Kosova
Thaçi mund ta kishte shlyer dënimin me paraburgim? Avokatët kundërshtojnë Hagën
Avokatët e Hashim Thaçit kundërshtojnë llogaritjen e dënimit prej 17 muajsh nga Gjykata Speciale në Hagë. Sipas mbrojtjes, ish-presidenti i Kosovës do ta kishte shlyer tashmë dënimin nëse koha e kaluar në paraburgim do të ishte llogaritur ndryshe.
Ekipi mbrojtës ka paralajmëruar ankimimin e vendimit, duke kundërshtuar mënyrën se si gjykata ka përllogaritur periudhën e paraburgimit dhe vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në dy çështje të ndryshme.
Në një shkresë të dorëzuar më 23 nëntor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja Sophie Menegon bëri të ditur se mbrojtja rezervon të drejtën për ta dërguar çështjen në Dhomën e Apelit.
Më 17 nëntor 2026, Gjykata Speciale e shpalli Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe e dënoi me 17 muaj burgim.
Megjithatë, gjykatësi vendosi që koha e kaluar në paraburgim, në bazë të dy fletarrestimeve të veçanta, të mos llogaritej për të dy dënimet, pasi ato lidhen me vepra të ndryshme penale.
Mbrojtja kundërshton pikërisht këtë mënyrë përllogaritjeje. Sipas avokatëve, nëse do të njihej koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në rastin 12, dënimi prej 17 muajsh do të konsiderohej i shlyer dhe Thaçi do të duhej të ishte liruar.
Për momentin, avokatja ka bërë të ditur se mbrojtja nuk planifikon të paraqesë parashtrime të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit, por ka rezervuar të drejtën për të apeluar aktgjykimin dhe vendimet për llogaritjen e dënimit.