✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

KOSOVA MBETET PENG I BEOGRADIT, DIALOGU ME REZULTATE QENDRON KUSHT PER NE BE

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën më 25 nëntor në Bruksel, në kuadër të samitit të përbashkët, ku në qendër të diskutimeve ishin procesi i zgjerimit, përshpejtimi i reformave, siguria rajonale dhe integrimi ekonomik i vendeve të rajonit.

Në deklaratën përfundimtare prej 20 pikash, udhëheqësit evropianë rikonfirmuan angazhimin e plotë dhe të paekuivok ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi reale, e cila duhet shfrytëzuar”, thuhet në deklaratën e Brukselit.

BE-ja vlerëson se situata gjithnjë e më e paqëndrueshme gjeopolitike, e karakterizuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe intensifikimi i konkurrencës globale, e bën edhe më të domosdoshëm forcimin e marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor.

-Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë–Serbi mbetet kusht për integrimin

Një pjesë e veçantë e deklaratës i kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja vlerëson se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon të pengojë përparimin e të dyja palëve në rrugën e tyre evropiane.

Udhëheqësit evropianë rikonfirmuan mbështetjen e plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe u kërkuan të dyja palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive, duke shënuar përparim konkret dhe pa vonesa në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Brukseli përsëriti gjithashtu se mbështetja financiare në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv, përparimi i matshëm dhe rezultatet konkrete në normalizimin e marrëdhënieve. Deklarata kërkon gjithashtu zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe në rajon, zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe trajtimin e çështjeve të pazgjidhura që lidhen me krimet e luftës.

Sipas BE-së, glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat themelore evropiane.

Advertisement