasi portali amerikan Axios, duke cituar informacione të klasifikuara të inteligjencës, raportoi se Kuba kishte blerë mbi 300 dronë ushtarakë dhe kishte diskutuar përdorimin e tyre kundër bazës detare amerikane në Gjirin e Guantanamos, anijeve ushtarake amerikane dhe zonës së Key West në Florida.

Autoritetet kubaneze i hodhën poshtë këto pretendime, duke akuzuar Uashingtonin se po krijon një pretekst për një ndërhyrje të mundshme ushtarake.

Në Havana, disa qytetarë thanë se do t’i rezistonin çdo sulmi, pavarësisht krizës së rëndë ekonomike që po përjeton vendi.

Marrëdhëniet mes Havanës dhe Uashingtonit janë tensionuar ndjeshëm në javët e fundit. Reuters raportoi më herët, duke cituar një burim nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, se prokurorët po përgatisin padi ndaj ish-udhëheqësit kubanez Raúl Castro për rrëzimin në vitin 1996 të dy avionëve të operuar nga një organizatë humanitare.

Një veprim i tillë ndaj 94-vjeçarit Raúl Castro, vëllait të Fidel Castros dhe figurë qendrore e Revolucionit Kuban të vitit 1959, do të konsiderohej një përshkallëzim i madh i presionit amerikan ndaj Kubës.

Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodríguez, deklaroi se Kuba, “si çdo shtet tjetër”, ka të drejtën e vetëmbrojtjes sipas Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.

Kriza ekonomike në ishull është thelluar muajt e fundit. Mungesa e karburantit dhe ndërprerjet e energjisë elektrike janë bërë të zakonshme, ndërsa në shumë zona energjia ofrohet vetëm për disa orë në ditë.

Advertisement