Shkrime
Prezumimi i Pafajësisë: Argumenti, që në BE nuk i mbron ministrat në detyrë
Dhe më parë se ta konstatojë çdo qytetar i Shqipërisë nëpërmjet një kërkimi të thjeshtë në shtypin europian, duhet ta pohojë dhe shumë fort madje, një ambasador, përfaqësues i lartë i BE-së në Tiranë, një komisionere zgjerimi si kujtesë për standardet minimale të anëtarësimit në Familjen e Përbashkët, si një nga arsyet për të cilën paguhet nga taksapaguesit europianë:
Në Europë nuk pritet gjykata të mbyllë dosjen, nuk pritet që një ministër të kapet në flagrancë, nuk pritet as shpallja “i pandehur”, por mjafton hapja e një hetimi, ose edhe një dyshim serioz etik, që një ministër të largohet vetë, të dorëhiqet shpejt, qetë dhe pa dramë. Kjo nuk ndodh sepse ligji i detyron, por sepse funksionon standardi politik dhe morali publik. Qeveria duhet të jetë “e pastër” që hetimet të zhvillohen pa presion dhe besimi i qytetarëve të mos cënohet.
Në Francë dorëheqjet janë standard automatik:
François Bayrou, ministër i drejtësisë dha dorëheqjen vetëm sepse u hap hetim (ende pa akuzë).
Sylvie Goulard, ministre e mbrojtjes dha dorëheqje po për shkak të një hetimi paraprak.
Damien Abad, ministër i solidaritetit dha dorëheqje vetëm pas një kallëzimi, pa u bërë ende i pandehur.
Në Gjermani standardi është edhe më i rreptë:
Franziska Giffey, dha dorëheqjen sapo nisi hetimi për plagjiaturë.
Karl-Theodor zu Guttenberg, ministër i mbrojtjes, u largua menjëherë pas nisjes së procedurës akademike për verifikimin e plagjaturës se Doktoraturës. Në Gjermani dorëheqja bazohet te “Verantwortung”, përgjegjësia morale.
Në Itali ku ndodhet sot qeveria jonë për një mbledhje të përbashkët me atë italiane, ministrat dorëhiqen sapo futen nën hetim:
Maurizio Lupi, ministër i infrastrukturës dha dorëheqje edhe pse nuk ishte vetë i pandehur, por thjesht për shkak të dyshimeve për korrupsion të bashkëpunëtorëve.
Federica Guidi, ministre zhvillimi ekonomik dha dorëheqjen pas një dyshimi që bastisi kabinetin e saj dhe ajo ruajti integritetin e qeverisë Renzi.
Në Spanjë, Magdalena Álvarez, ish Ministre e Infrastrukturës dhe ish-Komisionere e BE u hetua për çështjen e famshme të subvencioneve në Andaluzi (rasti ERE). Dha dorëheqje nga posti i lartë në Bankën Europiane të Investimeve sapo u shpall nën hetim, shumë më herët se të kishte vendim gjykate.
José Manuel Soria, ish Ministër i Industrisë dha dorëheqjen sapo u përmend në “Panama Papers”, pa asnjë akuzë penale në atë moment. Vetëm për faktin se emri i tij u lidh me një skandal financiar.
Në Spanjë, thjesht humbja e besimit publik mjafton.
Në Britani mjafton një email i gabuar, një konflikt interesi i dyshuar dhe dorëheqja shkruhet vetë.
Në Holandë, Danimarkë, Suedi, dorëheqja është refleksi i parë, jo i fundit.
Sepse integriteti nuk negociohet, as me vota, as me pushtet, as me arsyetime të spërdredhura juridike.
Dallimi mes Shqipërisë dhe Europës nuk është thjesht tek procedurat, por edhe tek minimumi i dinjitetit institucional, ai momenti kur një ministër kupton se nuk ka më luksin të qëndrojë në detyrë ndërsa hetimi vijon dhe madje merret i pandehur.
Sepse në demokraci, dorëheqja nuk do të thotë fajësim, por respekt për shtetin dhe një garanci se ministri e kupton përgjegjësinë e postit që mban.
Çfarë presim nga një përfaqësues i lartë i BE-së? Të na kujtojë standardin, se në vendin e tij e në vendet që përfaqëson parimi kryesor për një funksionar publik është leximi i drejtë i integritetit, jo thjesht akuzës për të cilën sigurisht vlen parimi i prezumimit të pafajësisë. Ama ai nuk mund të përdoret si argument për të mos thënë asgjë aty ky Europa ka krejt tjetër standard.