✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

U raportua si atentat, del foto kush është 46-vjeçari që dyshohet se vrau veten

Ngjarja e rëndë e regjistruar në rrugën “Mihal Popi” në kryeqytet, ku një 46-vjeçar u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij, po hetohet nga autoritetet si një rast i dyshuar vetëvrasjeje.

Viktima është identifikuar si Ismet Habili. Fillimisht, ngjarja u raportua si një atentat i mundshëm, ndërsa të dhënat paraprake të hetimit kanë ndryshuar pistën kryesore mbi të cilën po punojnë autoritetet.

Sipas raportimit të gazetarit Elton Qyno, hetuesit dyshojnë se 46-vjeçari mund t’i ketë dhënë fund jetës, pasi arma e zjarrit është gjetur brenda automjetit.

Në informacionin zyrtar të policisë bëhet me dije se, gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë.

“Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera, dyshohet se shtetasi I. H., 46 vjeç, mund të jetë vetëvrarë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.Pavarësisht raportimeve fillestare për një atentat, deri në këtë fazë autoritetet kanë bërë të ditur se dyshimet paraprake lidhen me vetëvrasjen. Megjithatë, rrethanat e plota të vdekjes së 46-vjeçarit nuk janë zbardhur përfundimisht.

Hetimet pritet të sqarojnë dinamikën e ngjarjes dhe rrethanat në të cilat arma është përdorur.

Advertisement