Politike
Protesta/ Dervishi: Rama synon të fragmentojë mbështetjen publike e të mbjellë dyshime mbi përfaqësuesit e saj
Ekspertët e komunikimit e shpjegojnë sjelljen e Ramës ndaj protestës maratonë me manualin e njohur të propagandës, që synon shmangien nga faktet dhe delegjitimimin e aktorëve të protestës.
Lutfi Dervishi e vendos theksin te ndryshimi dramatik i retorikës së kryeministrit, që sipas tij, synon që të ndikojë “mbështetësit e qeverisë, të pavendosurit dhe administratën”.
“Kemi një zhvendosje tipike te debatit nga ‘çfarë po thuhet’ te ‘kush po e thotë,” tha Dervishi, ndërsa shtoi se kur fokusi kalon nga shqetësimet e ngritura te identiteti, motivet apo lidhjet e protestuesve, vëmendja largohet nga thelbi i pakënaqësisë dhe përqendrohet te legjitimiteti i bartësve të saj.
Kjo, sipas tij, “është një strategji e njohur që synon të fragmentojë mbështetjen publike për protestën dhe të mbjellë dyshime mbi përfaqësueshmërinë e saj”.
Për Lutfi Dervishin, kjo strategji e ndjekur nga Rama ka limitet e veta para një proteste që vijon dhe bëhet më e madhe.
“Nëse protesta do të ishte e vogël, e paqartë ose e varur nga pak figura publike, sulmet ndaj individëve mund të ishin efektive, por kur kemi të bëjmë me një lëvizje të gjerë, pa lider të qartë dhe me pjesëmarrje të larmishme, sulmet personale shpesh nuk e zgjidhin problemin e perceptuar nga publiku, përkundrazi, ato mund të forcojnë bindjen se pushteti po merret me lajmësin dhe jo me lajmin,” thotë ai.
Paradoksi, sipas Dervishit, është se sa më shumë zgjat një protestë pa incidente dhe me pjesëmarrje të qëndrueshme, aq më pak efektive bëhen etiketimet, duke e kthyer debatin aty ku nisi: te arsyet e protestës, jo te identiteti i protestuesve.
Ndërkohë, Fuga thotë se narrativa e propagandës së kryeministrit i ka dhënë atij disa pikë, që lidhen me mbajtjen e protestës në plan emocional, neutralizimin e kritikave ndaj tij dhe ruajtjen e lidhjes me elektoratin e vet.
“Është më kollaj ta mbash unitetin me elektoratin duke i thirrur gjuhës së trupit dhe propagandës, sesa gjuhës së arsyetimit për të dhënë argumente, që shpeshherë janë të sforcuara,” përfundoi ai.