Aktualitet
Putin refuzon takimin me Zelenskyn, e cilëson të pasjellshëm propozimin për bisedime
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka refuzuar propozimin e homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një takim të drejtpërdrejtë mes tyre.
Duke folur në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, Putin e cilësoi letrën e hapur të Zelenskyt si “të pasjellshme”, duke vënë në pikëpyetje qëllimin e iniciativës për bisedime. Ai gjithashtu
theksoi gjithashtu se nuk sheh “asnjë arsye” për zhvillimin e ndonjë takimi.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka dërguar një letër të hapur presidentit rus, Vladimir Putin, në të cilën e akuzon Moskën për përgjegjësinë kryesore të luftës në Ukrainë dhe i bën thirrje për përfundimin e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve të drejtpërdrejta për paqe.
Në mesazhin e publikuar, Zelensky thekson se lufta mes dy vendeve është rezultat i një “zgjedhjeje të qëllimshme politike” dhe jo një detyrim i imponuar nga rrethanat ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një konflikt që ka ndryshuar rrënjësisht marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës gjatë më shumë se dy dekadave të fundit.
Në qendër të letrës qëndron thirrja për ndalimin e menjëhershëm të luftës dhe hapjen e një procesi politik për zgjidhje të qëndrueshme. Zelensky sugjeron se vazhdimi i konfliktit vetëm sa do të thellojë kostot njerëzore, ekonomike dhe politike për të dy vendet, duke nënvizuar se “koha për vendime të vështira politike është tani”.
Presidenti ukrainas shprehet se Ukraina është e gatshme të vazhdojë rezistencën ushtarake nëse është e nevojshme, por njëkohësisht sinjalizon se një zgjidhje diplomatike mbetet e mundur nëse pala ruse merr vendimin për të ndalur operacionet ushtarake dhe për t’u ulur në tryezën e negociatave.
Në letrën e tij, Zelensky i referohet gjithashtu pasojave të luftës për shoqërinë ruse, përfshirë humbjet në front, presionin ekonomik dhe pakënaqësinë e brendshme, duke argumentuar se konflikti po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm edhe brenda vetë Rusisë.
Mesazhi përmbyllet me një thirrje politike dhe morale për t’i dhënë fund luftës dhe për të hapur një fazë të re dialogu, duke e paraqitur këtë si të vetmen rrugë të mundshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.