Politike
Rama shprehu gatishmeri per ndihme per Spanjen dhe Francen/ Salianji: Për të vënë duart në kokë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit për gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar vendet europiane në përballimin e zjarreve. Në një postim në rrjetet sociale, Salianji e cilësoi situatën “jo për të qeshur, por për të vënë duart në kokë”, duke akuzuar Ramën se ka dështuar në qeverisjen e vendit dhe se po përdor propagandën për të krijuar imazhin e një “shpëtimtari” të Europës.
Sipas tij, ndërsa zjarrfikësit shqiptarë përballen me mungesë mjetesh dhe pajisjesh, kryeministri promovon ndihmën për vende të tjera. Ai shton se qeveria ka lënë pas dore investimet, shërbimet publike dhe kapacitetet për përballimin e emergjencave, ndërsa i kërkon kryeministrit të japë dorëheqjen.
REAGIMI I SALIANJIT
Nuk është për të qeshur, por për të vënë duart në kokë. Njeriu që i ka vënë zjarrin Shqipërisë me keqqeverisje, mungesë investimesh, braktisje të shërbimeve publike, korrupsion dhe kriminalizim të administratës sot del e shitet si shpëtimtari i Europës.
Ndërsa zjarrfikësit shqiptarë lihen pa mjete, pa pajisje dhe në shumë raste detyrohen të luftojnë flakët me degë pemësh ose të presin derisa të bjerë shiu. Solidaritet me vendet mike por Edi Rama bën propagandë duke u vetëofruar si “shpëtimtar” për Francën dhe Spanjën. E ka degraduar qeverisjen e tij me pantallona nëpër këmbë e tani tallet me kapacitetet për të shpëtuar Evropén ??♂️
Jep dorëheqjen që Shqipëria të ketë kapacitetet për të mbrojtur qytetarët, pyjet dhe pronat e tyre!