Aktualitet
Për gjendjen aktuale të protestës dhe tensionin e shtuar brenda dhe rreth saj
Nga Poli Hoxha
Për gjendjen aktuale të protestës dhe tensionin e shtuar brenda dhe rreth saj
Pas 75 ditëve, një gjë është e qartë kristal: Protesta ka lindur, vazhdon dhe reziston si një vektor qindra mijë individësh, kundër Kastës së korruptuar dhe të kriminalizuar politike dhe sistemit të ngritur prej saj.
Shumica e shqiptarëve në shesh apo jo, në Shqipëri apo jo, me akte apo me mendje dhe shpirt, më në fund është zgjuar dhe është kthjelluar për Pakicën që vjedh dhe sundon nëpërmjet kapjes së demokracisë, partive, votës, parlamentit, ekonomisë së deformuar dhe ligjeve!
Pra armiqtë e Protestës janë Rama&Berisha si përfaqësues kyç të kësaj Kaste dhe ingranazhet e tyre politike, ekonomike, mediatike dhe kriminale.
Të gjithë këta po përdorin çdo mjet dhe mënyrë, jo për ta kapur Protestën, por për ta bërë pis atë, ta helmojnë, ta përçajnë në “grupime” të ndryshme në konflikt, me finale shuarjen e saj.
Fakt është që ditët e fundit janë shtuar tensionet dhe incidentet brenda protestës. Por ky tension, në thelb nuk ka të bëjë me faktorë që duken në pamje të parë në shesh:
Me grupime apo individë që kërkojnë protagonizëm në shesh dhe veçanërisht te grupi koordinues apo te “Banka e fundit” që ka monopolizuar udhëheqjen e marshimit.
Nuk ka të bëjë as me lëshimin e nervave pas 75 ditësh, as me lodhjen e shqiptarëve, “zvogëlimin” e numrit në një muaj temperaturash ekstreme dhe pushimesh vjetore, (Kjo protestë nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka Numër pjesëmarësish), si dhe aq më pak me dorëzim!
Tensioni në shesh, (aq sa po shfaqet), është eksportuar dhe financuar nga Kasta. Secila pjesë e kapësve të sistemit politik-ekonomik- mediatik, e sjell me mënyrat dhe mjetet e veta.
Duhet ta kuptojmë, nuk ka Tension Protesta e qytetarëve, por Kasta Rama&Berisha!
Tensioni është rritur dhe do rritet sepse ata kanë limit kohor, për ta prishur dhe dështuar Protestën.
Nëse nuk e arrijnë brenda këtyre 2 javëve, ata e dinë shumë mirë që duke nisur nga muaji shtator, Protesta nuk ndalet më dhe do dhjetrafishohet.
Kanë tension sepse tashmë si Kastë e korruptuar dhe e urryer nga populli i tyre, janë kthyer në kosto Stabiliteti për Perëndimin. Plot 36 vite kanë përfituar kundrejt ndërkombëtarëve me kartën gjeopolitike të Stabilokracisë, me lojën stabilitet-destabilitet. Këtë kartë nuk e kanë më Rama-Berisha në dorë, por e ka Protesta, vetë shqiptarët.
Kanë tension, sepse e dinë më mirë se të gjithë ne, që vjeshta do të jetë zjarr për ata me hetimet dhe dosjet që janë gati në SPAK.
Kanë tension sepse e dinë që në shtator, në parlament nuk do të hyjnë dhe nuk dot të dalin dot prej andej kurrë më normalisht, por vetëm siç bënë në 2 seancat e fundit, të rrethuar me qindra policë, nga qoshet dhe nga vrimat, njësoj si minjtë e rrethuar nga macet!
Pra duke pasur vetëm 15 ditë kohë dhe gjithë këtë tension, po tensionojnë protestën!
Pavarësisht se kanë gjetur dhe futur grupime dhe individë që të punojnë për këtë qëllim në gjithë strukturën e Protestës, janë të dëshpëruar dhe të kapur.
Tashmë dihen financuesit dhe organizatorët. Janë të Kastës, subjekte të SPAK dhe agjencive perëndimore kundër krimit të organizuar. I dinë vetë protagonistët brenda Protestës, i dinë ambasadat e SHBA dhe Gjermanisë e të tjera. Janë njoftuar edhe institucionet shqiptare.
Nëse grupe të financuara dhe të organizuara, do të tentojnë të pushtojnë ndonjë institucion, do të krijojnë dhunë dhe përplasje fizike, brenda apo në periferi të Protestës, organizatorët e tyre kanë emër dhe fytyrë që tani.
Nëse Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, do të bëjnë sikur nuk e dinë të vërtetën për t’ja faturuar një Proteste qytetare dhe paqësore (75 ditë nuk kanë prekur asnjë gjethe), të paprecedentë edhe për Perëndimin, dhunën dhe destabilitetin e krijuar nga 100 zarë të paguar nga veglat e Kastës, Rama-Berisha, atëherë përgjegjësinë do ta mbajnë ata dhe vetëm ata.
Dhe së fundmi një këshillë miqësore për protagonistët e Protestës që kanë marë përsipër mbarëvajtjen e saj për gati 3 muaj të vrullshëm dhe të vështirë:
Keni bërë një punë të shkëlqyer. Keni sakrifikuar dhe keni nderuar veten dhe emrin tuaj. Emrat tuaj do jenë pjesë e kësaj faqeje të ndritshme të historisë së Shqipërisë.
Por kujdes!
Kjo Protestë është shpresa e fundit që shqiptarët të kthehen nga një vend që sundohet nga vampirë të pangopur, në një vend demokratik dhe meritokratik për të gjithë. Në këtë protestë ka qindramijë aksionerë. E dimë që askush nuk ka fuqi ti shesë ato aksione, por kushdo që e shet shpirtin te armiqtë e Protestës, pra te armiqtë shqipfolës të ardhmërisë të fëmijve të këtyre aksionierëve, nuk do jetë thjesht një “biznesmen” apo karakter i dobët.
Kushdo që i ka vënë shpatullat dhe fytyrën kësaj Proteste, ka përgjegjësi përtej çdo protestuesi: Ose do jetë i dashur, i nderuar dhe i paharuar për shqiptarët ndër breza, ose pak më i pasur por i përçmuar, pështyrë dhe i treguar me gisht, por ndër breza.
Protesta nuk ndalet dhe nuk shuhet dot më, deri sa të shporrë vampirët politikë, sepse ajo nuk është më thjesht një tubim i përditshëm. Ajo tashmë është gjendje mendore dhe shpirtërore pas zgjimit nga letargjija 36 vjeçare.
Protesta nuk diskutohet që ka fituar. Ajo që vjen është vetëm durim, rezistencë dhe integritet gjatë procedurës së çmontimit të kësaj Kaste të paprecedentë në makutëri dhe ligësi antishqiptare.
Ndaj qëndroni në kahun e duhur të historisë dhe të shqiptarëve të ndershëm dhe atdhetarë.
Ky kah është pasuria më e madhe që mund të imagjinosh.
Nesër edhe materialisht, për veten dhe fëmijtë e tu!
Shared post